Ilir Levonja: Kartoni jeshil
Një qytetare e Kosovës, përmes një statuti këtu në FB, tregon se si e kishin kthyer në kufi me Shqipërinë. Për mungesën e një dokumenti që quhet kartoni jeshil. Ndihej e mërzitur pasi kishte udhëtuar gjithë natën me qëllim që dita e re ta gjente në destinacion. Dhe se shërbimi i ofruar në doganë, shto edhe ca dokumenta të tjerë, kapnin vlerën e 240 eurove. Një shifër e kripur për xhepat e shqiptarëve në dy shtetet e tyre.
Mu kujtua vetja një vit më parë, kur në doganën e Tushemishtit. Ndërsa prisja në radhë, për tu hedhur deri në Ohër. Punë miqsh e shokësh…, një qytetar më foli për ca letra shëndeti dhe këtë kartonin jeshil. Bashkë me time shoqe gjykuam se sa të humbnim ditën me letra kësisoj, venduam të argëtoheshim me teto Ollgën në ujdhesat e fshatit buzë liqenit. Sot këtë punën e kartonit ma kujtoi kjo qytetare shqiptare. E Kosovës. Në oborrin e doganave mes shqiptarëve. Ndaj u futa në webet e këtyre shoqërive të kartonave. Ose siguracioneve si na pëlqen të themi. Pak a shumë gjeta kudo këtë shpjegim:
”Polica Karton Jeshil është sigurimi i detyrueshëm për të gjithë automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë që udhëtojnë jashtë Shqipërisë.
Kartoni Jeshil mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik, në përputhje të plotë me parashikimin e Ligjit te shtetit te huaj, ku ka ndodhur rasti ne sigurim dhe ofron asistencë teknike: pasi merr përsipër trajtimin e dëmit në mbrojtje të interesave të klientëve”.
Ky tekst nga Shqipëria. Për qytetarët shqiptarë.
U futa edhe ne webet e Kosovës. Byroja e Sigurimeve në Kosovë. Për Kosovën ka një kleçkë. Me që Kosova nuk është pjesë e OKB-së, iu dashka që këtë palo karton ta përfitojë nga një shtet tjetër. Dhe se përpjekjet kishin vite që bëheshin mes Shqipërisë, Sllovenisë, e Maqedonisë.
Nuk kam punë me Maqedoni, as me Slloveninë. Por me Shqipërinë. Me këtë mefshtësi administrate dhe burakroci kolektive. Për lehtësimin e proçedurave në lidhje me ndërkomunikimin shqiptar në rajon. Dikur paska ekzistuar një marrëveshje rajonale mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, për lëvizje të lirë. Pa kësi kartonash. Por qënka hequr. Mirë i huaji e ka bërë të rrugës. Që të na i hedhi pasaportat syve. Po ne me njëri-tjetrin. Megjithëse për gjykimin tim është një farsë e kripur letrash si e si për të rjepur vetveten. Sidomos tani në kohë sezonesh. Ku me të drejtë ai vëllai kosovar më tha se Shqipëria na dhemb shumë or mik, ndaj edhe vemi. Po të çmend nga çmimet. Eshte një farsë e kripur si puna e atyre koaludimeve, që do ca në xhep, ai tek porta, pastaj ata të sportelit. Dhe ata që shikojnë se si vine anash gomat e mjeteve. Ne këtej na mjafton patenta dhe siguracioni. Asnjë lloj kartoni jeshil, i verdhë, i kuq. Zarfi i letrave të mjetit është i zbrazët. Dhe xhamat pa pulla që të t’i shohi polici në rrugë. Mund të kalosh gjithë ditën e Zotit shtet më shtet, mjafton të kesh para të furnizosh mjetin me karburant.
Dy gjëra janë për tu theksuar:
-E para, shqiptarët para pak ditësh mbushën statutet me dhimbjen për vdekjen e Helmut Kohlit. Nga njëri shtetar tek tjetri. Si në Kosovë e Shqipëri… e quajtën mik. Thanë që ai ishte kështu e ashtu. Miku i madh i shqiptarëve. Miku jonë.
Të gjithë kishin hallin të demonstronin se sa mik ishin me Kohlin.
Po askush nuk tha. Askush nuk foli që ta kenë si shembull. Atë veprën më madhore të tij, politikën për afrimin dhe bashkimin e gjermanëve.
-E dyta, në këtë fushatë sherrnaje… Shqipëria u përqëndrua e gjitha në denigrimin e njëri-tjetrit. Kap e përplas. Shtyu, pështyu. Kësisoj dhe përngahera sepse jo, që, nuk kemi Kohla… por kemi Helm+mut për njëri-tjetrin.