Kalaja dhe Kisha në Labovën e Kryqit, një enigmë historike që thërret për vizitë turistët e huaj
ATSH-N. Lena/ – Në Labovën e Kryqit nuk gjendet vetëm Kisha e famshme e saj me themelet dhe vetë kryqin e drunjtë, që zënë fill që nga koha e templarëve që shkuan në Jeruzalem të shpëtonin thesarin e shenjtë, por në këtë fshat gjenden rrënojat e një kalaje të lashtë. Kalaja e Labovës së Kryqit, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 1963, ndodhet pranë fshatit. Fortifikimi është ndërtuar në një masë shkëmbore të shkëputur prej malit Bureto në perëndim të Labovës. Ky vendbanim identifikohet nga studiuesit edhe me emrin Paleokastër, pasi kodra mban këtë emër. Gjatësia mesatare e konservuar e mureve është rreth 160 m. Në anën jugore ndodhet një kullë në formë trapezoidale, ndërsa në anën perëndimore një hyrje e përforcuar me kullë gjysmë rrethore. Brenda perimetrit të murit dallohen ndërtime shtëpish. Informacionet për kohën e ndërtimit janë sporadike, por mendohet që faza e parë e ndërtimit i përket shek. V para Krishtit. Zë një sipërfaqe 78 ha. Ndërsa kisha e Shën Mërisë është destinacioni i vërtetë i turizmit kulturor dhe historik drejt këtij fshati të largët jugor. Kisha e Labovës është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë, një kryq druri të larë në ar, që besohej se ishte pjesë e drurit të kryqit të kryqëzimit të Krishtit.
Atë e sollën në këtë fshat templarët që ktheheshin nga beteja e shpëtimit të varrit dhe relikeve të mbetura nga Jezusi. Dihen rrugët që ndoqën shpëtimtarët duke u nisur nga veriu i Evropës drejt Jeruzalemit. Njëra prej rrugëve tokësore kalonte përmes Shqipërisë dhe dilte në portet e Greqisë së Jugut, e pastaj vozisnin drejt Jeruzalemit. Po kjo ishte dhe rruga e kthimit. Këtu zë fill edhe legjenda e Kryqit të famshëm.
Njihet gjithashtu si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në të gjithë botën.
Rruga e sotme drejt jugut dhe kufirit me Greqinë është mbishtresëzim i rrugës së vjetër romake. Një rrugë që kalon pranë Gjirokastrës dhe Labovës.
Sot për të shkuar atje, pasi kalon Gjirokastrën, kthehesh majtas për në Libohovë, Suhë dhe vazhdohet për në Libohovë.
Ushtari që e mbarti deri këtu nuk dihej nëse ishte vendali apo i ardhur nga veriu i Europës dhe po kthehej në vendlindje. Vdiq në Labovë apo ja grabitën drurin e shëmjtë edhe kjo nuk dihet, por dihet që kryqi u grabit në vitet ’90 dhe nuk është gjetur akoma.
Turistë të shumtë nga bota udhëtojnë drejt këtij fshati që të shuajnë kureshtjen dhe të besojnë të vërtetën.
Kryqi i shenjtë ka bërë kurioz edhe botën akademike.
Historianë e gjuhëtarë, arkeologë e hulumtues relikesh të vjetra vërtiten rreth kësaj kishe në kërkim të së vërtetës. Një rrugë e mirë, e asfaltuar kohët e fundit ka shtuar më tepër vizitorët vendas e të huaj drejt këtij fshati. Pa tjetër që kështjella dhe Kisha e Labovës duhet të kenë një lidhje mës tyre. Ku ka pas kështjellë ka pasur dhe një kishë. Kjo është stina kur turistët e shumtë udhëtojnë drejt Labovës. I gjithë udhëtimi merr rreth 40 minuta nga Gjirokastra.