Albspirit

Media/News/Publishing

Mero Baze: Zgjedhjet që prodhuan një opozitë të re

Zgjedhjet duket se i kanë dhënë fitoren Partinë Socialiste, jo aq për shkak të shtimit të votave të saj, por për shkak të abstenimit të votuesve që kanë mbështetur opozitën, për shkak të problemeve brenda saj. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, ku votuan 50 për qind e listës formale (që është rreth 80 për qind e listës faktike të atyre që banojnë në Shqipëri), në këto zgjedhje kanë votuar 45 për qind e listës formale. Pra, kemi një rënie me pesë për qind të listës formale të votuesve, që në mënyrë të qartë i adresohet problemeve të opozitës.

Ky është një shembull i fortë, se si rregullat e demokracisë së brendshme në një parti politike të madhe, kthehen në një ndëshkuese të madhe për një parti, edhe kur ajo është në opozitë, pasi frenon ngjalljen e shpresës dhe vret idenë e bashkimit.

Është kjo arsyeja që votuesit e opozitës kanë preferuar të shkojnë në plazh, apo të rrijnë në shtëpi, duke mos pasur besim tek fitorja e partisë së tyre.

Edi Rama ka ruajtur në mënyrë të pazakontë votat e tij, duke i shtuar ndoshta ato në një shifër të papërfillshme, por që përkthehen në mandate më shumë, për shkak të sistemit të konkurrimit individual të partive. Ky në fakt ishte basti i madh i Edi Ramës me këto zgjedhje dhe guximi i madh politik i tij, për të sfiduar aleatin e tij më të madh, Ilir Metën. Një guxim i cili ka ndarë historikisht të majtën dhe e ka kthyer LSI-në në një faktor vendimtar për të ardhmen e opozitës në Shqipëri.

Fakti që Edi Rama po ja del, është dëshmi e fuqisë që ka ruajtur mbi të majtën socialiste dhe padyshim e fushatës së tij me energji pozitve, pse jo dhe një populizëm me ngjyra nacionaliste.

Ilir Meta po ashtu ja ka dalë të bëjë një betejë të pazakontë politike, të stilit të vjetër, për të ruajtur kuotat e tij politike. I vendosur mes dy zjarresh pas marrëveshjes Rama – Basha, Ilir Meta u përfshi në një betejë të jashtëzakonshme politike, duke hedhur poshtë kostumin e presidentit të zgjedhur dhe duke tentuar t’i tërheqë kundërshtarët në një betejë edhe fizike, me shpresë se aty do t’i mundte. Pavarësisht tensioneve të skajshme dhe retorikës së LSI për të qenë “forcë e parë”, mendoj se fakti që Ilir Meta arriti të ruajë mandatet e veta, dëshmon një parti të superstrukturuar për t’u vetëmbrojtur. Kjo e bën atë një aktor të rëndësishëm politik në të ardhmen, sidomos në raport me opozitën e Partisë Demokratike. Ai do të jetë diktues i madh i rregullave të lojës edhe brenda PD, për të ardhur në pushtet.  E ardhmja e PD dhe sidomos rruga e saj drejt pushtetit, tani nuk kalon vetëm nga Lulzim Basha, por dhe nga Ilir Meta, i cili ngjan më shumë se Basha, si pasardhës i Berishës. Këto zgjedhje po prodhojnë një fitues të qartë, por një opozitë të paqartë. Dhe paqartësia  e opzitës së re, është se të gjitha llogaritë tani duhet t’i bëjnë me Berishën e Metën, dhe jo me atë që ka vulën e partisë.

Please follow and like us: