Si u raportua vizita e Ibrahim Rugovës dhe Ali Aliut në Shqipërinë komuniste
Në librin e ri “Shkrimtarët e artistët nën diktatin komunist dhe intrigat e njëri-tjetrit” të Dashnor Kaloçit zbulohet informacioni denoncues i qershorit të vitit 1974, ku dy profesorët e njohur, Hamid Boriçi e Jorgo Bulo, i raportojnë Komitetit Qendror lidhur me vizitën në Tiranë të dy kolegëve nga Kosova
Raporti: “Si Ali Aliu, ashtu edhe Ibrahim Rrugova janë përfaqësues të inteligjencës së re borgjeze, që po rritet dhe ushqehet nga Titua në Kosovë. Ali Aliu, bashkëpunëtor i ngushtë i Rexhep Qoses, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës bën pjesë në grupin e këtij të fundit me Ramiz Kelmendin e të tjerë. Ai përkrah dhe kultivon pikëpamjet e shtrembra të Rexhep Qoses për letërsinë tonë”.
Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit, është një raport-informacion për Komitetin Qendror të PPSH-së, i hartuar nga profesorët e studiuesit e njohur, akademikët, Hamid Boriçi e Jorgo Bulo, lidhur me një vizitë disa ditore që kishin bërë në Shqipëri në qershorin e vitit 1974, dy kolegët e tyre nga Kosova, Prof. Dr. Ibrahim Rugova (asokohe punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës) dhe Prof. Dr. Ali Aliu, (pedagog i katedrës së letërsisë në fakultetin filozofik të Universitetit të Prishtinës), të cilët kishin ardhur në Tiranë me ftesë të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë.
Vizita në fjalë e dy intelektualëve të njohur nga Kosova, ishte në vazhdën e një sërë vizitash dhe takimesh të ndërsjella, që kishin filluar në fillimin e viteve ’70-të ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve arsimore, kulturore, artistike dhe sportive të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Dhe e gjitha kjo që i përngjante një “muaj mjalti”, mes Tiranës zyrtare dhe regjimit titist të Beogradit, (prej nga kalonin dhe miratoheshin të gjitha marrëveshjet dypalëshe me Shqipërinë në Ministrinë e Jashtme në Beograd), vinte pas një politike afrimi në heshtje dhe pa bujë që bëri Enveri me Titon, menjëherë pas agresionit ushtarak të Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë. Ku për rrjedhojë të disa politikave konjukturale rajonale, Tirana dhe Beogradi në mes tyre e shpallën Bashkimin Sovjetik, si një armik të përbashkët të tyre, ndaj të cilit do dinin të mbroheshin?!
Në këtë atmosferë politike të asaj kohe, mbërrinin në Tiranë dhe anasjelltas në Prishtinë, grupe apo dhe individë të ndryshëm, si në rastin në fjalë, Ibrahim Rrugova dhe Ali Aliu. Por edhe pavarësisht “muajit të mjaltit”, apo më saktë “viteve të mjalit” me Jugosllavinë e Titos, regjimi komunist i Tiranës “nuk e ulte kurrë vigjilencën”, por përkundrazi, me anë të strukturave të saj, i “bënte sytë katër”, ndaj çdo të huaji që vizitonte Shqipërinë. Qofshin këta dhe “miqtë nga Kosova”, siç konsideroheshin asokohe kosovarët nga politika e propaganda zyrtare e regjimit komunist të Tiranës.
Madje, “miqtë nga Kosova”, kontrolloheshin shumë më tepër se të huajt, duke i survejuar në çdo moment për të gjitha lëvizjet e tyre nëpër Shqipëri dhe jo vetëm kaq, por edhe duke u shënuar dhe analizuar çdo fjalë, veprim, shprehje e mendim të tyre. Gjë e cila fatkeqësisht duket qartë nga ky dokument arkivor me raport-informacionin në fjalë që po e publikojmë të plotë në këtë pjesë të librit, ku “organet kompetente partiake e shtetërore”, kanë ngarkuar për përpilimin e tij, dy profesorët, studiuesit e akademikët e njohur dhe të nderuar, Bulo e Boriçi, të cilët nuk kanë mundur që t’u shpëtojnë dot as mekanizmave me të cilat vepronte ai regjim, (përfshirjes së tyre si shoqërues të kolegëve nga Kosova), dhe as propagandës zyrtare të kohës…?!
Mbi vizitën e studiuesve kosovarë në vendin tonë
Me ftesën e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës erdhi në vendin tonë një grup studiuesish kosovarë për historinë e letërsisë shqiptare për fëmijë. Grupi përbëhej prej dy vetash; Ali Aliu, pedagog i katedrës së letërsisë në fakultetin filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Ibrahim Rugova, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ata u ftuan dhe morën pjesë në simpoziumin shkencor të organizuar për disa probleme të letërsisë shqiptare për fëmijë, që u mbajt në Tiranë më datat 27 dhe 28 maj.
Grupi i studiuesve qëndroi në vendin tonë nga data 27 maj deri më 7 qershor. Gjatë atyre ditëve ai vizitoi qytetet Vlorë, Fier, Gjirokastër, Sarandë, Durrës, Elbasan dhe Korçë. Në këto qytete punonjësit shkencorë kosovarë u njohën me sukseset tona të arritura gjatë tridhet vjetëve të pushtetit popullor. Sipas programit, ata vizituan muzeun, objekte historike, qendra pune e prodhimi. Në Korçë vizituan edhe kooperativën bujqësore Rrëmbec.
Gjatë vizitave ata treguan interes për t’u njohur sa më mirë me objektet dhe veprat e ndryshme. Në mënyrë të veçantë Ali Aliu tregohej aktiv. Bënte pyetje, që kishin si qëllim thellimin e njohurive të tij për objektin e vizituar. Ndërsa, Ibrahim Rrugova, në më të shumtën e rasteve tregohej indiferent. Ali Aliu, vazhdimisht dhe, më rrallë, Ibrahim Rrugova fliste me admirim për sukseset tona.
Bile, pas vizitës në Korçë, në Rrëmbec të Korçës (këtë kooperativë e vizituan së bashku me grupin e shkrimtarëve kosovarë, që morën pjesë në simpoziumin, të ftuar nga Lidhja e Artistëve dhe e Shkrimtarëve të Shqipërisë), Ali Aliu hapi një bisedë me shokët e vet, duke vlerësuar sukseset. Atij i bëri përshtypje që fshati kishte 15 televizorë, shtëpitë e kooperativës, muzeu i fshatit, blloku i njësisë së tregtimit, shkolla, sistemet komunale etj.
Ali Aliu ka njohuri më të shumta se Ibrahim Rrugova për vendin tonë. Ai ka ardhur disa herë në Shqipëri. Ibrahimi vjen për herë të dytë. Radhën e parë, siç tregon ai, ka qëndruar tre javë si student. Është kthyer për arsye sëmundje.
Ne mendojmë se miratimet dhe fjalët e tyre të bukura për sukseset tona duhen marrë me rezervë, më shumë si lajka, si përpjekje për të bindur se ata janë dashamirët tanë, se çdo gjë e vlerësojnë drejt dhe me objektivitet. Qëllimi i tyre është që t’u krijohet mundësia për të ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri. Këtë të dy e kanë shprehur në raste të ndryshme. Bile, Ali Aliu e shfaqi këtë dëshirë edhe në takimin që pati me drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Ai kërkoi të vinte në nëntor të këtij viti për të marrë pjesë me ndonjë kumtesë në simpoziumin kombëtar për romanin, që do të organizohet nga Instituti në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Në bisedë me ta nuk është e vështirë të arrish në përfundimin se inteligjenca kosovare ushqen dashuri e konsideratë të lartë për Titon, për rrjedhim, edhe për regjimin në fuqi. Ata e konsiderojnë Titon si shpëtimtarin e kombësive shqiptare të Kosovës, që i “siguroi të drejtat dhe lirinë” e sotme në Kosovë dhe për “perspektivat”, e sajë, që do të realizohen në përpjekje të vazhdueshme të inteligjencës kosovare. Shpresat i kanë mbështetur te 20.000 studentë, te rinia shkollore, në zhvillimin kulturor. Klasën punëtore fshatarësinë, që e kanë në ditët e hallit as që e zënë në gojë. Edhe kur binte fjala për ta, direkt ose indirekt, i konsideronin si forca shoqërore të parëndësishme.
Për punëtorët dhe fshatarët, në një bisedë, Ibrahim Rugova tha:“Emigrimi ekonomik i ka çoroditur. Ata shkojnë dhe punojnë larg Kosovës, larg Jugosllavisë në ndërmarrje të mëdha sidomos për ndërtimin e objekteve industriale në Gjermani, në Austri e gjetkë. Atje sigurojnë disa të ardhura. Dhe pas disa vjetësh (zakonisht nga katër vjet rijnë), vijnë dhe përmirësojnë kushtet ekonomike dhe të jetesës. Ka raste që nuk kthehen fare andej, që kërkojnë të marrin edhe familjet e tyre”.
Si Ali Aliu, ashtu edhe Ibrahim Rrugova janë përfaqësues të inteligjencës së re borgjeze, që po rritet dhe ushqehet nga Titua në Kosovë. Ali Aliu, bashkëpunëtor i ngushtë i Rexhep Qoses, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës bën pjesë në grupin e këtij të fundit me Ramiz Kelmendin e të tjerë. Ai përkrah dhe kultivon pikëpamjet e shtrembra të Rexhep Qoses për letërsinë tonë…
Sabri Hamiti: Kritika është e padrejtë
Në një bisedë, ku merrnin pjesë veç Ibrahim Rrugovës edhe tre shkrimtarë kosovarë, Ali Aliu bëri aluzion se në periodizimin e letërsisë shqipe, nuk duhen marrë parasysh revolucioni popullor, Lufta Nacional Çlirimtare. Këtë periudhë ai shkrin në periudhën e viteve ’30-të deri në atë të viteve ’60-të. Kur nisën diskutimin ai u tërhoq, duke thënë se “ky është një problem, që nuk mund të diskutohet në tryezën e bukës”. Të tjerët, në heshtje, ia mbanin krahun Ali Aliut, me përjashtim të shkrimtarit Rexhep Hoxha, që i tha Ali Aliut: “E ke të gabuar ti atë mendim, e kanë të gabuar edhe shokët tuej”.
Sa herë që bënin të hynin në ndonjë debat, pavarësisht se kush e si niste rrjedha e mendimeve, Ali Aliu tërhiqej, nuk i pëlqente konfrontimi i mendimeve. Këtë, sipas mendimit tonë, ai e bënte me qëllim që ne të mos krijonim ndonjë mendim që sadopak mund të ndikoj në prishjen e planeve të tij për të ardhur edhe herë të tjera në Shqipëri.
Gjatë vizitave në disa rrethe grupi i punonjësve shkencorë kosovarë ishte se bashku me grupin e shkrimtarëve kosovarë, që shoqëroheshin nga shkrimtari Odise Grillo. Në atë grup bënte pjesë edhe Sabri Hamiti, lektor (korrektor), në shtëpinë botuese gazetareske “Rilindja” Prishtinë. Ai ishte njeriu që shfaqte hapur mosaprovim ndaj çdo gjëje që vërente për rreth, nihilist, mendjemadh, fodull. Në një bisedë, që u zhvillua në Elbasan, nisur nga Sabriu, u hap diskutimi për kritikën, që i bën shoku Koço Bihiku romanit “Tuneli”. Sabriu fliste me mospërfillje ndaj kritikës, e quante të padrejtë. As Ali Aliu dhe as ndonjë tjetër nuk reagoi me përjashtim të Rexhep Hoxhës që tha: “Ia ka lujt fenë. Ashtë e drejtë kritika për atë roman. Këtë e kam thanë me kohë. Por ju kërkoni çoroditje të letërsisë sonë”.
Ali Aliu, gjatë qëndrimit në Tiranë, ka kërkuar dhe është takuar me disa kushërinj të gruas së tij, ka shkuar për vizitë ditën e fundit ndër ta. Në Korçë kërkonte me këmbëngulje të takonte ish- mësuesin e tij, Dhorka. Që e ka patur në Prespë në vitet 1940-‘41, por me ngulm kërkonte të takonte shkrimtarin Sotir Andoni. Me Sotirin u takuan në shtëpinë e kulturës në Korçë. Në Korçë kërkoi “për të njohur plepat e Bilishtit për të cilat ka shkruar aq bukur Dritëro Agolli”. Shkuam në Bilisht. Nuk qëndruam veç 5 minuta tërë rrugës na bëri përshtypje se si pyeste për emrat e fshatrave, na tregoi qafën, ku përpara çlirimit kalohej për në Prespë. Nuk ia ndau sytë sidomos fshatrave dhe malit që ndan kufirin me zonën e Prespës. Gjatë rrugës nuk foli fare. Rrallë e tek thoshte:“Sa fshatra të bukur, sa mirë rrojnë këtu fshatarët”.
Ibrahim Rrugova ishte njeri që fliste pak, i menduar, bluante shumë. Veç pohonte e mohonte au, kur fliste “shoku Ali”, siç e thërriste vazhdimisht. Kështu, p.sh, kur ndodheshim në Tiranë, Aliu shfaqi mendime të mira për flet-rrufenë, që përshëndeste iniciativën e një pioniereje të dalluar për sjellje të kulturuar, Ibrahimi e miratoi: “Ali Aliu tha se në flet-rrufetë kritike janë forma interesante për tërheqjen e masave në edukimin e shoqërisë”: Ibrahimi e përforcoi këtë mendim: “Ali Aliu tha se në vendin ‘tuej’ është një gjë e mirë që nuk ke frikë të dalësh lirisht ditën dhe natën, kurse te ne nuk ke siguri”, Ibrahimi e plotësoi këtë ide me shembullin e vet, duke treguar se ishte i detyruar të përcillte dhe të priste të fejuarën sa herë shkonte në fakultet.
Ibrahimi nuk bleu asnjë libër për fëmijë. Edhe për librat e tjerë nuk paraqiti gjithaq interes, veç vëllimit të kapitalit të Marksit. Ndërsa, Ali Aliu u ngarkua më shumë libra për letërsinë për fëmijë e për të rritur bile, edhe nga dy e tre kopje, shumicën i nisëm ne me postë (11 pako për Aliun me peshë më shumë se 20 kg), një kopje i nisën ata me mikrobusin e librit Rilindja dhe një kopje i morri me vete, duke provuar t’i kalonte nga kufiri Maqedoni.
Megjithëse kishin ardhur për simpoziumin e letërsisë për fëmijë, ata nuk treguan ndonjë interes për të. Kërkuan që t’u jepnin nga një kopje të referatit dhe kumtesave. Vetë një ditë para se të largoheshin, me iniciativën tonë, duke u nisur me një vërejtje shoqërore për mosinteresimin, bëmë një bisedë për simpoziumin dhe për letërsinë shqiptare për fëmijë. Në mendimet e tyre kishte dhe një nëntekst: pakënaqësinë se nuk u njoftuan me kohë që të marrin pjesë në simpoziumin me kumtesa.
Në biseda për letërsinë kosovare, Ali Aliu nguli këmbë që sektori i studimeve të historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë duhet të njohë dhe të studiojë letërsinë kosovare bashkëkohore për fëmijë. Ne iu shmangëm këtij propozimi, duke thënë se tani për tani na intereson studimi i fillimeve të letërsisë shqiptare të paraçlirimit. Ai hyri edhe në këtë terren, duke thënë: “Edhe ne kemi letërsi shqiptare për fëmijë. Por ajo është akoma e pastudiuar. Studimi i saj paraqet interes historik e shkencor për ne dhe për ju”.
Programi i aprovuar u zbatua në përgjithësi, me përjashtim të vizitës dyditore në Shkodër. Kjo ndodhi nga se Ibrahim Rrugova u sëmur, gjë që e vërtetua nga mjekët dhe nga Ali Aliu, duke ndjerë shqetësime, kërkoi të vizitohej. Mjekët, pasi i bënë analizat, konstatuan se ai kishte të zmadhuar mëlçinë. Iu dhanë recetat dhe ilaçet për kurën e parë.
Mendimi ynë është se të dy këta studiues, sidomos Ali Aliu, i kishin vënë vetes detyrë të njiheshin e të shoqëroheshin me sa më shumë njerëz, sidomos të qarqeve letrare dhe artistike, njerëz që gëzojnë autoritet dhe respekt, të përpiqeshin t’u linin mbresa të mira atyre.
Në përfundim të vizitës ata shprehën kënaqësinë dhe falënderimet për pritjen e ngrohtë që i ishte rezervuar.
Shoqëruesit
Hamid Boriçi d.v.
Jorgo Bulo d.v.
Tiranë 11 qershor 1974