Ilir KALEMAJ: Kambanat që bien nga Uashingtoni
Buldozeri vjen sërish. Kur diplomati i ri në moshë, por i sprovuar në radhët e Departamentit të Shtetit, ku është një nga zyrtarët e mirëfilltë të karrierës, kreu turin e fundit ballkanik, një aradhë nyjash gordiane që kishin mbajtur peng Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin morën një deux ex machina, që vetëm dikush i dërguar nga Uashingtoni mund ta jepte. Hoyt Lee, zëvendës asistent Sekretari i Shtetit, që së shpejti merr detyrën e ambasadorit në Athinë është një diplomat mjaft efikas, që e njeh jashtëzakonisht mirë Ballkanin e trazuar, kupton nuancat dhe u jep drejtim punëve me deklarata lakonike përpara medias, por me shumë punë dhe energji pas skene. Dëshmia e tij në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në 17 maj, e fokusuar mbi arritjet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor, mori veç vëmendje ditore nga një pjesë e medias, por të kapur nën ethet e fushatës elektorale, disa prej mesazheve të rëndësishme që bien si kambana alarmi, u kaluan përciptas dhe pa shumë thellësi analitike. Ai ndër të tjera vë theksin te rritja e probleme ndëretnike në këtë rajon, ku vlen të veçohet dhuna në Maqedoni, pika e ngrirjes në negociatat Prishtinë-Beograd dhe Bosnja, e cila me shpejtësi po shkon drejt përkufizimit të një “shteti të dështuar”. Senatori McCain, një veteran i politikës së jashtme dhe sigurisë, i cili së fundmi kreu edhe një tur rajonal, në përgjigje të këtyre sfidave u shpreh se, “ne e injorojmë këtë rajon shpesh duke rrezikuar lëkurën tonë”.
Ekstremizmi i dhunshëm i lidhur me përhapjen e ideologjisë xhihadiste, thirrjet për sulme mbi popullsinë civile dhe rekrutimet që kanë kryer, si dhe të rikthyerit, ishte një tjetër pikë e nxehtë paralajmëruese dhe kambanat bien për veshë që t’i dëgjojnë. Tirana është përfolur prej kohësh si një qendër e mundshme rajonale për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe fundamentalizmin radikal dhe kjo mund t’i shërbente vendit për të ngritur profilin e tij publik në skakierën ndërkombëtare, njëkohshëm duke u kthyer në një urë lidhëse të aleatëve perëndimorë dhe rajonalë për të përballuar një nga sfidat më të rrezikshme të shekullit të 21, ku natyrisht nuk kemi se si të jemi imunë.
Sfida e tretë lidhet me penetrimin rus, i cili shkon nga thirrjet e hapura për separatizëm të Republika Serbcka në Bosnje-Hercegovinë nën udhëheqjen e të përhershmit Milorad Dodik deri te grushti i shtetit, i dështuar në Podgoricën fqinje në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare, që detyruan liderin historik të vendit, Gjukanovic të dorëhiqej. Ratifikimi nga Senati amerikan i çeli dhe rrugën përfundimtare anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në NATO dhe me gjithë kërcënimet e Rusisë, e cila së fundmi duket se ka mandatuar Nikolai Patushev, një nga njerëzit më afër presidentit Putin, deri tani kryetari i Këshillit të Sigurimit rus, si Car-in e ri që do mbikëqyrë dhe do ndërhyjë për përhapjen e influencës ruse, siç raportonte së fundmi “Politico Europe”. Nëse SHBA do të tërhiqeshin apo nuk do të luanin një rol agresiv në Ballkanin Perëndimor, vakumi do të ishte me pasoja shkatërruese për këto vende ende të dobëta, të pasigurta, me korrupsion endemik dhe simptoma të kapjes së shtetit. Shqipëria që ende nuk i ka hapur negociatat për anëtarësim, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi sapo hapën nga dy për kokë para disa ditësh dhe kanë hapur mbi 20 kapituj secila janë ku e ku më mirë, e ka thuajse imperative ndihmën, këshillimin dhe mbështetjen logjistike amerikane. Pavarësisht se cili kombinim forcash politike do të prodhojë qeveri pas zgjedhjeve, sytë duhen drejtuar nga Uashingtoni.