Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Përjashtoj çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me LSI

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Zërin e Amerikës, përjashtoi çdo mundësi për koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“LSI-në e përjashtoj si mundësi, sepse LSI e humbi mundësinë, ndërkohë që përsa i përket të tjerëve kjo është diçka që duhet lexuar mbi votën e 25 qershorit. Koalicionet e detyruara nga mungesa e numrave janë çështje më të vështira dhe kanë kosto për njerëzit”, tha Rama.

Rama u shpreh se “beson se qeverisja në këto 4 vjet ka qenë një histori e suksesshme”. “Jo sepse ne kemi bërë mjaft, pasi në asnjë fushë nuk është bërë mjaft dhe duhet akoma shumë punë, por ne jemi e vetmja forcë që ka një vizion të qartë, një histori të qartë, një skuadër me eksperiencë dhe të vendosur për të bërë shtet”, tha ai, ndërsa u shpreh se prishjen e koalicionit me LSI-në nuk e sheh si fundin e botës, por si një çlirim. “Aleatët tanë kishin një qasje komplet tjetër taktike dhe dritëshkurtër, atëherë nuk kemi asnjë rrugë tjetër veç të ndjekim rrugën tonë”, tha Rama.

I pyetur nëse është penduar për zgjedhjen e Ilir Metës në postin e Presidentit, Kryeministri Rama u shpreh se “pendesa është një moment shumë fisnik për njeriun, por në rastin konkret unë mendoj se ne kemi bërë gjënë e duhur”. “Fakti që ne nuk kemi parashikuar daljen nga shinat e arsyes të Ilir Metës nuk na bënë fajtor. Ne zgjodhëm një President që është një figurë që përfaqësonte, sipas meje, edhe PD-në më së miri pa qenë anëtar i saj. Nuk dua të hyj në debat me të dhe të zbres në këtë nivel polemike. Çfarë borxhi i ka populli shqiptar dhe ky vend, socialistët shqiptarë Ilir Metës, që është i vetmi në historinë e këtij vendi që ka marrë gjithçka me votën e PS-së. Ishte kryeministër, Kryetar Kuvendit, President…  Se si njeriu mund të jetë kaq i nderuar dhe i respektuar dhe të jetë në vështirësi për të fjetur gjumë i qetë, është mister për mua”, tha Rama.

Lidhur me një bashkëpunim të mundshëm PS-PD, Rama tha se “kur gjërat thuhen në një proces dinamik, jo gjithçka mund të kuptohet ose nënkuptohet”. “Përpjekja ime ka qenë që ta fusim opozitën në zgjedhje dhe vazhdimisht më ka munduar pyetja çfarë mundësie ka kjo krizë; se ka dy mënyra se si ta trajtosh krizën, që ajo të të marrë me vete e të përfundosh keq e më keq, ose ta shfrytëzosh krizën për të dalë më lart ose më mirë. Asnjëherë nuk kam qenë entuziast për paketën Mc Alister, por e kam parë si bazë për të shkuar më tutje dhe për të ndërtuar një urë me PD-në. Kjo është një gjë shumë pozitive për Shqipërinë dhe uroj që çka është shkruar në atë marrëveshje të zbatohet, sepse kjo do të thotë se Shqipëria ka hyrë në një epokë tjetër”, shtoi Rama.

Ai po ashtu premtoi se nëse votohet në 25 qershor, programi i tij ekonomik parashikon të rrisë ekonominë me mbi 5 për qind, të ulë papunësinë me programin 1 miliard për rindërtim që do të jetë një gjenerator punësimi dhe rritje ekonomike, ndërsa me projeksionet e turizmit do të kemi rritje të vazhdueshme vetëm nga ky sektor do të rrisim rrogat me 40 për qind”.

Please follow and like us: