Albspirit

Media/News/Publishing

Eqrem Çabej: KUNDËR PSEUDOFILOLOGËVE

 

Nga shtyllat e Shekullit të Ri të verës, si dhe nga ato të Gazetës së Re duket çiltas se një epidemi grafomanie paska kapur shumë “Krena të naltë! Kush në jetën e tij ka pasur raste të mësojnë anglishten nëpër fabrikat e Amerikës, gjermanishten në tabarin-et e Vjenës, frëngjishten në Mont Martre, e italishten në kafetë e Barit, sot, i fryrë si gjel deti, na del përpara, i stolisur me rrobën transparente të pseudonimit, e… – o temporal, o mores! – me gjest dramatik na flet mbi filologji!

Avanti pra! Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus!

Pra, sikundër në fletoret e Perëndimit ndodhet feullleton-i, tek ne nuk do të mungojë, si frut pas buket, një artikull “filologjik”, i cili ka misionin, siç duket, të zëvendësojë një zakon shqiptar që është duke u shuar: luftën e gjelave.

Nën maskën e shkabës, këta gjela luftojnë trimërisht me njëri-tjetrin, duke u gjakësuar, por dhe me maskë që jeni, e dimë se jeni gjela, o gjela!

Tash, duke lënë të qeshurit, duhet të konstatojmë me hidhërim se është një turp kulturor për ne, që Atdheu ynë është ay vend i Europës, në të cilin në shekullin XX, njerëz që mundet të jenë të zotë për nëpunësira ndofta dhe të nalta, por që s’dinë as pikë prej filologjisë, njerëz që në jetën e tyre s;kanë dyshuar një Konferencë filologjike, njerëz që s’kanë as më të voglën ide mbi mënyrën si punohet sot në lëmin e gjuhës, që të tillë njerëz dalin e mbushin shtyllat e fletoreve me artikuj jo vetëm fare të kotë, por edhe të dëmshëm e duke u sharë me shoshoqin, dhe si!

Kush i përflet tjetrit se tash doli nga veja, dhe se kur ay ishte nër “shpërgajt” e djepit, ky punonte për Shqipëri! Bukur! Patriota! Por kush ju tha të futeni ndër labirintet e gjuhës? E me ç’të drejtë e quan tjetrin “ignorant”, vetëm pse është kundërshtar i “ideve filologjike” të tua?

A është kjo filologji?

A imponohet njeriu me sharje?

Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për fryrjen e të cilave janë të çelura kaq gjykatore!

Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me ekzaktitudë matematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (severe) e më ekzakte që mund të jenë në botë.

Se të mos ishte kështu, nuk rrinte Gustav Majer të merrej tridhjetë vjet me radhë me albanologji, d.m.th me  studimin e asaj gjuhe të shkretë, të cilët “filologët” tonë të sodit, të dalë shpejt si kërpudhat pas një shiu, janë duke u përçmuar në një mënyrë të tillë!

Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë vite me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush!

Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin e me duart tuaja, zotërinj diletantë!

Gjuha është një element i naltë kulture, nuk është një objekt mode!

Nuk mundet të “riformohet” aq shpejtas siç mundet secili të vishet a la Perrot për Karnaval!

Kush ju ka shtyrë të shkruani mbi gjuhë?

Kur keni maninë e shkrimit, pse nuk shkruani ç’të doni mbi numismatikë, grafologji, mathematikë, theologji, përmbi fizikë, anatomi, analitikë e histori?

E ta lini rehat këtë gjuhë të shkretë, e ta punojnë të tjerë të cilët të merren me të vërtetë me studimin e saj?

Kush do të shkruajë mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëve indoevropiane përgjithësisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarët e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëve është aq i math, sa studimi i tyre lyp vjet me radhë punë të pareshtur.

Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi, është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!

 

Graz, 8-11-1929

Please follow and like us: