Pakti i ri PD-LSI, 11 ministra bllokojnë vendimin e Ramës
Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar zëvendësministrin e Brendshëm, Ilir Marko, ka mbetur pezull dhe pa marrë fuqi ligjore. Ilir Marko mbetet sërish në detyrë si zv.ministër i Brendshëm, edhe pse është shpallur “non grata” nga kreu i qeverisë. Kjo për faktin se Edi Rama ka firmosur dy ditë më parë një urdhër qarkullues për të gjithë ministrat, në të cilin kërkon shkarkimin të zv.ministrit të emëruar nga LSI. Por ky urdhër qarkullues është firmosur nga 9 ministrat e Partisë Socialiste dhe vetë Rama, kurse pjesa tjetër e kabinetit qeveritar nuk e ka firmosur. Bëhet fjalë për ministrat teknikë të Partisë Demokratike dhe katër ministrat e mbetur të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në këtë rast “aleanca” e fshehtë mes PD-së dhe LSI-së ka lënë pa fuqi ligjore vendimin e Kryeministrit Rama. Duke qenë se në kabinetin Rama ministrat e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë më shumë se ministrat e PS-së, zëvendësministri i LSI-së ka mbetur në detyrë. Ministrat teknikë të emëruar nga Partia Demokratike kanë vendosur si kusht për të firmosur shkarkimin e zv.ministrit të LSI-së, Ilir Marko, kërkesën për shkarkimin e zv.ministres së Financave, Irena Beqiraj. Me të njëjtin motivacion të shkarkimit të Ilir Markos edhe zv.kryeministrja kërkon të shkarkohet Beqiraj, duke qenë se Rama nuk pranon shkarkimin e Beqirajt, e cila disa ditë më parë sulmoi zv. kryeministren Ledina Mandija. Atëherë 6 ministrat teknikë të PDsë dhe zv. kryeministrja nuk e kanë firmosur urdhrin qarkullues të shkarkimit të zv.ministrit të LSI-së.
Shkarkimi
Ilir Marko u shkarkua të enjten nga kryeministri për shkak se u konfliktua me mesazhe me Saimir Tahirin. Fillimisht, LSI-ja ka denoncuar me emra konkretë rastet e blerjes së votave në qarkun e Tiranës, duke akuzuar se, pas këtyre veprimeve antiligjore, ishte ishministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Megjithatë, Tahiri ka replikuar me Ilir Metën, duke thënë se tentoi ta përgjonte me anë të zëvendësministrit të Brendshëm, i cili, sipas tij, i ka vendosur një përgjues në zyrë. Por pas këtyre etiketimeve, Ilir Marko, i cili ka qenë zëvendësi i Saimir Tahirit, ka reaguar me anë të një mesazhi privat të dërguar në celularin e ishministrit të Brendshëm. Marko ka zbuluar në SMSnë drejtuar ishministrit se ndërkombëtarët kanë kërkuar me këmbëngulje shkarkimin e Saimir Tahirit për abuzime. Pasi u bënë publike SMStë, Edi Rama nxori vendimin për shkarkimin e zv. ministrit të LSI.
Kush ka firmosur
- Edi Rama
- Milva Ekonomi
- Eglantina Gjermeni
- Ditmir Bushati
- Mimi Kodheli
- Mirela Kumbaro
- Milena Harito
- Damian Gjiknuri
- Ermonela Felaj
- Eduard Shalsi
Nuk kanë firmosur
- Ledina Mandija
- Dritan Demiraj
- Helga Vukaj
- Mirela Karabina
- Gazment Bardhi
- Xhuljeta Kertusha
- Arben Beqiri
- Klajda Gjosha
- Sokol Dervishaj
- Lefter Koka
- Edmond Panariti