Albspirit

Media/News/Publishing

Sulmet kibernetike shënjestruan 21 shtete në SHBA

Një zyrtare amerikane ka thënë se hakerët e lidhur me Qeverinë ruse kanë goditur sistemet zgjedhore në të paktën 21 shtete të SHBA-së, gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale më 2016.

Jeanette Manfra, zyrtare e lartë për kibernetikë në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ka dëshmuar të mërkurën para Komitetit të Senatit për Inteligjencë.

Diskutimi në këtë komitet është fokusuar në konstatimet e intelegjencës amerikane, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA përmes sulmeve kibernetike dhe manipulimit të opinionit publik gjatë fushatës.

Manfra ka thënë se numri i votave nuk është manipuluar.

Ajo ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e përfaqësuesit demokrat, Mark Warner, se në sa vende janë vjedhur informacionet e votuesve nga këto sulme.

Lidhjet e dyshuara me Rusinë e kanë përcjellë administratën Trump prej fillimit të mandatit.

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit, Michael Flynn, ka dhënë dorëheqje nga detyra vetëm një muaj pas emërimit, për shkak të kontakteve me zyrtarët rusë.

Pos Komitetit të Senatit për Inteligjencë, lidhjet e dyshuara të bashkëpunëtorëve të Trumpit me Rusinë po i heton edhe FBI-ja.

Please follow and like us: