Historiku i 8-të zgjedhjeve parlamentare që prej 1991; bilanci PS – PD
Zgjedhjet e sotme janë të tetat të zhvilluara në Shqipëri që nga viti 1991.
Asnjëra nga votimet për të nxjerrë parlamentin shqiptar nuk ka marrë çertifikimin si “zgjedhje të lira e të ndershme”, por prej 20 vitesh çertifikuesit e OSBE-ODIHR-it kanë përdorur o shprehjen “Zgjdhjet janë shoqëruar me parregullsi të shumta”, ose “Zgjedhjet ishin një hap më parë se të mëparshmet”, ose shprehjen: “Ishin një shans i humbur për të arritur standardet demokratike”.
Megjithatë duhet thënë që zgjedhjet më të njohura dhe të pranuara kanë qenë ato të 22 marsit 1992, në të cilat rezultati duket ishte më i rëndësishëm sesa standardet.
Njëjtë edhe si në 23 qershor 2013, ku ambasadori amerikan në atë kohë, Aleksandër Arvizu, deklaroi se zgjedhjet janë të rëndësishme si në vitin 1991.
Pra, ndërsa në vitin 1992 kërkohej prej ndërkombëtarëve humbja e pushtetit nga PS-së, në vitin 2013 kërkohej largimi i Berishës nga qeverisja.
1991
Më 31 mars të vitit 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para pas shpalljes së pluralizmit në dhjetor të 1990-s.
Në këto votime Partia e Punës e Shqipërisë e udhëhequr nga Ramiz Alia, që kontrollonte të gjithë pushtetin në vend, madje edhe numërimin dhe administrimin e zgjedhjeve, arriti të sigurojë 2/3 e Kuvendit me 250 deutetë, por humbi thuajse në të gjithë qytetet kryesore. Emblematike ishte humbja e vetë Alisë në zonën e Tiranës ku ishte themeluar Partia Komuniste, pra në rrugën e Dibrës ku sot ndodhet njësia 8 dhe që është tashmë një bastion i së djathtës. Por ai parlament, megjithëse zgjodhi një president dhe 3 qeveri, e pati jetën të gjatë vetëm një vit.
1992
Në zgjedhjet e 22 marsit 1992 ndodhi panorama e kundërt e zgjedhjeve të një viti më parë. Në këto zgjedhje ishte PD-ja që fitoi 60% të votave apo gati 2/3-tat, që më pas i humbi pas largimit të një grupi deputetësh. PS-ja, e rithemeluar në kongresin e 10 të PPSH-së në vitin 1991 mori vetëm 38 deputetë dhe këto të nxjerrë nga listat e proporcionalit.
1996
Më 26 maj 1996 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të radhës që përfunduan në një kaos dhe përplasje të madhe. Si pasojë e dhunës dhe sherrit paraprak, opozita shpalli në mëngjesin e 26 majit largimin nga zgjedhjet dhe u bëri thirrje komisionerëve të largohen nga qendrat e votimit.
Komisionerët demokratë, të dehur nga “rasti” që u jepej, futën fletë votimi në kuti dhe si përfundim PD shpalli fitoren në orën 11.00, ende pa përfunduar as gjysma e procesit. Në fund PD arriti të fitojë…80%. PS mori vetëm 6 deputetë. SHBA dhe BE kërkoi përsëritjen e zgjedhësve në 40 zona, por Sali Berisha nuk pranoi dhe vendi hyri në një stinë përplasjeje, e cila çoi në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997.
1997
Në zgjedhjet e vitit 1997, më 28 qershor, Partia Socialiste fitoi mbi 2/3 e Parlamentit dhe PD-ja nuk pranoi rezultatin duke deklaruar se në gjysmën e vendit ajo nuk u la të bëjë fushatë prej bandave të armatosura. PD mori Presidentin, qeverinë, ndërkohë që Kontrollin e Lartë të Shtetit ia dha një partie të vogël të opozitës, siç ishte Balli Kombëtar.
2001
Në zgjedhjet e 21 qershorit 2001, PS-ja fitoi sërish zgjedhjet duke marrë shumicën por jo mazhorancën për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Për këtë u shpik “Dushku” apo përdorimi i votave të një fshati për të siguruar në proporcional zgjedhjet e 3 deputetëve.
2005
Pas 8 viteve në pushtet, socialistët humbin zgjedhjet pas një konsumimi dhe përçarje, si pasojë edhe të daljes së LSI-së, parti që Ilir Meta e formoi me një grup drejtuesisht të PS-së. Në 3 korrik 2005 PD fitoi më shumë deputetë duke dalë parti e parë, por nuk mori shumicën që i duhet për të qeverisur, ndaj bëri koalicion me Lufter Xhuvelin, Vangjel Dulen dhe demokristianët e Nard Ndokës.
2009
Në 29 qershor 2009 ndodhi edhe rasti më i paprecedentë deri atëherë kur realisht ndodhi barazimi jo virtual por real i votave ndërmjet të majtës dhe të djathtës dhe LSI u bë parti që vendosi për qeverisjen e Sali Berishës. PD me aleatët mori 70 deputetë, PS mori 66 kurse LSI-ja 4.
2013
Në zgjedhjet e vitit 2013 dominoi aleanca mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët lidhën një aleancë parazgjedhore, duke siguruar plot 64 deputetë, ndërsa PD dhe aleatët e saj morën 55 deputetë. Vetë PD mori 44, kurse aleatët e saj siguruan 11. PDIU ishte forca e 4 me 5 deputetë.
Dhe sot…
Nëse tek bilanci i përgjithshëm i dy forcave kryesore politike, PS-së i bashkangjisim dhe PP-në e ‘91-shit, e fitoren e 26 majit gjithsesi ja faturojmë PD-së, që zyrtarisht ashtu njihet, me gjuhë futbollistike rezultati është barazi 4 me 4. Sot, më 25 qershor 2017, pritet të shihet se cila palë do jetë në avantazh ndaj palës tjetër. /tesheshi.com/