Albspirit

Media/News/Publishing

Berat Buzhala: Mos e votoni Edi Ramën

Gjatë 12 muajve të fundit, sikurse gjatë gjithë jetës sime, mora anë të ndryshme politike, për zhvillime kudo në botë. Nga Filipinet – kundër Dutertes, deri në SHBA – kundër Donald Trump.

Bota sot është përplot zhvillime interesante. Duhet të mos jesh fare i interesuar për jetën që të kesh qëndrim neutral, se a zgjidhet Trump a Clinton, Macron a Le Pen, se a do të dilte Britania nga Evropa a do të qëndronte, se kush do të fitonte në Holandë e Austri, etj.

Në të gjitha këto përleshje, që i numërova më sipër, mora anë. Sigurisht ndikimi im në to ishte baras me zero. Kush e dëgjon një zë nga Kosova? As këta në Kosovë. Tekefundit, edhe kush qenkam unë që të më dëgjojnë? Një gazetar që ka qenë në politikë, që kohë pas kohë është komprometuar, por që ka provuar të ringritet – me plot vështirësi.

Mirëpo, le te sqarohemi: unë nuk pozicionohem për një problem, me shpresën që do ta ndryshoj realitetin, ose që ajo çfarë them unë është e vërtetë. Këtë gjë e bëj më shumë për bindje personale, e edhe nga besimi se ajo që them është gjëja e duhur. Pastaj, nëse dikush më beson në ato që them, kjo është një e arritur shumë e madhe, edhe pse kohë pas kohe kam frikë që ndikimi im është negativ. Por, as ky nuk është faji im.

I persekutuari Rama

Le të kthehemi tash te tema për të cilën edhe e nisa këtë shkrim: Zgjedhjet në Shqipëri, që do të mbahen këtë të diel. Edi Rama përballë të tjerëve.

Në shikim të parë, duket një betejë epike. Rama kundër të gjithëve. Nëse nuk thellohesh veç edhe pak më shumë te problemi, nëse atë e sheh nga një distancë pak më e largët, duket sikur i miri është Rama, kurse të tjerët janë forcat e errësirës që po duan ta ndalin Edin në rrugën e tij të shpëtimit kombëtar. Edi është drita në fund të tunelit. Edi po lufton për t’i këputur hekurat ku është lidhur Shqipëria, kurse të tjerët për ta prangosur edhe më shumë.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Është iluzion optik, i orkestruar me dinakëri nga ekipi i Ramës dhe Rama vetë. Është krejtësisht e kundërta.

Në garë, këtë të diel, janë: në njërën anë Edi, i mbështetur prej 90 për qind të fuqisë ekonomike shqiptare, kurse në territorin tjetër janë të tjerët.

Në garë, këtë të diel, janë: në njërën anë Edi, i mbështetur nga 100 për qind e mediave tradicionale, televizionet, si Topi, Klani, Vizioni, Ora etj… dhe në anën tjetër partitë tjera politike që hapësirën mediale e gjejnë me vështirësi të mëdha.

Mos të ngatërrohemi. Edhe në mesin e këtyre mediave, aty-këtu, si ndonjë oazë në shkretëtirë, gjendet ndonjë emision i mirë televiziv, që mban balancën e duhur politike. Këtyre ua heq kapelën, si bie fjala Fevziu, Rakipi, e ndonjë tjetër. Mirëpo, unë po flas për qëndrimet editoriale, për politikat editoriale që orientohen për katër vjet me radhë, për t’i vënë në spikamë të arriturat kulmore të Republikës së Shqipërisë. Për të vënë në spikamë lavdinë e sypatremburit, Kryeministrit Rama.

E them prapë: nga distanca duket sikur të gjitha mediat e ‘kazanit’ janë kundër Ramës; se ai si një Don Kishot i vërtetë po lufton kundër plehrave, se ai është uji i bekuar e të tjerët djalli, sepse Edi është i prekur nga dora e Zotit dhe është afër t’ia hedhë pastër edhe kësaj here, e bashkë me të edhe populli shqiptar, e pse jo edhe rajoni e kontinenti.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Janë vetëm disa gazetarë që po rezistojnë nga margjinat e mediave, duke i pasur kundër tyre personat më të fuqishëm në vend. Duke i pasur kundër tyre ata që i kanë miliarda euro në dispozicion, e që këtë të diel ka mundësi që t’i shkrijnë ndonjë prej miliardave. E si u mundka pastaj që një editorial, një paraqitje në një studio televizive, plot zhurmë e shkumë, të luftojë kundër 1 miliard eurove investime elektorale?

Pra, fotografia se Rama është i vetëm, kundër të gjithëve, është e deformuar. Rama është aktor i mirë, prandaj edhe kjo qasje deri diku mbizotëron në rrjete sociale, te rinia, e cila e sheh te Rama një rebel, një viktimë, një titan.

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Të tjerët janë të vetëm. Rama, ose ekipi i Ramës, janë të vetëm në ndarjen e përfitimeve marramendëse. Ose, mund ta themi edhe kështu: në rastin e Shqipërisë, shumica është më e vetmuar sesa pakica. Disa janë më shumë se shumica. Pastaj, atij i bëjnë hije edhe gazetarët, ose pjesëtarët e shoqërisë civile, që në forma të ndryshme janë të lidhur me suksesin e Ramës. Ata që i bënë hije edhe Berishës, por vetëm për sa kohë Berisha ishte Kryeministër. E kur ai humbi, këta e lanë Bashën në një diell përcëllues dhe të pamëshirshëm.

Të arriturat e Ramës: Respektimi i semaforëve prej kalimtarëve 

Ndonëse jam shtetas i Shqipërisë, shtetësi e dhënë nga Presidenti Nishani (për ç’gjë e falënderoj edhe tash), ndonëse vij në Shqipëri çdo javë – dorën në zemër pothuajse vetëm në Tiranë – unë edhe më tutje, në vija të holla, nuk e njoh këtu gjendjen në arsim, në shëndetësi, në politika sociale, e në segmente të tjera të rëndësishme, që janë kritike për ta vlerësuar performansën e një qeverie. Por, di ta dalloj se çka është spektakël e çka është përmbajtje, se çka është cirk e çka është qeverisje, se çka është kloun e çka është politikan.

Por, për këto tema, në javën e fundit, e pashë Ramën të djersitet përballë pyetjeve të vërteta. Jo pyetjeve argëtuese te Ermal Mamaqit, që qëllim parësor kanë gajasjen, por pyetje që i bëhen nga Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, ose Ylli Rakipi. E pashë Edi Ramën duke belbëzuar, e pastaj duke ofenduar, kur nuk diti ta numëronte asnjë investim të huaj të jashtëm që është më i madh se 5 milionë euro, e që është bërë gjatë qeverisjes së tij. Në vend të kësaj, filloi ta bënte atë që di më së miri: të ofendojë tjetrin se nuk kupton gjë nga ekonomia, të viktimizohet se askush nuk po e kupton, përveç tij, procesin e komplikuar të kulturimit të Shqipërisë që e paska filluar ai, e që ka kulmuar me respektimin e semaforëve nga kalimtarët, e në raste të caktuara edhe ndalimin e duhanit në baret dhe restorantet e Shqipërisë. Ndonëse komike edhe të përmenden, as këto nuk janë plotësisht të vërteta. E edhe po të ishin të vërteta, a vërtet beson dikush që një person që pret në semaforë në pishë të diellit në Tiranë e bën këtë ngase i ka në mendje këshillat iluminuese të Edit? Një pjekuri e tillë ka arritur gradualisht, pas kontaktit me botën, falë lëvizjes së lirë të shqiptarëve, gjë e cila ka ndodhur në qeverinë e kaluar. Pastaj, është trillim i pastër se cigarja nuk pihet në Tiranë, pse kështu e ka vendosur Rama. Cigarja nuk pihet, ta zëmë në Plaza, sepse kjo është politikë e pronarit të hotelit, nuk pihet në restorantet fantastike të Tiranës, sepse pronarët kanë vendosur t’i respektojnë standardet evropiane.

Rama, nëse dëshiron ta zgjerojë edhe më shumë harkun e meritave të tij për ta kulturuar popullin shqiptar, mund edhe të thotë se tash shqiptarët nuk u bijnë borive, siç i kanë rënë në të kaluarën, se nuk e kruajnë barkun si në të kaluarën, se nuk i rrisin flokët si në të kaluarën, se nuk i pastrojnë as veshët me çelësin e makinës, se nuk po masakrohen brenda familjes si në të kaluarën. Ky edhe mund të thotë se është profeti që e solli ndryshimin, por këto janë, duke e cituar Ramën, që e citoi Fishtën, në debat me panelistët nga Kosova, “dokrra hini”. Shqiptarët janë rritur avash-avash, ndonëse mori shumë më shumë kohë seç do të duhej. Sigurisht që do të rriteshin shumë më shpejt, po të kishin një klasë tjetër politike. Por, klasën politike e nxjerr populli.

Ekonomia e egër kapitaliste, nën majtistin Rama

Rritja ekonomike, në statistika duket në njëfarë mase e pranueshme. Nëse i marrim këto të dhëna e i lexojmë në ndonjë ishull të largët, pa pasur të drejtë të bëjmë pyetje shtesë, gjendja nuk do të ishte shumë e keqe. Por, edhe ky është një mashtrim optik.

Paul Krugman, nobelist i ekonomisë, njeriu që mua më përfaqëson në ekonomi, në librin e tij Ndërgjegjja e Liberalit, e shpërfaq këtë mashtrim, pre e të cilit sot janë edhe shqiptarët. Ai tregon se si Amerika e viteve ’80 dhe ’90 është e fuqishme ekonomikisht vetëm në planin e përgjithshëm. Ja shembulli që e jep Krugman: Në një restorant qëndrojnë 10 amerikanë me të hyra mesatare vjetore prej 200 mijë eurove. Në ndërkohë atyre u bashkohen për një kafe edhe Bill Gates me dy-tre shokë të tjerë që i kanë miliardat. Tash (vazhdon Krugman) në rrafshin teorik, nga përtej derës, të hyrat mesatare të banorëve të atij restoranti janë shumëfishuar, tash teorikisht aty janë të gjithë milionerë, nëse jo edhe miliarderë. Por, kjo merr fund sapo Gates dhe shokët e tij dalin jashtë.

Me fjalë të tjerë, çfarë do të ndodhte me ekonominë e Shqipërisë, nëse i largojmë për në Itali Zaimir Manen, Grigor Jotin, Vilma Nushin, e të tjerë njerëz të pasur, të cilët sigurisht kanë të hyra vjetore sa e gjithë pjesa e banorëve të tjerë të Shqipërisë. E këta njerëz gjatë qeverisjes së Ramës nuk u varfëruan. Këta u pasuruan. Është e vështirë ta imagjinosh një gjë të tillë në një vend tjetër të qeverisur nga një i majtë. Nuk do të ishte e ndershme as t’i fajësonim këta për pasurinë që kanë krijuar. Qeveria do t’i krijonte disa të tjerë, po të mos ishin këta. Këto janë praktika të njohura ballkanike.

Si përfundim

Shqiptarët, të dielën, duhet ta ndalin Edi Ramën, i cili është në kërkim të një pushteti të plotë. Është hera e parë që një politikan e kërkon kaq zëshëm një votë të tillë. Ma jepni timonin vetëm mua, sepse nuk do ta njihni Shqipërinë. Fraza të tilla të forta, në kërkim të pushtetit të pakontrolluar, para Ramës i kanë thënë edhe politikanë të tjerë. Historia botërore është e mbushur me kërkesa të tilla nga diktatorë megalomanë.

Në zgjedhjet e vitit 1936, Hitleri u kishte thënë gjermanëve “nëse më votoni mua, pas 10 vjetësh nuk do ta njihni Gjermaninë”. Sigurisht që në vitin 1945 ka qenë shumë e vështirë ta njihje Gjermaninë. Nuk dëshiroj këtu të bëj kurrfarë krahasimi mes Gjermanisë naziste dhe Shqipërisë. As në mes të Ramës dhe Hitlerit. Janë shumë larg, si krahasime. Mirëpo, mund të krahasohen dëshirat. I dua të gjitha, ose asgjë. Një kërkesë për të realizuar një revolucion kulturor, politik dhe ekonomik. Sepse, ai i di të gjitha. Është i pagabueshëm. Të tjerët janë kazan. Plehra. Nën-qenie. Të paditur. Shpellorë.

Shqiptarët duhet ta fusin egon e Edi Ramës nën kontroll. Atë e bëjnë me votën e tyre. Të dielën ata mund të votojnë edhe majtas, edhe në qendër, e edhe djathtas. Mjafton që Edit të mos i plotësohet dëshira përfundimtare. Politika është kompromis dhe marrëveshje.

Gjermania e madhe që disa mandate qeveriset bashkërisht. Merkel e ndan pushtetin me rivalët, por kjo nuk e pengon ekonominë që të mos zhvillohet. Gjërat e mëdha në një shoqëri ndodhin edhe pa bërë bujë. Edhe pa rritur thonjtë, edhe pa dalë në publik me Air Jordan, edhe pa bluza të zbërthyera, e sidomos edhe pa i ofenduar të gjithë kundërshtarët.

Edi Rama, në fund, nuk e di kur do të jetë ai fund, do ta ketë fatin e Jose Mourinhos. Kur një ditë nuk do të shkëlqejë më, të gjithë do të qeshin me sjelljet e tij. Për arrogancën e Mourinhos, në raport me gjithë botën, pas rezultateve të tij të dobëta, The Guardian shkruante: Duhet të sillesh mirë me njerëz kur ngjitesh lart, sepse kur të zbresësh poshtë, do t’i takosh të gjitha ata në rrugë e sipër.

Rama do të takohet një ditë me të gjithë ata./Gazeta Express/

Please follow and like us: