Albspirit

Media/News/Publishing

Desada Metaj: Llogaritë e Ramës dhe zemërimi i Metës

As ndryshimi deri diku i qëndrimit të Lulzim Bashës se nuk do të bashkëqeverisë me Edi Ramën nuk e ka qetësuar konfliktin tashmë të hapur dhe gati të dhunshëm mes militantëve të PS dhe LSI. Dy partitë që me fjalën aleancë duket se nuk takohen as në ëndrrat më të largëta, tashmë ndodhen në fushëbetejën finale, atë të përballjes së 25 qershorit më të armiqësuar se kurrë dhe të gatshëm për një hakmarrje finale.

Edi Rama ishte i pari ai që ngriti siparin e fushatës me akuza ndaj aleatit të tij kryesor në këto 4 vite duke fajësuar LSI për çdo gjë që nuk kishte vajtur mirë. Të kënaqur nga këto deklarata duket se ishin jo vetëm një pjesë e mirë e socialistëve që kishin ndarë pushtetin me LSI, por dhe opozita. Që me këtë rast duket se zbuloi se kundërshtari i saj në këtë fushatë nuk ishte kryeministri por bashkëqeverisësi i tij në ekzektiv. Duke i gjetur marrëveshjes së 17 majit dhe “armikun” e keqqeverisjes në Shqipëri.

Lojë apo marrëveshje, batuta apo të vërteta, kryeministri në detyrë ndihet  i sigurt në 71 mandatet që do ti sigurojnë qeverisjen i vetëm. Përndryshe, Edi Rama nuk do guxonte të acarohej kaq shumë as për shoë me ish aleatin Meta, pa votat e të cilit nuk do të qeveriste këto 4 vjet. Këtë siguri të paarsyeshme për ata që e shohin realitetin me këmbë në tokë, kryeministri në detyrë e reflekton qartas në fjalorin e varfër politik të takimeve elektorale, sjelljes prej “garipi” që i ka kaluar vakti apo batutave që nuk bëjnë për të qeshur as më servilët e stafit të tij. Nga ana tjetër për  Ilir Metën “qetësia” dhe “dashuria” kanë mbetur si relike në muze, ndërsa bateritë e rënda janë drejtuar tek qeverijsa, kriminalizimi i policisë dhe kanabisi.

Po të mendosh që këto ishin pak a shumë dhe tezat me të cilat Lulzim Basha mbajti për 3 muaj në shesh Cadrën e Lirisë, duket e çuditshme që sot PD dhe LSI nuk janë në mos në të njëjtin front, të paktën në të njëjtën gjatësi vale për mesazhet e fushatës. Kjo situatë duket t’i ketë lënë hapësirën e nevojshme Edi Ramës që të shfaqet të paktën deri para dy ditësh si njeriu që po kërkon të jetë simpatik edhe për demokratët.

Por, Edi Rama e di se një shkelje syri apo dy gishtat lart mjaftojnë vetëm për ndonjë mendjelehtë që mund t’i ketë pëlqyer flirtimi me Rilindjen. Konflikti me Ilir Metën ia ka ulur besueshmërinë Edi Ramës, i cili e ka të pamundur të gënjejë shqiptarët si Ponc Pilati hebrejtë. Edi Rama nuk mund ta kryqëzojë Ilir Metën për keqqeverisjen e tij dhe pastaj të lajë duart sikur në krye të qeverisë këto 4 vjet ka qenë Ilir Meta. Enigmat e kësaj fushate mund të jenë shumë, por një gjë duket e sigurtë: Edi Ramës ndoshta nuk do t’i dalin llogaritë për kryeministër!

Please follow and like us: