Veton Surroi: Një model gjerman për të qeverisur Kosovën (LDK-Vetëvendosje)
PDK-ja dhe Lista Serbe vepruan bashkë kundër shumicës në Kosovë dhe rendin e kanë të rrinë bashkë në opozitë për një leksion të rëndësishëm: si të bëhen opozitë luajale, që vepron kundër pushtetit e jo shtetit
1.
Në sistemin binar plus-minus janë dy qasje që, nga perspektiva e interesit shtetëror të Kosovës, mund ta formojnë Qeverinë e ardhshme të saj.
E para është ajo “minus”, që përshkruan se kush duhet të mbetet në opozitë, pra partitë që në asnjë formë koalicionesh s’do të ishin në Qeveri. Kandidatët evidentë për këtë, nga aspekti i interesit shtetëror, janë PDK-ja dhe Lista Serbe. Që të dyja subjektet, në mënyrën e vet, kanë punuar kundër interesit shtetëror. PDK-ja prej kohësh është subjekti përgjegjës për kapjen e shtetit, pra për rrënimin e institucioneve të demokracisë e të shtetit- prej sektorit të sigurisë, arsimit, ekonomisë, shëndetësisë…Për më tepër, nën kryesimin e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, Kosova zhvilloi një proces negociator me Serbinë që, po të mos ishte ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese, do ta institucionalizonte të drejtën e Serbisë që të bashkadministrojë Kosovën.
Lista Serbe, produkt edhe i politikës së PDK-së, është deklaruar haptazi se përfaqëson interesin e Serbisë në Kosovë. Në mandatin e kaluar përfaqësuesit e Listës Serbe shprehën haptazi se kryeministër e kishin atë të Serbisë, jo të Kosovës.
PDK-ja ka punuar kundër interesit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, duke kapur shtetin, resurset e tij, institucionet që duhej të ishin në shërbim të shumicës. Ndërkaq Lista Serbe ka punuar kundër interesit të shumicës, duke grabitur interesat legjitime të serbëve të Kosovës e duke ia dorëzuar Beogradit. Meqë të dy subjektet në formë të vetëdijshme kanë punuar kundër shumicës së qytetarëve të Kosovës, interesi i vendit kërkon që të kalojnë në opozitë. Duke mos qenë në pushtet, i pret edhe një periudhë mësimi: që të jenë opozitë luajale, pra opozitë ndaj pushtetit, jo ndaj shtetit.
2.
Përcaktimi i “minusit”- veprimi kundër interesave të shumicës- e ndihmon, por jo domosdo e përcakton “plusin”.
Plusi duhet të jetë më shumë sesa e kundërta e PDK-Listës Serbe, pra duhet ta ketë arsyen e ekzistencës jashtë vetëm faktit (ndonëse shumë të rëndësishëm më vete) se është kundër kapjes së shtetit apo ftesës që Serbia të bashkadministrojë me Kosovën.
“Plusit” mund t’i ndihmojë një fakt jo aq i theksuar në opinionin publik. Në këto zgjedhje për herë të parë kemi dy subjekte që janë pjesë të familjeve politike evropiane. Lëvizja Vetëvendosje mori pjesë në këtë garë zgjedhore si parti me program socialdemokrat, dhe me përkrahjen eksplicite të Internacionales Socialiste duke iu bashkëngjitur në skenë ndërkombëtare LDK-së, e cila prej kohësh është anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), kryetari i së cilës shprehu përkrahjen duke qëndruar personalisht në Prishtinë.
Anëtarësimi në familjet politike evropiane ka të bëjë sa me ardhmërinë evropiane të vendit, aq edhe me një dimension të rëndësishëm, me racionalizimin e veprimit politik, shndërrimin e veprimit politik në kategori të matshme me standard ndërkombëtar.
Rrjedhimisht, nëse LVV-ja dhe LDK-ja do të vendosnin që të krijonin një koalicion qeverisës, ky do të ishte veprimi politik i një partie socialdemokrate dhe i një partie konservatore, diçka tanimë e parë në disa shtete evropiane, e si model i qëndrueshëm më së shumti në demokracinë më të avancuar evropiane, në Gjermani.
3.
Çfarë mund të ishte veprimi racional i një qeverisjeje të këtillë,matur me standardet ndërkombëtare?
Bukur më shumë i shpjegueshëm për politikën evropiane se ç’mendohet. Ta marrim evolucionin shtetëror të Gjermanisë të shekullit XX dhe do të shohim se si LVV dhe LDK në fakt pajtohen në të tria kategoritë e zhvillimit të shtetësisë gjermane, gjegjësisht modelit të shtetit evropian.
LVV-ja dhe LDK-ja në forma të ndryshme kanë manifestuar atë që në shekullin XX ka qenë shenja identifikuese e partive konservatore, shteti i së drejtës, pra i barazisë së qytetarëve para ligjit. Pra, i çkapjes së shtetit në gjyqësor, i ndarjes së tij prej ekzekutivit, dhe krijimit të mbikëqyrjes parlamentare.
LVV-ja dhe LDK-ja në forma të ndryshme kanë manifestuar atë që në shekullin XX bashkoi konservatorët me socialdemokratët gjermanë: nevojën e një shteti zhvillimor që hap perspektiva për ekonominë e vendit. LDK-ja duke qenë në Qeveri ka kuptuar se pos disiplinës financiare ka shumë për të bërë në atë që duhet të jetë përmbysja e logjikës së deritanishme, të formuar nga PDK-ja, se punëdhënësi më i madh i vendit është shteti, dhe përfituesit më të mëdhenj të tij janë operatorët ekonomikë klientilistë.
Nga Veton Surroi/Dhe, LVV-ja dhe LDK-ja në forma të ndryshme kanë manifestuar nevojën e dimensionit social të shtetit. Në fakt, qe LDK-ja me Qeverinë e Përkohshme që gjatë viteve të okupimit parashtroi si të parin ndër të parët çështjen e arsimit si një funksion social që ka më shumë domethënie për shqiptarët se për cilindo popull tjetër evropiane.
Pra, një Kosovë në të cilën sundon ligji, krijohen kushte për zhvillim afarizmi e punësimi dhe në të cilën frytet e zhvillimit ekonomik gjejnë një rishpërndarje të drejtë tek shumica, për arsim e shëndetësi publike e cilësore nuk ka pse të mos lexohet si projekt racional dhe i matshëm me kutin evropian.
4.
Skica e këtillë trepikëshe vetëm tregon për mundësitë, e potenciali i tyre është shumëfish më i fuqishëm në një plan ambicioz qeverisës.
Natyrisht, LVV nuk janë socialdemokratët gjermanë, LDK-ja nuk është CDU dhe , pra , Kosova nuk është Gjermani. Dhe, për më tepër, ekzistojnë probleme të hapura në shtetndërtim, siç është konflikti i papërfunduar me Serbinë, që nuk janë pjesë e një skene politike normale evropiane.
Por ndonëse nuk jemi gjermanë, kjo gjë nuk na pengon të mësojmë prej modeleve të mira. Madje edhe të gjejmë përgjigje për probleme që nuk iu parashtruan të tjerëve, si për shembull, për negociatat me Serbinë, një shteti i cili nuk e ka përfunduar agresionin ndaj vendit tonë e me të cilin duhet të “normalizojmë” marrëdhëniet. Çfarë do të ishte përgjigjja e SPD-së dhe CDU-së kosovare? Për fillim , atë që do të bënin këto dy parti në Gjermani për cilëndo çështje me rëndësi, e lëre më për atë të interesit shtetëror, të krijonin një konsensus. Çfarë do të ishte pika parësore e konsensusit: “dialogu” i deritanishëm në Bruksel është i pamjaftueshëm, nuk ka gjë normale në “normalizimin” e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në vend të kategorive difuze, duhet të vendoset një kategori e matshme marrëdhëniesh mes dy vendeve, ajo e fqinjësisë së mirë.
5.
Ka zgjidhje të tjera për formim të Qeverisë, pos “minusit” dhe “plusit”? Mund të ketë, por gjithsesi duhet të shpjegohen në kategori racionale dhe të kuptueshme brenda nocioneve evropiane të shtetësisë. Zgjedhjet e kaluara mbase mund të kenë krijuar një situatë ku për të ndërtuar qeverisje janë të pamjaftueshme më rrëfimet e bajraktarëve./Koha.net