Albspirit

Media/News/Publishing

Kërcënohen emigrantët, mos votoni për PS-në, ja kush ua dërgoi sms-të

 

Dhjetëra automjete dhe autobusë kanë hyrë dje në mbrëmje në territorin shqiptar, por edhe sot nga pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Fluksi i pazakontë krahasuar me ditët e tjera, tregon se pjesa më e madhe e të rikthyerve vijnë për të votuar. Ndërkohë, shumë prej emigrantëve që po kthehen, por edhe minoritarëve u është dërguar një mesazh nga një call center në Greqi, ku u kërkohet të rimendojnë vendimin për të votuar Partinë Socialiste. Në rast të kundërt, me ta do të flitet pas kthimit. Për më shumë informacione në lidhje me këtë episod, në lidhje telefonike me studion e lajmeve të Top Channel ka qenë korrespondenti Artur Bibe.

TCh: Artur, mirëmbrëma. Mund të na thuash sa është numri i të ardhurve nga Greqia?

Artur Bibe: Deri më tani (19:30) kanë ardhur 60 autobusë dhe shumë mjete të vogla. Sipas statistikave, vetëm nga Kakavia dhe Qafë Bota deri më tani kanë ardhur 2.352 shtetas shqiptarë dhe 1.098 shtetas të huaj. Shumica e shtetasve shqiptarë mendohet se po vijnë për të marrë pjesë në zgjedhje. Edhe gjatë natës pritet të ketë ardhje të reja, por edhe gjatë ditës së diel.

TCh: Sot u fol për një mesazh kërcënues për emigrantët dhe pati një reagim nga Partia Socialiste. Çfarë ka ndodhur?

Artur Bibe: Po, mesazhi në greqisht intimidonte emigrantët që të mos votonin për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Në mesazh shprehej keqardhja për bashkatdhetarët, minoritarët që patën tundimin të pranojnë të votojnë për Partinë Socialiste. “Mendohuni edhe njëherë. Do flasim sërish gjatë kthimit tuaj”, thotë mesazhi. Ne verifikuam se kush ishte dërguesi i mesazhit dhe zbuluam se ai ishte nisur nga një “call center” në Greqi dhe janë porositur nga dikush, apo ndonjë forcë politike. Kjo është një “call center” që zakonisht dërgon reklama me pagesë. Pasi u mësua kjo, Partia Socialiste e Sarandës reagoi, por për të respektuar heshtjen zgjedhore ne nuk po e transmetojmë këtë reagim, ashtu siç nuk kemi transmetuar reagimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike.

Please follow and like us: