Albspirit

Media/News/Publishing

Shqetësime amerikane për bazën ruse në Serbi si një qendër spiunazhi

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në Serbi. Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e perceptojnë si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, gjaë një dëshmie në Senat këtë javë ngriti çështjen e “të ashtuquajturës qendër humanitare”.

Zoti Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për bazën ruse në Nish, pranë kufirit të Serbisë me Kosovën, “jo aq për çfarë ajo është tani, por për formën që mund të marrë nëse realizohen kërkesat që Rusia i ka paraqitur Serbisë, për një lloj statusi të veçantë, me mbrojtje diplomatike ose imunitet”, siç u shpreh diplomati amerikan.

Rusia kundërshton afrimin e Ballkanit me Evropën

Duke folur gjatë seancës dëgjimore të mërkurën në Senat për influencat keqdashëse në Evropën juglindore, zoti Yee tha se “ne nuk besojmë se Rusia ka qëllime pozitive, ndërsa ne po përpiqemi ta ndihmojmë Ballkanin të arrijë objektivin e integrimit me Evropën”.

“Besojmë se Rusia po përpiqet ta pengojë këtë rrugëtim”, tha zoti Yee në përgjigje të një pyetjeje të Senatorit Chris Murphy, të shtetit Connecticut.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë punuar për vite me radhë për të sjellë paqe të qëndrueshme dhe për ta integruar rajonin në komunitetit e vendeve Euro-Atlantike. Të gjitha vendet përqark Serbisë janë aktualisht vende anëtare të NATO-s, ose dëshirojnë që të anëtarësohen në këtë aleancë të Perëndimit.

Qendra ruse në qytetin Nish në Serbinë jugore që u çel fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Qendër humanitare apo qendër spiunazhi?

Shqetësimet për bazën ruse pranë kufirit me Kosovën kanë të bëjnë me faktin se Kremlini mund ta shndërrojë atë në një stacioni spiunazhi dhe në qendër komande të përpjekjeve të Rusisë kundër zgjerimit të BE-së dhe NATO-s në rajon. Rusia ka mbështetur gjithnjë refuzimin e Serbisë për njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur.

Zoti Yee tha se Shtetet e Bashkuara janë kundër dhënies së statusit diplomatik, ose një statusi të ngjashëm, për rusët që ndodhen në Nish.

Zoti Yee tha se “ne mendojmë se është e rëndësishme, dhe ja kemi transmetuar këtë qeverisë serbe, që Serbia të ketë kontroll të plotë mbi territorin dhe strukturat e ngritura. Nëse do t’i lejojë Rusisë të krijojë një lloj qendre të posaçme për spiunazh dhe aktivitete të tjera keqdashëse, atëherë Serbia do të humbasë kontrollin mbi territorin e saj”.

Rusia ka mohuar se synon të ngrejë një bazë ushtarake në Serbi.

Dakortësi dypartiake amerikane rreth rolit të Rusisë

Demokratët dhe republikanët në Senatin amerikan kundërshtojnë bashkarisht përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin në Ballkan.

Senatori republikan Ron Johnson, i tha shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se beson se Moska “po bën gjithçka që mundet për të destabilizuar vendet në rajon dhe për t’i penguar ato” në marrjen e pozicioneve pro-perëndimore.

Senatori Johnson përmendi Malin e Zi, vendin më të ri anëtar të NATO-s dhe Maqedoninë, që ka kufi të përbashkët me Kosovën, si një shembull të ndërhyrjes ruse.

Prokurorët në Podgoricë kanë akuzuar Rusinë dhe agjentët e saj për financimin e një komploti, që do të ekzekutohej tetorin e kaluar, ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi. Sipas autoriteteve malazese, plani ishte që të anëtarët e komplotit të vrisnin Kryeministrin Milo Gjukanoviç duke synuar pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

U shmang një akt lufte

Njëzet persona të dyshuar për pjesëmarrje në këtë komplot u arrestuan vitin e kaluar gjatë mbrëmjes përpara ditës së zgjedhjeve. Fuqitë perëndimore dhe agjensitë e zbulimit janë shprehur se përfshirja e Rusisë në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi ishte e qartë. Madje edhe vetë zoti Gjukanoviç, një socialist që u dorëhoq nga posti i kryeministrit dhjetë ditë përpara zgjedhjeve, tha se ekzistonte “një lidhje e fortë ndërmjet një faktori të huaj” dhe zhvillimeve politike në vend. Kremlini i ka quajtur “absurde” të gjitha këto akuza.

Prokurorët në kryeqytetin malazez thanë se Rusia “bëri shumë më tepër se sa thjesht ndërhyrje” në zgjedhje. Nëse plani i Moskës do të kishte rezultuar i suksesshëm, ata thanë se ai do të përbënte “një akt lufte”.

Senatori Johnson, kryetar i nënkomisionit të Senatit për Evropën, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje vendeve të Ballkanit.

Senatori Johnson tha se “kemi një mundësi të mrekullueshme për t’i integruar këto vende me BE-në dhe demokracitë perëndimore. Nëse nuk luajmë rol udhëheqës, nëse nuk i kushtojmë vëmendje, këto vende mund të rrëshkasin lehtësisht nën dominimin e Rusisë”.

Ligjvënësi nga shteti Wisconsin ishte vetëm njëri prej 98 senatorëve që votuan këtë javë pro shtimit të sanksioneve ndaj Rusisë. Senatori Johnson dhe Senatori Murphy deklaruan këtë javë se shkurtimet e ndjeshme të planifikuara për buxhetin e Departamentit të Shtetit do të lihen mënjanë derisa të bihet dakort për një plan shpenzimesh të qeverisë amerikane.

Senatori Johnson tha se “duhet t’i dërgojmë një sinjal shumë të qartë Rusisë, se nuk mundet të vazhdojë me agresionin, përpjekjet për destabilizim, ndërhyrjet në zgjedhjet demokratike në mbarë botën, përfshirë këtu edhe Amerikën”. (VOA)

Please follow and like us: