Ilir Levonja: Voto; më mirë një zgjedhje e keqe, se sa një votë e vdekur!
Ca fjalë (jo këshilla) atyre që rrihen e vriten. Atyre që marrin lekë për një votë. Dhe atyre që nuk votojnë.
a. U dogjën 3 makina në Sarandë. Kurse në Lezhë ka shkëmbime me armë zjarri. Presidenti Meta u nis me shpejtësi. Dhe u kërkoi simpatizantëve të tij të bëhen trup i vetëm përpara plumbave për mbrojtjen e votës së lirë.
Vëllezër socialistë, rilindas e lësëista. Mos përbaltni njëri-tjetrin. Mos digjni njëri-tjetrin. Mos vritni njëri-tjetrin.
Se nesër Meta dhe Rama bëjnë aleancë prapë. Qeverisin prapë. Dhe juve u rroftë mëria, hiri. Dhe ceremonitë e përkujtimore të të ndjerëve.
Eshtë thjesht ditë votimesh.
b. Ju që merrni lekë, për një votë. Për një fjalë të dhënë. Për të dhënë votën tuaj. Merrini ato para. Merrini ato pako me miell e makarona. A vaj, e konserva. Merrini pa gajle. Se djersa juaj janë. Nga hisja e kalamajve tuaj kanë dalë.
Dhe shkoni e votoni. E votoni për kë t’ua ketë qejfi. Për kë t’ua dojë zemra. E mos u tutni. Mos t’u vijë hiç turp.
Pasi ata kanë gati një gjysëm shekulli që po u mashtrojnë. Kurse ju një herë në katër vjet. Bëjeni pa skuqe faqe se, edhe Zoti do ua bëj hallall.
c. Mbrapshtia e një shoqërie fillon nga indeferenca sociale. Dhe sidomos në demokraci. Në kohën e Enverit shkonim në rresht. Buçiste radio që herët në mëngjes. Shkonin me qejf.
Ata që thonë sot se, nuk është kështu… janë pjesë e butaforisë sonë të deritanishme. Janë pjesë e fallcitetit tonë komik të përditshëm. Që hiqen …? Çfarë nuk hiqen! Disedentë, anti Envera, rrevolucionar të progres angllishit shqiptar. Në fakt e donin aq shumë sa nuk është e zorshme ta kuptosh edhe sot. Mjaft t’u kalosh dorën mëndjeve të tyre.
Plot punë vullnetare janë. Po nejse në rresht shkonin. Me dajre, daulle, e valle…,me qejf për t’ia futur vetes.
Sot prapë ia fusim vetes. Jo me dajre e daulle. Por me indiference birrash e qoftesh.
Voto. Më mire një zgjedhje e keqe, se sa një votë e vdekur.