Ministri i Brendshëm kërkon shkarkimin e shefave të policisë në zonat me incidente elektorale
Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj, kërkoi sot shkarkimin e 3 shefave të komisariateve të policisë në rajonet, ku kanë ndodhur incidente gjatë fushatës zgjedhore. Demiraj tha se po bashkëpunon ngushtë me prokurorinë për të zbardhur krimet elektorale, dhe se policia ka marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor sa më të rregullt.
“Incidentet e ditëve të fundit në dëm të veprimtarëve politikë të LSI-së gjatë fushatës zgjedhore po hetohen me intensitet nga policia, që të zbardhen sa më parë, për të kthyer sa më shpejt qetësinë në fushatën zgjedhore.” – deklaroi për “Zërin e Amerikës” ministri i brendshëm, Dritan Demiraj, i cili theksoi angazhimin e forcave të rendit për të përmbushur detyrat kushtetuese dhe ruajtjen qetësisë për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.
LSI ka kërkuar largimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit dhe të disa drejtuesve vendorë të policisë në qarqe. Nga ana e tij, ministri Demiraj tha se edhe ai ka kërkuar shkarkimin e disa drejtuesve të policisë në qarqet, ku kanë ndodhur incidentet.
Demiraj deklaroi se bashkëpunimi i policisë me prokurorinë në zbardhjen e incidenteve ka qenë shumë i mirë, dhe të dy institucionet i kanë ftuar qytetarët të denoncojnë cdo përpjekje për manipulim të zgjedhjeve. Ministri i brendshëm i Shqipërisë tha se marrëveshja e fundit Rama-Basha ka ndikuar pozitivisht për një fushatë sa më të qetë dhe nga ana e tyre forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor normal.