Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë-thirrje qytetarëve: Votoni masivisht!
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bëri sot thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime.
“Dita e nesërme nuk duhet të jetë momenti i dorëzimit të sovranitetit së bashku me hedhjen e votës në kuti. Ky duhet të jetë momenti i parë i legjislaturës së ardhshme parlamentare, ku qytetarët janë vetëpërcaktues. Duke filluar nga ky moment i kryerjes së detyrës qytetare, ata duhet të jenë të angazhuar si qytetar drejtëpërdrejtë në vendimmarrje. Ky angazhim i vazhdueshëm qytetar është e vetmja alternativë që vendi ynë të përballet me sfidat që e presin”, thuhet në një njoftim për shtyp të KVV-së.
KVV i bën thirrje qytetarëve të drejtohen masivisht në kutitë e votimit ditën e nesërme, pasi sipas tyre, “zhgënjimi nga lidershipet politike, nga kriza e vazhdueshme e demokracisë shqiptare, nga mosfunksionimi i institucioneve në vend, nuk përbëjnë arsye që ata të mos votojnë”.
“Braktisja e këtij detyrimi qytetar thellon pikërisht zhgënjimin qytetar dhe imunitetin e partive politike nga dështimi që mbartin për krizën e demokracisë shqiptare. Votat tuaja janë hapi i parë në demonstrimin e forcës së vullnetit që mbartin qytetarët si sovrani i vetëm përballë kujtdo force politike qeverisëse apo që aspiron qeverisjen”, vijon njoftimi.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka ndjekur në vijimësi përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të 25 qershorit 2017 dhe ka monitoruar mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.
Vetëm pak orë përpara se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë mbi bazën e Raportit të Tretë të Ndërmjetëm të publikuar dje, i drejtohet aktorëve përgjegjës me disa rekomandime konkrete, në funksion të sigurimit të një klime të qetë votimi dhe ku qytetarët të ndihet të lirë e të pandikuar për të shprehur vullnetin e vet.
KVV i bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe mediatikë të respektojnë në çdo rrethanë Ditën e Heshtjes Zgjedhore dhe Ditën e Zgjedhjeve. Po ashtu, partitë politike të përmbushin sa më parë detyrimin ligjor në plotësimin e anëtarësisë së Komisioneve të Qendrave të Votimit.
“I bëhet thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë që të respektojnë me rigorozitet maksimal vullnetin e qytetarëve shqiptarë, si mbajtës të sovranitetit. I bëhet thirrje Forcave të Rendit të kryejnë në respektim të ligjit dhe me devotshmëri ruajtjen e rendit publik gjatë Ditës së Zgjedhjeve duke siguruar në rradhë të parë një situatë të qetë dhe të sigurt në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shprehin të lirë vullnetin e tyre”, vijojnë rekomandimet e KVV-së.
Ky proces zgjedhor, sipas KVV-së duhet të jetë fundi dhe shembulli më i keq i një procesi zgjedhor ku vullneti politik qendron përtej ligjit në administrimin e procesit zgjedhor. “I bëhet thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo formë demagogjie elektorale, intimidimi apo shit-blerje vote. I bëhet thirrje përkrahësve dhe militantëve partiakë të distancohen nga format e korrupsionit zgjedhor dhe të shmangin, dënojnë dhe distancohen ndaj çdo incidenti përgjatë Ditës së Zgjedhjeve. I bëhet thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të sigurojnë që përkrahësit, militantët e tyre, apo ata vetë të ndalin, të distancohen publikisht si dhe të luftojnë çdo forme intimidimi, drejtimi apo shit-blerje vote. I bëhet thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese si Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë, Policisë së Shtetit apo edhe institucioneve të tjera që të luajnë një rol proaktiv për të evidentuar, faktuar dhe çuar përpara drejtësisë të gjitha rastet e intimidimit, apo çdo lloj forme korrupsioni zgjedhor që shfaqet, veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve apo gjatë procesit të numërimit”, vijon KVV.
Këto institucione duhet të tregojnë vullnet të hekurt dhe të zbatojnë pa asnjë ekuivok dhe në mënyrë të barabartë dispozitat e ligjit ndaj të gjithë shtetasve, qofshin këta përfaqësues, zyrtarë apo drejtues të partive politike, anëtarë të komisioneve administruese të procesit zgjedhor apo të institucioneve të tjera shtetërore, apo edhe qytetarë të thjeshtë.