Albspirit

Media/News/Publishing

Gjermania e fokusuar tek zgjedhjet në Shqipëri, ambasadorja Schütz: Qytetarët të votojnë

Vëmendja dhe interesi i Gjermanisë ndaj zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri të dielën (25 qershor 2017) është përqëndruar tek standartet e tyre: të cilësohen të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi „të lira dhe të ndershme” rikthehet pas zëvendësimit të tij nga misionet vëzhguese të OSBE/ODIHR-it në 2 zgjedhjet e kaluara parlamentare, me togfjalëshinnga misionet vëzhguese të OSBE/ODIHR-it- ishin „zgjedhje sipas standarteve ndërkombëtare” me hapësirë shumë të gjerë, krejt të papërcaktuar dhe të pakuptueshme nga qytetaret e thjeshtë që votojnë.

Ndihma logjistike e Gjermanisë për zgjedhjet

Që rreziku i manipulimit të vota së tyre të jetë sa më i ulët dhe  zgjedhjet të plotësojnë standartin nr. 1 ndërkombëtar „ të lira dhe të ndershme”, Gjermania mbështeti, në prag të zhvillimit të tyre, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) me pajisjen e duhur teknike që në gjuhën e Teknologjisë së Informacionit njihet si „firewall router” që garanton transmetimin e pandërprerë të të dhënave nga qendrat e numërimit të votave drejt KQZ edhe kur energjia elektrike ndërpritet . Ajo mbron gjithashtu sistemin kompjuterik nga sulme të mundshme të piraterisë kompjuterike.

Mbikqyrje teknike e dhënies së votës dhe e numërimit të saj si edhe vëzhgimit nga OSBE/ODIHR

Një kontratë bashkëpunimi, e nënshkruar nga ambasadorja gjermane Sussane Schütz me kryetarin e KQZ, Klement Zguri dëshmon vëmendjen e Gjermanisë që procesi i nesërm zgjedhor të zhvillohet pa probleme. “Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një test i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Pajisja teknike garanton vijimësinë pa probleme të procesit zgjedhor dhe -përtej vëzhgimit të këtij procesi nga OSBE/ODIHR-garanton një mbikqyrje të kujdesshme teknike të dhënies së votës dhe numërimit të saj” tha ambasadorja gjermane Susanne Schütz, pas nënshkrimit të kontratës.

Zgjedhjet dhe Vettingu – karburanti që shtyn drejt hapjes së negociatave të hyrjes në BE

Vlerësimi i zgjedhjeve „të lira dhe të ndershme” ose ndryshe  “kalimi i testit” ka patur përherë rëndësi për Shqipërinë në progresin e saj në proceset integruese euro-atlantike. Por kësaj here rëndësia e saj lidhet me realizimin ose jo të ambicies së Shqipërisë për të hapur negociatat e hyrjes në BE në fund të këtij viti.

Dy janë premisat për të shkuar pranë realizimit të saj: zgjedhjet e nesërme dhe zbatimi i vettingut, kryerja pa zvarritje e skanerit të rreth 1000 gjykatësve dhe prokurorëve dhe largimi i të korruptuarve nga sistemi i drejtësisë. Zgjedhjet dhe rezultatet e para të prekshme të vetting-ut janë karburanti që ҫon Shqipërinë drejt hapjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit në një situatë më të favorshme për zgjerimin e BE me vende të reja si pasojë e Brexit.

Rama u kërkoi për një muaj rrjesht votuesve të rizgjidhet kryeministër, t’i japin votat që PS të ketë maxhorancën në parlament, pra 71 deputetë, për të qeverisur e vetme me qëllimin kryesor hapjen e negociatave, një gjyqësor të pavarur politikisht, të spastruar nga të korruptuarit, shndërrim nga themeli i shtetit dhe shoqërisë. Të njëjtën gjë me fjalë të tjera kërkoi edhe kundërshtari i tij politik Basha.

Pjesëmarrja në votim

Guri kilometrik që duhet të arrijë Shqipëria me zgjedhjet e nesërme kalon nga pjesëmarrja e qytetarëve në votim. Fushata minimaliste e këtyre zgjedhjeve u shfaq jo vetëm në anën vizuale por edhe në indiferentizmin e votuesve, mungesën e dëshirës së votuesve me vokacion të kundërt politik për të bërë debate të zjarrta, që në të shkuarën jo të largët përfundonin me nxjerrje thikash dhe pistoletash. Analistët e pavarur politikë e shohin këtë qëndrim më shumë si indiferentizëm e abstenim sesa si emancipim dhe tolerancë ndaj dikujt që mendon ndryshe.

Schütz: Qytetarët të votojnë

Pjesëmarrja në zgjedhje i jep rezultatit legjitimitet dhe është shenjë absolute e demokracisë përfshirëse, si vlerë e BE. Në këtë kontekst vjen edhe thirrja e ambasadores gjermane Susanne Schütz drejtuar gjithë qytetarëve me të drejtë vote në Shqipëri që të „shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në zgjedhje”. Reformat e thella për të cilat ka shumë nevojë Shqipëria kërkojnë pjesëmarrje në votim për t‘i dhënë legjitimitetin e duhur parlametit dhe qeverisë së re.

Në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen të dielën në garë janë 18 subjekte politike nga 46 të regjistruara fillimisht në KQZ. Procesi zgjedhor po vëzhgohet nga mbi 5 mijë vëzhgues afatshkurtër dhe aftagjatë si edhe nga misionet diplomatike në Shqipëri. Për herë të parë 1367 persona të dënuar nuk do të kenë të drejtën e votës, si pasojë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Nesër do të garojnë 2666 kandidatë për 140 vende në Parlament, të cilët zgjidhen për një periudhë 4 vjeçare në një sistem zgjedhor proporcional, me zona zgjedhore shumë-emërore në bazë të 12 qarqeve elektorale që ka Shqipëria.

Please follow and like us: