Zgjedhjet: 82% janë emëruar, garë vetëm për 18%
Afrim Krasniqi
Zgjedhjet kanë dallim thelbësor me votimet. Në votime shkohet për të kryer një procedurë, në zgjedhje shkohet për të përzgjedhur midis alternativave të ndryshme politike, programe apo kandidatë, parti apo koalicione politike. Shqipëria ka aplikuar sistem 100% mazhoritar më 1991, sistem miks mazhoritar me proporcional gjatë 1992-2005, sistem proporcional rajonal prej 2009 dhe tani, ka një konsensus të gjerë se sistemi aktual duhet të ndryshojë. U bë për të larguar “të fortët” dhe “biznesmenët politikë” nga parlamenti por në vend të tyre largoi politikanët e karrierës, kritiket liberale e me integritet, duke u dhënë mandate të sigurta kandidatëve “të fortë” dhe “biznesmenë politikë”. Nuk është sistemi në vetvete negativ, është mënyra sesa partitë e përdorën, e keqpërdorën dhe e kanë kthyer tashmë në një kërcënim për demokracinë dhe përfaqësimin.
Ja një detaj domethënës: Shqipëria, vendi më i varfër në listën e vendeve kandidate për në BE në kohën më të mirë harxhon nga buxheti i shtetit rreth 7 milion euro përmes KQZ, rreth 3 milion euro përmes strukturës ekzekutive, rreth 10 milion euro përmes donacioneve, partive politike dhe strukturave elektorale, në total rreth 20 milion euro. Për çfarë? Për shkak të sistemi elektoral dhe natyrës jodemokratike të partive, tashmë nga 140 deputetë të parlamentit janë “zgjedhur” 115. Për 115 nuk ka asnjë surprizë, ata janë deputetë, sepse janë emëruar që ditën kur u shpallën listat shumë-emërore të kandidatëve. Për pasojë, zgjedhjet nuk bëhen për ata, zgjedhjet bëhen për pjesën e mbetur, rreth 25 deputetë. Në shifra financiare për 25 deputetët në garë ne harxhojmë minimumi 20 milion euro, ose 800 mijë euro/për deputet!
Paradoksi nuk ndalet me kaq, por ne shohim çdo ditë deputetë të emëruar që bëjnë sikur janë kandidatë, bëjnë sikur janë në garë dhe bëjnë sikur po zgjidhen në mazhoritar, sikur premtojnë në zona dhe sikur cilësitë e tyre janë përcaktuese për fituesit. Për më tepër, ne shohim deputetë tashmë të emëruar që bëjnë sikur kanë programe, sikur bëjnë kontratë sociale me zgjedhësit, sikur janë aty për shkak të cilësive personale dhe jo besimit personal të liderit, dhe sikur janë shërbëtorët e rinj të qytetarëve, kur në thelb, edhe për shkak të sistemit, ata do të jenë sunduesit e rinj të tyre. Në parlamentin e ri do të kemi 140 emra, por me siguri shumë pak politikanë, shumë më pak deputetë “të zgjedhur” nga qytetarët, dhe shumë më pak shanse që Kuvendi që jetë ashtu siç ua mësojmë fëmijëve në shkolla, “tempull i demokracisë”. Sepse baza, legjitimiteti, besimi dhe integriteti i çdo institucioni varet fillimisht nga burimi i tij, niveli i përfaqësimit të tij, vlerat morale të ngritjes së tij, dhe nga aftësia për të kuptuar përse janë aty, – si produkt i një procesi zgjedhor konkurrues apo i një procesi votimi formal.
Zgjedhjet janë thelbi i demokracisë, janë vlera më e rëndësishme e saj, janë pasuria më e madhe në liri, janë baza për një shoqëri të hapur e konkurruese, janë dita e pushtetit qytetar, janë ushtrim sovraniteti dhe momenti kur secili prej nesh ka fuqinë të bëj ndryshimin. Në Shqipëri, duhej të ishin të tillë, sepse nuk janë.
Rikthimi i këtyre vlerave do të duhej të ishte një temë e mirë për tu debatuar, duhej të ishte një krye-temë elektorale, krye-temë në marrëveshjen e 17 majit dhe një test për të gjithë ata që mendojnë se kanë diçka për të thënë. Kjo reformë do duhej të ishte temë e mirë për Republikën e Re apo Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër, për kohën utopikë kur të gjithë të kishin në një shans të njëjtë dhe kur qytetarët të kishin më shumë vlerë sesa numrat! Një pritshmëri që siç shihet, me 25 qershor është e sigurt se nuk do ta kemi.