Luan Krasniqi shpallet ambasador i ‘SOS Kinderdorf’
Ish-boksieri profesionist, me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, Luan Krasniqi është emëruar dje në Berlin ambasador i ri i “fshatrave për fëmijë” “SOS Kinderdorf”, shkruan presseportal.de. Në festën vjetore të të gjithë “fshatrave SOS” të botës, që u mbajt në Berlin, kryetari kryesisë së kësaj organizate, Wilfeied Vyslozil ia dorëzoi Krasniqit certifikatën me emërimin në këtë post nderi. “Gëzohem shumë që Luan Krasniqi, prej më shumë se dhjetë vitesh na ndihmon që fëmijëve t`ua falim guximin për të ëndërruar”, ka thënë Vyslozil, transmeton albinfo.ch. Krasniqi, sipas tij, ndihmon në veçanti të rinjtë me rastin e orientimit të tyre në profesion. Boksieri i lindur në Kosovë por që sukseset i ka arritur në Gjermani, angazhohet prej vitit 2006 e tutje për organizatën humanitare “SOS Kinderdorf”. Në fushatën e zhvilluar me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit “6 fshatra SOS për vitin 2006”, Krasniqi ishte angazhuar për ngritjen e këtyre 6 fshatrave të rinj, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2013 së bashku me shefin e Porsche-së, Uwe Hück ai kishte ngritur aksionin sportiv humanitar të boksit “Blaue Zwecke für gute Zwecke”. Përmes tij ishin grumbulluar 50 mijë euro në të mirë të fëmijëve të strehuar në “SOS Kinderdorf”. “Unë i dëshiroj çdo fëmije mbështetjen e një familjeje. Dhe këtë mbështetje e ofron “SOS Kinderdorf” në mënyrë unike”, thotë Krasniqi 46 vjeçar. “Dhe për këtë jam krenar të jem ambasador zyrtar i SOS Kinderdorf”, shprehet ai.