Albspirit

Media/News/Publishing

I GJATI SI HËNË N’MUGËTIRË, KUSHDO QOFTË, DITË E RE N’AGIM

Prof. Sazan GURI
Pak ditë na ndajnë nga çasti, kur secili prej nesh ndihet mbret për fatin e vet. Nëse e mat, e kllat dhe analizon të kaluarën, e ardhmja, biznesi, familja përpara na ndrin. Mund edhe të mos shkosh, por nuk ke të drejt të ankohesh, ose nëse shkon e hedh votën me mendimin se nuk ndryshojmë gjë, prap mos u trishto kur të shtypin, se të kap neni kur veten krimb e trajton, ata lart mirë bëjnë të të shkelin e të poshtërojnë.
Kodi zgjedhor që u përdor vetëm njëherë në Spanjë, të cilët nuk donin që Baskët të hynin në Parlament, këtu është kthyer në i pakthyeshëm dhe të detyron që të futësh zarfin që mbart peshën katër vjeçare të fatit, të familjes e të shoqërisë tënde të mjerë që ka faj se ka lindur në këtë sistem të përmjerë. Dhe do apo s’do, ti do ndeshësh tri persona, një i gjatë soj basketbollisti, një tjetër po i gjatë tip volebollisti dhe një tretë që përmbush normat për shtangist, që rreshtas një muaj të thërasin për ndihmë e firmë. Të mos vesh drejt tyre është alternativa zero – të bërurit asgjë. Ku ishe – asgjëkundi?! Të vesh e ta hedhësh pa u menduar tregon se nuk të punon cerebralja.
Ndaj i dashur Qytetar, të vesh se ç’ke me të, të mendohesh e të llogjikosh si në joga duke përvijuar, jo yjet e galaktikës, por gjëmat, bëmat, punërat, famat e namat e atij që ikën, duke e parë atë që ishte si dielli në perëndim apo hënë në mugëtirë, se çdo ndryshim tjetër sjell së paku ditë të re me apo diell që (s)lind. Pse nuk më votove, i tha Ekrem bej Vlora bujkut të vet? Sepse doja të shikoja diellin e një dite tjetër iu gjegj fshatari pa shkollë, por me përvojën e trashëguar brezave. Secili nga ne ka kohë të meditojë se çfarë më ofroi basketbollisti me shtangistin dhe se çfarë mund të më ofrojë volejbollisti me shtangistin. Dhe jo pak, por katër vjet më bëjnë fort të flas dhe pena të më rrëshqasë për t’iu dëftye të tjerëve, jo për kë të votosh, por me kë nuk duhet të shkosh, me parimin e thjesht që votohet dita në agim dhe jo hëna që nuk ndriçon as veten në të gdhirë. Po le të pyesim njeri-tjetrin?
Nëse do që vendi ynë të vazhdojë me koncesione që fermerin e kthen në bujk, puntorin në argat, nëpunësin në jesmen, të pasurin në oligark, të varfërit në fukarenj dhe bankat e vendit në arka tranzit, aq sa eksportet i kanë sjellë përfitime zotëruesve të koncensioneve dhe aspak ekonomisë sonë kombëtare (që i thonë, shita kalë dhe bleva kerr), mendo për atë që vjen (ditën që lind) dhe jo për atë që ikën (hënën në mugëtirë apo në të gdhirë).
Nëse do që çdo send me pronësi publike (P-ja e parë) të vazhdojë të kthehet në private, apo privati (P-ja e dytë) të pasurtohet në kuriz të publikut dhe marrëdhënia (P-ja e tretë) të kthehet në aferë (bëhet fjalë për miliona euro të transferuara në duart e firmave private, të cilat para privatizimit të shërbimit, shkonin në arkën e shtetit), ku vetëm tre koncensionet e para bënin të delnin nga Shqipëria 400 milionë euro, ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që kontratat me kompanitë e naftës si ‘Bankers’ të vazhdojnë me 2% shteti dhe 98% privati, ose 1,500,000 ton ata dhe 80,000 ton ne, ndiq ditën në agim, sepse sektori i naftës dhe mineraleve, kanë sjellë rritjen e eksporteve të tyre, por kjo nuk ka sjellë rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Konkretisht, në periudhën 2009-2017, eksportet e naftës dhe të mineraleve, u rritën 9 herë që d.t.th. se në vitin 2005 kishim 19 milion dollarë eksporte, ndërsa në vitet e fundit 670 milion USD eksporte, pra 35 herë më shumë se në vitin 2005.
Nëse do që kompania ‘Kurum’ të hajë jetë njerëzish, si ajo me 250 fëmijë të përçudnuar në 9000 banorë të Papërit, apo që hedh ndotje 27 herë më të madhe se normat europiane dhe 21 herë më tepër se ato turke ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që kompania tjetër turke të vazhdojë me sipërfaqe të reja shfrytëzimi bakëri e të na marr bashkë me bakrin edhe floririn shqiptar ndiq ditën në agim.
Nëse do që kontrollet në dogana, kontrolli i kazinove, markimi i naftës dhe kolaudimi teknik i makinave, të cilat janë katër shërbimet kryesore që faturohen drejtpërdrejt në adresë të qytetarëve nga privatët, vazhdo ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që qeveria të transferojë një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme, duke përjashtuar nga vendimmarrja parlamentin, ndiq ditën në agim.
Nëse do që lumenjt e egër të Shqipërisë dhe të Europës të katandisen në rrëkenj sa një urinë elefanti se na japin energji për fqinjët, që vetë ne të blejmë energji te fqinjët, ku nga këto privatizime nuk u gjenerua asnjë energji e re prodhuese nga HEC-et e privatizuara, (ka një VKM, sipas të cilit rritet tri herë çmimi i energjisë së blerë nga KESH nga HEC-et e privatizuar) dhe po aq t’u rritur edhe çmimi për qytetarët, ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që në projektet tona disa milionshe për zbatim të mos ketë tender “online’, por vendos i basketbollisti, ku sipas znj.Meksi dhe z.Manjani thuhet se transparenca e këtyre të dhënave mungon dhe rritja e të ardhurave buxhetore është shumë modeste, (qesharake), ndiq ditën në agim.
Nëse do që zonat e mbrojtura shqiptare, jo pak, por 17% të kthehen në zona të pambrojtura, si rasti Karavasta (ku një resort turistik sa tre Divjaka mbyt bregdetin e Divjakës) dhe Kryeministri në sekondat e fundit të jetës parlamentare përfiton një vendim që funksionet e ndaluara të kësaj zone t’i kthejë, me shkop magjik, në funksione të lejuara, ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do me të vërtetë që mbetjet e importit të plehërosin këtë vend, inceneratorët me temperaturë të ulët të mbijnë si gëmusha mbas shiut, që mbetjet e vendit të flaken si pa vlere, pa u ricikluar, pa u kompostuar e pa u trajtuar, ndiq ditën në agim.
Nëse do që nga njera anë të kemi moratoriume për pyje dhe nga ana tjetër një sekser partie që i jep të drejtën një kompanie për gjoja dru shqop për ngrohje e të presë lis e pishë për pica në Itali e për ngrohje në greqi, ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që Tirana e ngjeshur urbane të ngjeshet edhe me 15 pallate të tjerë 40 katshe, me 12 parkime nëntokësorë drejt qendrës, dhe jo mbitokësorë drejt periferisë, me park natyror të kthyer në park urban, ndiq ditën në agim.
Nëse do që projektet moderne të shkelin mbi historinë e kombit (rasti Veliera, Durrës), betoni të mbys hapësirën detare (ndërtimet në det te plazhi hekurudha), ngrehinat në durrës të ngrihen mbi kulturën e të parëve, ndiq hënën në mugëtirë, sikundër ujku kërkon mjegullën.
Nëse nuk do që Tirana të gëlojë nga kazinotë e bastet, të cilat gatisin një popull parazit, apo spitale ku hyn vizitor e del pacient, apo arsim ku hyn lloz e del shul, apo taksa e tarifa për të cilat nuk merr shërbim (uji i pishëm vjen si taksë për ujë të pastër, por që nuk duhet ta përdorësh ose ujrat e zeza vijnë si taksë shërbimi, por nuk trajtohen), apo energji në fshat që vjen me tension apo intesitet të ulët, si dikur e taksur për të buka e misrit, ndiq ditën në agim.
Nëse doni rritjen e kontributit të bujqësisë në GDP e vendit, rritjen te investimeve publike ne zonat rurale, zhvillimin e agroindustrisë e sektorit të peshkimit, ndryshimin domethënës të raportit import-eksport për produktet me origjinë bimore e shtazore, kontrollin për sigurinë ushqimore, standardet e produkteve bujqësore, politika efektive për subvencionet dhe ndryshim të skemës së përfitueseve ndiqni ditën në agim.
Nëse doni dhënien fund të proçesit të regjistrimit të tokës bujqësore, apo grante të pakushtëzuara nga buxheti për qeverisjen vendore për mirëmbajten e rrugëve rurale, apo të shmangni sipërfaqet e rrezikuara nga përmbytjet që janë më tepër se 40.000ha apo që 60% e tokës bujqësore të mos vazhdojë të preket rëndë nga erozioni, apo që gjysma e tokës bujqësore të punohet për prodhim apo që 45 kiloton produkte bujqësore të arrihet të eksportohet, apo identifikimin dhe vënien në eficiencë të rreth 130 mije ha, që aktualisht janë të pa kultivuara, prap gjeni mundësinë të ndiqni ditën në agim që në vend të 100 milion eurove koncesion laboratorësh, e 80 milion euro koncension sterilizimi, e 100 milionë euro koncesion check-up-i, e dhjetërave koncesione të tjera korruptive t’i investojë në bujqësi.
Ja pse në çfarëdolloj rasti, qytetari i lirë është stisur që për katër vjet të ndihmojë qeverinë, por të mbështesë opozitën, pastaj prap, ai konsulton qeverinë, por përkrah opozitën dhe në fund fare e dini ç’bënë qytetari i lirë?! Voton opozitën, por që ditën e parë, ai nuk bëhet palë me të dhe fillon nga e para. Oh, sa do të dëshiroja që kjo të ndodhte njëherë në dy vjet për shqipërinë, që ata qeveritarët të mos kenë kohë të nxjerrin fitime personale nga puna që bëjnë dy vjetët e para. Pa le t’i lësh edhe katër vjet të tjera?! Historia mëma e diturisë na mëson se askush nuk mund t’i shpëtojë dot prishjes prej pushtetetit në mandatin e dytë. Të gjithë e dimë rastin Nano, në mandatin e dytë, rastin Berisha apo Rama në mandatet si kryetar bashkie. Ndaj votohet dita e re me diell apo pa diell që kurrsesi nuk është hënë në mugëtirë

Please follow and like us: