Albspirit

Media/News/Publishing

Dr.Ajet Xhafa: Dhjetë përgjigje për prostatën! (FOTO)

Prostata është një organ që gjendet te meshkujt që nga fëmijëria në dalje të fshikëzës së urinës, dhe rrethon të gjithë kanalin e urinës me një madhësi mesatare sa një arrë (rreth 18 gr). Funksioni kryesor është prodhimi i një pjese të madhe të lëngut që mbartë spermën.

Cilat janë sëmundjet kryesore të prostatës?
Sëmundjet e prostatës përgjithësisht mund të ndahen në tre grupe:
▪ Infeksionet e prostatës (prostatit)
▪ Zmadhimi (hiperplazi) beninj i prostatës (HBP)
▪ Kanceri i prostatës

Infeksionet e prostatës ashtu siç mund të duken në çdo moshë zakonisht quhen si sëmundjet e të rinjve. Zmadhimi beninj i prostatës dhe kanceri i prostatës janë sëmundje që duken pas moshës 45-50 vjeç.

Çfarë është prostatiti?
Quhet në latinisht infeksioni i prostatës. Mund të duket në çdo moshë. Simptomat janë djegie, dhembje në fund të barkut ose poshtë testiseve, rrjedhje prej penisit ose ndjesi të kruajtjes brenda në penis. Terapia zakonisht kryhet me antibiotikë dhe pacientit i kalojnë simptomat.

Çfarë është zmadhimi beninj i prostatës?
Me rritjen e moshës prostata fillon të zmadhohet si organ për shkak të disa shkaqeve të ndryshme, dhe mund të shkaktojë presion mbi fshikëz ose kanalin urinar duke krijuar ngushtimin e këtij kanali që quhet uretra. Kjo gjendje quhet zmadhim (hiperplazi) beninj i prostatës.

Çfarë është kanceri i prostatës?

Kanceri i prostatës është kanceri i dytë që shfaqet më shpesh te burrat. Zakonisht nuk është agresiv dhe nuk jep ndonjë simptomë që mund të vihet re nga pacienti. Kur shoqërohet me zmadhim të prostatës mund të japë shqetësime, si urinim i shpeshtë dhe me vështirësi, kurse në fazat e avancuara mund të shkaktojë gjakderdhje në spermë ose dhembje në kocka.

Si zbulohet prania e kancerit të prostatës?
Kontrolli i pacientëve te mjeku urolog, që kanë kancer prostate në familje pas moshës 45 vjeç dhe te pacientët e tjerë në moshën 48-50 vjeç, është i domosdoshëm. Në fillim bëhet ekzaminimi rektal i prostatës dhe pastaj shihet testi i PSA (prostatë specifik antigjen) në gjak. Në rast se në ekzaminimin fizik vihet re fortësi në pjesën e prapme të prostatës mund të dyshohet për kancer të prostatës.

Çfarë është PSA dhe si vlerësohet?

PSA është një substancë që prodhohet nga qelizat e prostatës. Në rast se është mbi një nivel të caktuar në gjak mund të dyshohet për kancer të prostatës. Edhe në raste kur PSA është normale, pacienti ka mundësi që të ketë kancer të prostatës. PSA mund të rritet edhe kur ka prostatit (infeksion të prostatës). Si dhe një grup ilaçesh që përdoren për zmadhimin e prostatës mund të ulin PSA- në, ndaj ju duhet të tregoni mjekut tuaj për ilaçet që po përdorni.

Cilat janë metodat kirurgjikale për zmadhimin e prostatës?
Pas marrjes për një kohë të ilaçeve për zmadhimin e prostatës këta pacientë kanë nevojë për ndërhyrje në hapjen e kanalit të urinës. Këto ndërhyrje mund të bëhen me kirurgji të hapur ose sipas metodave më të reja me operacion të mbyllur (TUR-Prostate).
Kirurgjia e mbyllur ose TUR-prostatës bëhet nëpërmjet një instrumenti fiberoptik, i cili futet nëpërmjet kanalit të urinës dhe heq prostatën nga brenda duke hapur kanalin e urinës. Kohëzgjatja e këtij operacioni është rreth 1 orë dhe rreth 2-3 ditë shtrim në spital.
Operacioni i hapur i prostatës realizohet për prostata që janë më të mëdha se 90 gr dhe zgjat rreth 1,5 orë. Pas operacionit pacienti qëndron rreth 4-5 ditë në spital.

Këto ndërhyrje kirurgjikale, prej vitesh realizohen në mënyrë perfekte në Spitalin Amerikan. Në operacionin e mbyllur të prostatës rreziqet që mbarten gjatë dhe pas operacionit janë minimale; kurse operacioni i hapur ka një përqindje më të lartë risku.

A ka probleme seksuale pacienti pas këtyre operacioneve?
Ajo që ndodh në këtë grupmoshë është që këta pacientë mund të kenë sëmundje të tjera që ndikojnë fuqinë seksuale si: diabeti, tensioni i lartë, sëmundje të zemrës etj. Pas kirurgjive të mbyllura zakonisht nuk ka ndryshim ose mund të ketë ulje minimale të forcës seksuale, kurse te operacionet e hapura më pak se 15%.

A mund të parandalohen sëmundjet e prostatës?
Zakonisht një pjesë e madhe e këtyre pacientëve kanë prejardhje genetike, por pacientët duhet të përqendrohen në ushqimet natyrore me fruta dhe perime të freskëta. Ushqimet e stilit perëndimor si fast-food pretendohet që rrisin rrezikun e kancerit të prostatës. Megjithëse ka disa medikamente bimore në treg që prodhohen prej rrënjëve të pemëve etj, akoma asnjëri prej tyre nuk është provuar shkencërisht.

Please follow and like us: