Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Zheji: Qe-pallimi që fundosi Partinë Demokratike

Ustai i Gjatë dhe i Riu nga Hollanda. Ndejtën 3 orë pasmenate, Basha dhe Rama. vetëm dhe krejtësisht vetëm pasi ndrruan zyrat e takimit për të dytën herë. Pinë cigare sëbashku dhe Ustai i Gjatë, i dha disa leksione, të Riut nga…

Ustai i Gjatë dhe i Riu nga Hollanda. Ndejtën 3 orë pasmenate, Basha dhe Rama. vetëm dhe krejtësisht vetëm pasi ndrruan zyrat e takimit për të dytën herë. Pinë cigare sëbashku dhe Ustai i Gjatë, i dha disa leksione, të Riut nga Hollanda, se si duhet të ecnin më tej, si dy miq-armiq. Se si duhet ta bënin fushatën dhe se si duhet të hiqnin qafe kundërshtarët e brendshëm. Dhe i Riu nga Hollanda, që shquhet për kujtesë të fortë riprodhuese, ndoqi pikë për pikë, këshillat “vëllazërore” të Ustait të Gjatë… Ndoqi “Këshillën e Parë” të Ustait kryeministër: “Spastroi listat e PD, nga disa shtylla të bezdisshme për të, por që sjellin vota dhe kanë pas krahëve investimin e një jete në politikë dhe në elektorat.”

Duke nxitur në kushte krejt të pafavorshme, rrjedhjen e mijëra votave drejt PS apo bllokimin e mijëra votave të tjera, që ndejtën në shtëpi. Pastaj votoi me mendjelehtësi “Këshillën e Dytë”: Eleminimin e koalicioneve, duke nxjerrë jashtë lojë Agron Dukën, Fatmir Mediun dhe të tjerë dhe partitë e tyre, duke humbur kësisoj në tavolinë mijëra vota të vlefshme, që krijuan edhe ato fillimin e fundosjes dramatike të PD.

“Këshilla e Tretë” ishte ajo më e guximshmja që Ustai i bëri. “Godit LSI dhe Metën o Lul” mendohet ti ketë thënë Ustai, “se ai na merr vota dhe na prish punë…” Dhe Luli e ndoqi këtë këshillë duke marrë hua tekstet e këngëvë elektorale të Ustait: “LSI, me një dorë në bakllava dhe me një dorë në revani! Duhet ta presim atë dorë!” – bërtiste Luli, besimplotë te këshillat e Ustait të Gjatë. Dhe humbi shpresën e pushtetit të demokratët dhe humbi disa mijëra të tjera vota, ndërkohë që Ustai ngrinte si Luli të dy gishtat lart.

“Këshilla e Katërt”, lidhej me iluzionin se do të bënin një bashkëqeverisje të tipit gjerman sëbashku… Se e keqja ishte LSI dhe partitë e tjera, ndërsa ata, ishin bakllavaja dhe revanija e pushtetit. Dhe pasi dolën nga ajo natë e gjatë takimi kokë më kokë, bënë edhe një “qe palla” duke filluar epokën e re dhe të çuditshme të “qepallimit”, PD-PS, duke fyer dhjetëra e mijëra votues ideologjikë të PD, që menduan se këta rithemeluan Partinë e Punës, Partinë e dikurshme komuniste pra dhe këto dhjetëra e mijëra vota të ndershme, zgjodhën të rrinë ndershmërisht në shtëpi. Ndërkohë që marrëveshja Basha-Rama, zgjoi entuziazmin e fashitur të votuesve socialist, se pas prishjes së fortë me LSI, në prehërin e tyre do të vinte PD dhe Luli, duke i mbajtur në pushtet dhe u turrën socialistët e dyzuar, që të votonin në “drejtimin e duhur”…

Pastaj pjesën tjetër të madhe e luajtën lumenjtëë e parave të kanabisit, të konçesioneve, të Policisë së Shtetit… ndërkohë që ministri i brendshëm, caktuar nga PD, rrinte si një kukull me dekorata lufte, i pafuqishëm për të shkarkuar edhe një shef të vetëm komisariati. Tani arroganca e pushtetit morri krahë. Më shumë se sa kur u ngrit Çadra e Rezistencës, që u shua në flluskën e një nate, si një flutur që digjet në gracën e mickonjave. Ditë më të mira do të vijnë sigurisht, për Ustain dhe gjeneralët e fushatës së tij. Tani Partisë Demokratike, i ngelet të shijojë edhe frytet e Vettingut që po vjen. Se pas bojkotit të demokratëve të ndershëm, do të fillojnë edhe dezertimet masive, të demokratëve servilë të oborrit, që do të hidhen me kokë nga anija që po mbytet, për të kapur ndonjë komardare ngjyrë rozë./360grade.al/

Please follow and like us: