Albspirit

Media/News/Publishing

Nasip Naço i publikon mesazhin ministres Felaj: Kërcënon votuesit në Kuçovë

Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka publikur një mesazh ku sipas tij Ministrja Felaj ka kërcënuar votuesit në Kuçovë. “Një veprim i tillë nuk përbën asnjë shkelje të ligjit, por përkundrazi guximi i tepruar i një Ministre Shteti në detyrë sikurse z. Ermonela Felaj që kërcënon votuesit, përveçse nuk ka asnjë moral, përbën edhe vepër penale”, shprehet Naço.

DEKLARATA E PLOTË:

Ushtrimin e vullnetit të lirë të qytetarëve për ta mbështetur LSI në formën që ata e cilësojnë më oportune, nuk mund ta frenojë askush. Edhe në rastin kur bëhet fjalë për plotësimin e një formulari që përfshin deklarimin pa asnjë detyrim të numrit të kartës së identitetit. Një veprim i tillë nuk përbën asnjë shkelje të ligjit, por përkundrazi guximi i tepruar i një Ministre Shteti në detyrë sikurse z. Ermonela Felaj që kërcënon votuesit, përveçse nuk ka asnjë moral, përbën edhe vepër penale. Znj. Ministreshë, formën po ta falim, (e kam fjalën për mungesën e njohurive të theksuara në drejtshkrim) por përmbajtjen është e patolerueshme të ta pranojmë. Për të gjithë të interesuarit, përmes kësaj fotoje (ku evidentohet numri i telefonit të Ministres Felaj) po mundësojmë përcjelljen e shqetësimit qytetar, si dhe pasojës ligjore që mbart ky komunikim sipas legjislacionit në fuqi.

Në Kodin Penal citoj parashikimin se:

“Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet”. E nderuara Ministreshë, të ftojmë të reflektosh lidhur me komunikimin aspak njerëzor që shfaq hapur, nga i cili nuk ke kursyer as bashkëpunëtorët e tu më të afërt…

Please follow and like us: