Lobimi për Rrugën e Arbërit tani kërkon drejtim të ri
Dr. Gëzim Alpion
Zhurma që filluan të bëjnë partitë kryesore në pranverën e vitit 2013 në lidhje me Rrugën e Arbërit më shtyri të konsultohem me disa intelektualë dibranë në Shqipëri dhe jashtë për të gjetur një mënyrë të re për të ngritur zërin në mënyrë të pavaruar për këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore për të cilën dibranët janë mashtruar që nga viti 2005, kur u aprovua fizibiliteti i saj megjithëse pa një projekt të plotë i cili mungon edhe sot.
Kjo ishte edhe arsyeja e fillimit të peticionit online për rrugën më 18 mars 2013, peticion që do të qendroj i hapur deri në përfundimin e kësaj vepre sipas standardeve ndërkombëtare. Së bashku me kolegët që përkrahën që në fillim peticionin, e bemë të qartë se iniciativa jonë nuk përbënte një fillim, por një fazë tjetër në përpjekjet lobuese prej tre dekadash të dibranëve për këtë vepër. E veçanta e nismës tonë ishte se ne nuk do të bënim lojën e asnjë force apo kualicioni politik, ashtu siç nuk do të hiqnim dorë nga lobimi, pavarësisht presioneve, sulmeve dhe akuzave, që nuk munguan që në fillim.
Ne i mbajtëm premtimet për më shumë se katër vite, por jo atë të dorëzimit formal të peticionit pranë qeverisë që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Kjo nuk u realizua jo vetëm sepse kryeministri i saj na i mbylli dyert por edhe sepse ajo qeveri falimentoi dy muaj para përfundimit të mandatit.
Dorëzimi formal i peticionin nuk përbënte qëllim në vetvete. Objektivi ynë kryesor ishte fillimi i një dialogu konstruktiv me qeverinë. Për fat të keq, kjo nuk na e lejua.
Megjithatë, ne e vlerësojmë dialogun konstruktiv që patëm gjatë katër viteve të fundit me një numër politikanësh në Shqipëri dhe Maqedoni, përfshirë Presidentin Bujar Nishani, Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, dhe Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Këto takime, përfshirë edhe kontaktet e vazhdueshme dhe korrekte me gjashtë deputetët e Dibrës, dëshmojnë se dialogu ndërmjet shoqërisë civile dhe politikës, megjithëse jo gjithmonë i suksesshëm, është i mundshëm dhe i domosdoshëm.
Për mua ishte nder dhe privilegj që gjatë katër viteve të fundit të bashkëpunoj, pothuajse çdo ditë, me disa miq dhe kolegë në Shqipëri dhe jashtë për një çështje kaq të rëndësishme për Dibrën e copëtuar, Shqipërinë veri-lindore dhe disa vende ballkanike. Pa përmendur emra, me këtë rast dua t’i falendroj të gjithë për besimin që patën që në fillim në motivet që më shtynë të filloj peticionin. Po kështu, u jam mirënjohës më shumë se 11,000 nënshkruesve të peticionit (8,500 online dhe 2,500 në formularë) për përkrahjen e tyre. Këta përkrahës janë nga çdo zonë e Shqipërisë, Kosovës, Malit te Zi, Maqedonisë dhe çdo vend i botës ku gjenden bashkëatdhetarët tanë. Mes nënshkruesve ka edhe të huaj që i duan të mirën Shqipërisë dhe kombit tonë.
Për mua do të mbesin të pashlyeshme mikpritja dhe përkrahja që gjetëm kudo ku kuvenduam për rrugën në Peshkopi, Maqellarë, Vlorë, Tiranë, Dibër të Madhe, Tetovë, Shkup, dhe Prizren. Bashkë me kolegët e Grupit të Lobimit, u jam mirënjohës të gjitha mediave, editorëve dhe gazetarëve shqiptarë në Ballkan dhe diasporë, si dhe mediave në disa vende të huaja si India, Britania e Madhe dhe Sllovakia, për përkrahjen dhe hapsirën e vazhdueshme që i dhanë lobimit tonë.
E shikoj të rëndësishme të theksoj se në katër vitet e fundit Grupi i Lobimit nuk ka pasur asnjëherë një drejtues në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk kemi rënë dakord për çdo gjë në çdo kohë por asnjë vendim nuk është marrë pa pëlqimin e të gjithëve. Ka pasur momente kur më është dashur të flas në emër të Grupit të Lobimit. Megjithatë, edhe në këta raste unë kurrë nuk kam qënë drejtues.
Sot në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe së shpejti do të mësojmë kush do ta qeverisë vendin gjatë katër viteve të ardhshme. Kushdo që të fitojë zgjedhjet, ne urojmë që të mos ndjekin shembullin e paraardhësve në shumë gjëra, por veçanërisht në mungesën e vëmendjes ndaj Shqipërisë së ‘largët’ për të cilën Dibra ka kohë që është bërë sinomim.
Duke patur parasysh realitetin e ri politik, mendoj se është në të mirën e lobimit për Rrugën e Arbërit që unë të spostohem, ndërkohë që do të vazhdoj të jap kontributin tim modest për zhvillimin e Dibrës dhe Shqipërisë. Spostimi im do tju jap mundësinë intelektualëve të tjerë të fillojnë pa humbur kohë të mendojnë se ç’duhet bërë që qeveria e re dhe deputetët e rinj të tregojnë konkretisht që në fillim të mandatit se vërtet po e venë ujin në zjarr për të përmbushur premtimet e bujshme elektorale në lidhje me këtë vepër jetike dhe strategjike, dhe jo vetëm.
*Profesor në Birmingham (Angli)-25 qershor 2017