Mentor Nazarko: Kolegji i Apelimit, ose bisturia në Kokën e Peshkut të Qelbur
Dje ndërsa fushata prodhonte lajmet, batutat dhe sondazhet e veta, në ndërtesën institucionale të shtetit shqiptar zuri fill një aksion i madh: konstituimi i Kolegjit të Apelimit të Vetingut, apo rivlerësimit kalimtar të figurave të drejtësisë. Hapi i parë i madh i jetësimit të vettingut si operacioni më i madh dhe më i gjatë i spastrimit të trupit, gjymtyrëve, dhe kokës së sistemit tonë të drejtësisë (gjyqtarët dhe prokurorët). Për këtë arsye, votimi i anëtarëve të Kolegjit u mbikëqyr nga dy ambasadorët që janë nunët, protektorët dhe zhvilluesit e reformës në drejtësi, Ambasadorja e BE-së, Vlahutin dhe ambasadori amerikan Donald Lu. Kjo pjesëmarrje ngjan se ishte për të theksuar pikërisht këto spaleta në supet e tyre diplomatikë, për t’i dhënë kuptim atyre në një kohë më të gjatë, kur të fillojnë e të vilen frytet e para.
Pikërisht për të asistuar në vjeljen e fryteve të parë, Vlahutin ka kërkuar zgjerim të mandatit. Me gjasë dhe ambasadori Lu mund të bëjë të njëjtën gjë. Përveç ambasadorëve për ta përshëndetur atë që ndodhi, foli dhe Buldozeri, autori i marrëveshjes McAllister plus, Rama-Basha, marrëveshje që të gjithë po e shohim se çfarë frytesh po jep. Brian Hoyt Yee, përshëndeti fillimin e funksionimit të Kolegjit, dhe shprehu shqetësim që korrupsioni po grryen shoqëritë e Ballkanit, si për të thënë se vettingu mbase fillon të shtrihet dhe në rajon, përtej Shqipërisë.
Përtej shqetësimit për hallet e rajonit, kjo që ndodhi dje, ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Së pari, dyshja BE-SHBA nuk e braktisi vettingun dhe reformën në drejtësi, pavarësisht ndërrimit të administratës amerikane dhe telasheve të BE-së, krejt ndryshe nga çfarë parashikohej nga pesimistët. Autoriteti dhe mandati i ambasadorëve Lu-Vlahutin që kanë rol kyç në ngjizjen e kësaj reforme mbetet i palëkundur dhe ata po funksionojnë në unison të plotë. Kori i sulmuesve vendorë ndaj ambasadorëve- më i fortë ndaj zonjës dhe më i heshtur ndaj Lusë, ka pushuar dhe si pasojë e marrëveshjes Rama-Basha. Madje ritheksohet diçka që as nuk mund të mendohej, menjëherë pas zgjedhjeve në SHBA : amerikanët e përshëndesin atë që ndodhi në nivel të Departament të Shtetit, si për të theksuar njëjtë si në zgjidhjen e krizës politike se amerikanët duan, mtojnë rol kyç në funksionimin e reformës në drejtësi, megjithëse Shqipëria është në oborrin e BE-së. Pra do duhej të kishte reagim nga kancelari shtetesh të caktuara europiane.
Së dyti, marrëveshja Rama-Basha funksionon plotësisht dhe kjo duket në përbërjen e Kolegjit, i cili ka brenda dhe njerëz që përshembull Berisha kurrë nuk do t’ i donte si Ina Rama, Sokol Çomo, etj.
Së treti, (duke hyrë tek çfarë parashikon ligji i vettingut), anëtarët e Kolegjit konfirmojnë indirekt se nuk kanë çfarë humbin nga pranimi i kësaj detyre në momentin kur autorizojnë kontrollin e pasurisë së tyre, komunikimeve të tyre elektronike, etj, etj, me një fjalë që të përgjohen rregullisht, apo sa herë që Njësia hetimore të dëshirojë. Dhe në të vërtetë një pjesë e emrave, duke veçuar ish Prokuroren e përgjithshme Ina Rama, të njohur për kurajën e saj profesionale, apo ish kryetari i Gjykatës së Tiranës, Sokol Çomo, janë të papërfolur brenda sistemit, të vlerësuar për integritetin e tyre dhe standartet e larta profesionale.
Së katërti, Kolegji i Apelimit praktikisht do të fillojë të shqyrtojë Kokën e Sistemit të drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, atë të Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, etj, pra ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme në disiplinimin, spastrimin e Kokës së Peshkut të Qelbur. Ndoshta kjo është arsyeja pse dhe ankimimi në Gjykatën Kushtetuese u bë pikërisht tani. Ky ankimim kundër vettingut do të vendosë anëtarët e asaj Gjykate përpara mendimeve të thella: a do autorizojnë ata funksionimin e një institucioni që do të merret më së pari, pikërisht me ta?/Konica.al/