Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani nderon me dekoratën “Nderi i Kombit”, Betejën e Lopsit 1914 si dhe atdhetarë tepelenas

Presidenti Bujar Nishani gjatë një vizite në Dhëmblan të Tepelenës nderoi me dekoratën “Nderi i Kombit” Betejën e Lopsit 1914, si dhe luftëtarët e lirisë e atdhetarët tepelenas.

Gjatë një cermonie ku u prit nga autoritetet vendore, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, studiues dhe banorë të zonës, Nishani e ndau dekoratën me motivacionin “Për kontributin e lopsiotëve në luftën heroike me vlera kombëtare, të pagëzuar si “Rezistenca e Gribës (1914), si dhe sakrificat sublime të luftëtarëve që ranë dëshmorë në këtë betejë historike. Për vetëmohimin e burrave dhe grave të Dhëmblanit, Salarisë, Matohasanajt e Sinanajt të udhëhequr nga patriotët Ismail Kaso dhe Mersin Meçe, të cilët luftuan me atdhedashuri dhe mbrojtën të pacënuar kufijtë e atdheut”.

Kreu i Shtetit nderoi gjithashtu me të njëjtën dekoratë Baba Ahmet Turanin (pas vdekjes) “Si një ndër prelatët e shquar të bektashizmit në Shqipëri, personalitet e shtetar me influencë dhe kontribute të spikatura në realizimin e aspiratës sonë kombëtare, shembull i madh atdhedashurie, frymëzuesi dhe drejtuesi i “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” pas shpalljes së pavarësisë dhe i “Këshillit drejtues” të Luftës së Vlorës (1920)” si dhe luftëtarët e shquar për liri, në mbrojtje të interesave të kombit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri: Mustafa Sadikajn, Jaho Islamin, Xhemal Asllanin si dhe Bajram Hamatajn.

Presidenti Nishani në fjalën e rastit shprehu mirënjohjen dhe vlerësimet për krahinën e Lopsit e Tepelenës me emër të shquar, me njerëzve të virtytshëm, me kontribute patriotike të spikatura dhe histori të lavdishme.

“Jemi mbledhur këtu të nderojmë luftëtarët e Salarisë, Dhëmblanit, Matohasanaj, Sinanaj, Dorëz, që shkruan epopenë e lavdisë ndër shekuj që nga kryengritjet për liri e pavarësi kombëtare, nga beteja historike e Lopsit, e më pas të luftës së Vlorës në 1920 e më vonë. Po, kështu dhe në luftën për liri ndaj pushtuesve të të gjithë kohëve, të cilët donin të tjetërsonin identitetin tonë kombëtar, të gjithë banorët trima e atdhetarë të këtyre trevave u bashkuan me besë dhe kontribuuan ashtu siç dinë dhe bëjnë lopsiotët, si vëllezër, pa dallim bindjesh politike, fetare dhe sociale”, nënvizoi Nishani.

Në përfundim të ceremonisë së dekorimeve dhe koncertit festiv me këngë labe, Presidenti Nishani vendosi një buqetë me lule në Memorialin e Luftës së Lopsit të vitit 1914, duke bërë homazhe e duke u përulur me respekt e nderim ndaj kujtimit të luftëtarëve dhe atdhetarëve, të cilët janë gdhendur përjetësisht në kujtesën historike e të lavdishme të popullit shqiptar.

Please follow and like us: