Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Kujt duhet t’ia japësh votën

Gazetarja Sonila Meço sugjeron sot në ditën e heshtjes zgjedhore se logjika e thjeshtë është më efikase se arsyetimet e gjata për të vendosur se kujt duhet t’ia japësh votën. E pra, është pikërisht sipas Meços, besimi i verbër që shkatërron jetën tënde, por edhe indiferenca totale të merr më të mirën nga jeta. ”Mendo kujt do t’ja besosh katër vjet nga jeta jote që nuk kthehen më”, shkruan Meço.

POROSIA E PLOTË E SONILA MEÇOS:

”Në pavendosmërinë e zgjedhjes, logjika e thjeshtë është më efikase se arsyetimet e gjata:

  1. Jeton më mirë se katër vjet më parë? Ti dhe të shtrenjtët e tu?
  2. Nëse je nga ata 56% të shqiptarëve që do t’ja mbathësh nga ky vend, a nuk është më mirë të bësh t’ja mbathin ata që të detyrojnë të ikësh? Sa t’i bësh ti valixhet po fitoi X lider, ti e detyron X-in t’i bëjë valixhet pushtetit e të të lërë ankthi që s’ka farmaci që ta çliron
  3. Po nëse të gjithë të duken djaj, cili nuk do doje të ta merrte shpirtin?
  4. Do të jetosh me krundet e partisë që të të luajë mendja çdo katër vjet, apo do shtetin që i bën partitë të të vijnë pas avazit gjithë jetën?
  5. Po nëse të joshin reklamat e kandidatëve, mbylle atë dritare e dëgjoje fëmijën tënd, nipçen a mbesën, do të të mësojë si të shuash çdo zhurmë propagande e të dëgjosh veten tënde më të mirë. Çfarë po të thotë? Kë do të votosh?

Besimi i verbër shkatërron jetën tënde, por edhe indiferenca totale të merr më të mirën nga jeta. Mendo kujt do t’ja besosh katër vjet nga jeta jote që nuk kthehen më. Gjithçka vërtetë ndodh për një arsye, por ndonjëherë arsyeja je ti, vota jote e gabuar, e një vendimi budalla çasti, ose vota jote e mençur e një vendimi të thjeshtë që i përgjigjet të paktën një nga pyetjeve të mësipërme. Mendohu mirë dhe lëri ato kartmonedha që të blejnë votën, se në këmbim po u jep të ardhmen e fëmijëve. A ka çmim për ta pash Zotin”?

Please follow and like us: