Aurel Plasari: Lexim i teknikave të luftës politike
Kujton se janë nëpër libra? Përjeto realitetin që të rrethon dhe ja ku mund t’i lexosh të përdoruara ende sot e gjithë ditën, sado të përsëritet që nazizmi është mposhtur dhe komunizmi paskësh dështuar. Madje në libra as i lexon dot, sepse disa tituj si “Agitation und Massenhysterie” – po marr vetëm një shembull, – sot nuk ribotohen, ndërsa autori i tyre Heinrich Dietz mbahet “i përsyshur”. Nuk gjen atëherë terren më të përshtatshëm se një fushatë elektorale për t’i lexuar teknikat e luftës politike për së gjalli:
– Propaganda. Loz rol kryesor në luftën politike. Mund të përdoret jo vetëm për keq, por edhe për mirë. Në rastin e parë ka karakterin e një force negative, në të dytin të një force pozitive. Në rastin e parë, që këtu intereson, bazohet në spekulimin mbi sentimentet inferiore të njeriut. Përfytyrohet si artileria e vijës së parë të frontit, që përgatit betejën duke e “përpunuar” terrenin pikërisht siç e përpunon artileria. Në shtetin modern institucioni që ka monopolin si të burimit të lajmeve, ashtu edhe të orientimit të ndikimit të tyre mbi publikun, janë mediet. Vetëkuptohet që këtë monopol informimi dhe ndikimi mund ta orientojnë simbas interesit të atyre që i kanë mediet në dorë. Në një shtet demokratik informimi do të duhet të jetë i drejtpërdrejtë, me synim përhapjen e së vërtetës. Në një shtet lloji tjetër informimi kamuflohet për ta larguar opinionin publik nga e vërteta. Ç’bën në të tilla rrethana fuqia e medieve? Abuzon me dëshirën e njeriut për spektakël, si dhe në rastin e debateve parlamentare. “Ashtu si rezultati i një ndeshjeje futbolli mund të jetë temë për ditë të tëra, po ashtu funksionon edhe loja retorike e skenës politike”: e thotë Dietz-i.
Gënjeshtra. – Thotë përsëri Dietz-i: “Bëhet shpesh pyetja se si vallë shpirti njerëzor është terren aq pjellor për gënjeshtrën. Parapëlqimi për trillimin dhe sajimin, për fantastiken dhe imagjinaren, është veti njerëzore që siguron suksesin e propagandës së rrejshme”. E vërteta, për autorë si ai, i takon përjetësisë, ndërsa gënjeshtra i takon momentit dhe politika është ajo që pikërisht momentin shfrytëzon. Përjetësia politikës as që i hyn në punë. Fuqia e gënjeshtrës, me eptueshmërinë e saj, ndikon drejtpërsëdrejti mbi ndjenjat njerëzore, i ledhaton, i gëdhel, prandaj edhe pranohet duke u barë madje e pëlqyeshme. Ka të bëjë edhe me prirjen e natyrshme të njeriut për të mos u munduar e lodhur që të ngjitet në majat e së vërtetës dhe për t’u kënaqur me gjithë sa i ofrohet “e gatshme”, padyshim.
– Shpifja. Nga teoricienët e agjitacionit dhe propagandës shpifja llogaritet si armë e pafuqisë, e pamundësisë kundër personave të cilët nuk mund të përballohen ndryshe. Frederiku i Madh e konstatonte atë sidomos në rastin e njerëzve të mëdhenj: “Ky është fati i njerëzve të mëdhenj: të tërheqin shigjetat e helmatisura të shpifjes dhe zilisë”. Që shpifja të bëhet edhe më e efektshme shpesh shtihet në përdorim e përzier, e shkartisur me copa të vërtetash të njohura, në mënyrë që të vijë më e besueshme. Ndonjëherë përdoret edhe e veshur me elemente karikaturizuese, në mënyrë që ta bëjë edhe qesharak një institucion, një individ a një ide.
– Diversioni. Rezulton një nga armët më të efektshme në politikë, e përdorshme edhe në luftëra. Synimi i kësaj arme është ta shpërqendrojë vëmendjen duke e larguar nga çështja jetike e rrezikuar dhe/ose e kërcënuar, si dhe njëherësh tërheqja e kundërshtarit në çështje të parëndësishme, në cic-mice. Si i tillë diversioni mund të shërbejë bukur mirë për valvul sigurimi. Ka vend këtu edhe parimi i njohur në politologji me lokucionin latin “Bukë dhe lojëra cirku”, por për të duhet shkruar veçan. Me teknika të tilla joshet sidomos rinia, i harxhohen asaj energjitë me ngjarje sportive, koncerte, “evente”, “party” etj. vetëm e vetëm që të mos merret me problemet jetike për të dhe për vendin e vet. Edhe shkrimet, debatet, madje edhe komentet në FaceBook mund të shërbejnë si mjete diversioni, sepse ndihmojnë në shkarkimin e mllefeve dhe në hollimin / stërhollimin e forcave që tjetërkund do të duheshin drejtuar.Ka qeveri inteligjente që u lejojnë medieve të tyre të bëjnë hera-herës edhe kritika, por me doza të matura, sa për ta shkrehur energjinë kundërshtare, por jo për ta nxitur. Ka madje qeveri që stimulojnë edhe bejtet kundër atyre që qeverisin. Njihet në histori rasti i Mazarinit, i cili i shtoi taksat sa po i merret frymën popullit. Kur i thanë që populli i kishte qitur bejte për ta qesëndisur, ai u dëfrye e tha: “Al contario, pagarono!”. I përdorur në këtë mënyrë, diversioni ngatërron planet e kundërshtarit. Clausewitz-i i Luftës e shtjellonte kështu: “Kushti kryesor i përdorimit të diversionit është që t’i hiqen sa më shumë forca luftarake kundërshtarit nga teatri i luftës”. Ndoshta e keni parë atë filmin me teknikën e samurajëve që shtiren si të pirë e si të trullosur për ta vënë në gjumë kundërshtarin: teknikë diversioni edhe ajo.
– Sugjesitioni. Funksionon sidomos nëpërmjet veshjes me terma të mëdha. Thotë Dietz-i “Pagëzimi i punëve të rëndomta me emra të mëdhenj bëhet për të sugjestionuar dhe për të mashtruar sa më mirë politikisht”. Do të më lejoni të mos përmend pagëzimet me “Rilindje”, me “Skënderbe”, me “Ismail Qemal”, me “100 vjet”, me “200 vjet” etj., sepse mund të më qortoni që kam harruar “Republikën e re”. Machiavelli e rekomandonte rëndom këtë teknikë: vënien e aspiratave të vendit në gojën e disa personaliteteve madhore historike, që do të thotë përdorimin e tyre.
Aftësia e njerëzve për të harruar. – Njerëzore është edhe kjo aftësi, padyshim. Shembujt e përdorimit ose shpërdorimit të saj në luftën politikë janë pa fund. Por sidomos në fushata elektorale kjo aftësi përdoret dhe shpërdoret sheshit: njerëzit duhet të harrojnë një realitet ekzistuese të deritanishëm dhe të besojnë realitete politike që nuk kanë ekzistuar, por me të cilat bombardohen duke përfituar nga ky defekt i mekanizmit të tyre mnemotik, që do të thotë i kujtesës së tyre. E gjithë propaganda elektorale bazohet në këtë sistem negativ force.
Përçarja e kundërshtarëve. – Sigurisht që ka në bazë parimin e lashtë romak “përça & sundo”. Populli e ka ditur që ç’ke me të këtë teknikë posa që ka thënë: kur zihen dy vetë, fiton një i tretë. Është forma parazitare e luftës elektorale, sepse është luftë e tërthortë, që përdoret nga pafuqia. Edhe ajo që quhet “politikë ekuilibri” pikërisht këtë teknikë ka në zanafillë. Dietz-i e përshkruan si një narkotik që të përgjum, por nuk të shëron, d.m.th. nuk prodhon gjë pozitive. Përmendet edhe në historinë e Ali Pashës sonë rasti kur, për të ndëshkuar dy palë që grindeshin, pashai ndëshkoi palën e tretë që rrinte asnjanëse, pra duke e konsideruar atë fajtore të vërtetë.
Përdorimi i të huajve. – Bie në sy sidomos në rrethanat kur një force politike i mungojnë potencialet e brendshme, organike. Për të përdorur atëherë potencialet e huaja lypset një nuhatje e veçantë prej spekulanti. Në kuptimin: të ndjesh drejtimin se nga fryn e era. Përdorimi i të huajve në garat politike bëhet duke shpërdoruar disa sentimente minore, por njerëzore, që gjenden pothuaj te të gjithë njerëzit.
Promovimi i elementëve të dobët te kundërshtari. – Një teknikë e tërthortë e luftës politike edhe kjo. Elementi i dobët i kundërshtarit, me t’u promovuar dhe me t’u ngritur në këmbë, nuk qëndron dot vetë. Ai do të mbështetet te promovuesi dhe, në këtë mënyrë, bëhet rob i forcës që e ka promovuar. Elementi i dobët i promovuar kështu do të zbatojë porositë ose urdhrat e promovuesit. Afërmendsh që kjo do të bëhet duke ruajtur etiketën politike, që do të thotë se mbrojtja e instrumentit kësisoj të promovuar do të bëhet me shumë kujdes për të mos komprometuar rekrutimin e instrumenteve në ngjashëm në të ardhmen. Shpesh përdorimi i të rekrutuarve kështu, nëpërmjet promovimit të tërthortë, nuk ndodh aty për aty: përdorimi i tyre llogaritet për më vonë ose për të ardhmen.
Shpërblimi dhe ndëshkimi. – Janë dy alternime të së njëjtës teknikë. Mund të jenë jo vetëm materiale, por edhe morale. Në shqip për to është përshtatur ekuacioni i politologjisë si “kulaçi & kërbaçi”. Në të vërtetë termi origjinal është “sheqeri”, sepse ekuacioni është përftuar nga imitimi i procesit të zbutjes së kafshëve të cikut: E bëre mirë lëvizjen e urdhëruar? Të jepet pak sheqer. E bëre keq? Të pret kërbaçi. Nëpërmjet alternimit të shpërblimit me ndëshkimin politika synon jo vetëm të zbrujë fuqinë e qëndresës së kundërshtarëve, por edhe t’ua nënshtroja ata interesave të vet.