Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri ÇOKU: NXITONI,  NXITONI,  PRA… Ç’ PRISNI?

 

tregim

 


…Tri ditë me radhë shoku im i fëmijërisë Elmaz.I.  kërkonte me këmbëngulje të takohej me mua, pasi kishte  diçka të rëndësishme për të  thënë.  Uleshim për të pirë kafe, por kjo i forej në fyt atij. Trembej të hapte gojën. E kuptoja që s’ishte hall familjar, ndryshe, me siguri do ma kishte treguar qysh ditën e parë. Problemet familjare ia tregonim njëri-tjetrit pa ngurrim, ndaj edhe nuk e ngucja. Prisja që   të dilte  vetë aty ku e kishte hallin, pa e detyruar. Ama, ditën e tretë, plasa, e humba durimin…  Ngula këmbë. Sido që të ishte puna, ne,  qysh fëmijë s’kishim  l
ënë gjë  pa ia treguar  njëri-tjetrit…

 – Ke të drejtë, më tha, por kjo që po më ndodh mua, jam i sigurt se edhe ti s’do ishe treguar më trim…Madje as për kafe s’do të kishe ardhur…

   – Po, hë, të shkretën, nxirre!…Ke tri ditë që më thërret e s’ thua  gjë. Bombë atomike të kishte qenë, me siguri do ta kishe plasur…

   – Bombë thua!..Ç’bombë, o derëbardhë! Unë po të them që është e tmerrshme…

Dhe ndërpreu bisedën duke parë rreth e rrotull, mos e kishte dëgjoi njeri, kur tha,.. “e tmerrshme” …

Kishte të drejtë…Në  atë kohë njeriu trembej nga  vetja…pale nga shoku,  miku, apo ai që të vinte  pranë dhe rrotull…Trembej edhe nga ajri, toka…nga zogjtë në fluturim… Se ishte koha kur në Shqipëri,  me siguri,  në tre vetë, thoshin, njëri  ishte spiun…

Banonim në lagjen “Liri” të Fierit, tejmase e populluar dhe  me probleme të mprehta sociale, ku sot ndodhet “rrotondoja”,  e katër rrugëve, që të fusin në qytetin  e bukur. Pikërisht  te mëhalla e “Vangjel Lules”, siç quhej dikur, ndërsa sot e thërrasin   “Sharrë”, kontrolli i shtetit, si kudo,  edh aty ishte i rreptë dhe  i shpeshtë. Fuksat e Sigurimit venin   e vinin  vërdallë  dhe s’linin    rrugica e  lokale, sidomos ku  pihej  kafe apo   luhej  bilardo,  pa kontrolluar . Po të proftasnin dike që  ishte  I shqetësuar apo  nervoz, ata  i afroheshin  njeriut  si pa teklif për të mësuar    arsyen pse ishte i shqetësiuar : “E kishte   me veteveten,  me persona të tjerë apo me qeverinë?!”

Prandaj e ndërpreu bisedën shoku im i  fëmijërisë…

Ata që s’e kanë jetuarr kohën  e regjimit komunist, sigurisht e kanë të vështirë  të  imagjinojnë  njeriun – fantazmë,   pse ai ishte bërë  i tillë,   sidomos   kur  kishte një hall dhe   donte  ta bisedonte atë me njeriun e vet,  të besuar,  apo qoftë dhe me dike tjetër hallexhi si ai… Në rrugë  a në ndonjë  lokal  rrinte me  sytë katër për t’i “shpëtuar” përgjimit  të kalecave, por edhe njerëzve aty pranë…Ndërsa kur donte të fliste, siç thamë, me mikun a shokun e besuar, patjetër që duhej të tjetërsohej , të   shtirej  sikur ishte   i gëzuar, psh.  për  skuadrën   e zemrës në futboll që  kishte fituar … Ose, ose  i trishtuar për   filmin,  që,  gjasme,   ia  tregonte  shokut…

  Shoku im filloi të zgërdhihej   e të  lumturohej,  kur filloi të tregonte për   skenat  e  një filmi  me aventura dashurie  dhe  batuta humoristike… Ndërkohë… më tregoi se si :  Prej disa ditësh, afër shtëpisë së tij, në qoshe të rrugës, kish filluar t’i  shfaqej një femër  sa herë  ai  kthehej nga puna.  Ajo ishte e dobët, me sy të mavijosur, e lodhur, e uritur, që nuk i fliste, por vetëm i buzëqeshte… Ky ikte, ikte me nxitim, pa e kthyer kokën prapa. Hynte në shtëpi i nemitur, pa guxuar t’u  thoshte gjysmë fjale gruas dhe  të birit njëzetedyvjeçar, që  e prisnin me padurim.   U shmangej deri sa  hynte shpejt e shpejt në banjë   për të lagur fytyrën e për të marrë veten.  Ushqimin e vahktit  e hante me pahir, aq shumë i brengosur ishte. Mbllaçitej, por mendjen e kishte tek ajo… që s’i kalonte të njëzetepestat. Përshtypjen  e moshës ia  krijonte trupi dhe gjoksi i saj i hepuar, i ngjashëm me atë të një vajze ende në grahmat e fundit të adoleshencës…

Ditën e parë s’i patë dhënë rëndësi: “Ishte një femër e zakonshme që rrinte në punë apo   në ”zanatin” e vet!…

Ditën e dytë e kishte marrë si një provokim të  rëndomtë femëror. (Edhe atëherë kishte femra që përdoreshin nga fukarallëku për një shumë fare të vogël).

Ndërsa, ditën e tretë…a – ha!.. Kishte filluar të dyshonte. Mos vallë ajo dilte aty dhe e priste qëllimisht… në të njëjtin vend …në të njëjtën kohë, sa herë ky   do të kthehej  në shtëpi !?

Mirëpo, ajo  s’dukej as e çmendur, as e përdalë !…Me një  fustan të thjeshtë, e palyer, e pakrehur, ose e krehur me ngut , si një femër që   sapo kishte dalë  shpejt e shpejt nga shtëpia… Ia ngulte sytë atij me një domethënie intriguese, por edhe  të frikshme, sikur  këmbëngulte për t’i tërhequr vëmendjen…!!?

  Ndërsa  ai  ikte i hutuar, i tronditur… si një frikacak.

Ç’kërkonte prej tij ajo në sytë  e të gjithve !!?… Ishte lypsare ? …E çmendur?…Apo kishte ardhur koha që edhe ky, si shumë  të sërës së vet, të   ”kontrollohej”  nga Sigurimi i Shtetit,  dhe ajo, një lodër e përdorur kundra   tij ?

– Po të jetë kështu, siç thua, o byrazer, i thashë, ke të drejtë të jesh kaq i tronditur…

Dhe ia shtrëngova dorën për t’i dhënë zemër, ndërkohë  e pashë drejt  e në sy me një ndjenjë solidare.

– Ç’farë do të bësh, tani ? – E pyeta – Si mendon që të shmangësh këtë rreng?

Ai ngriti supet krejt i pambrojtur dhe profan në kësi rastesh. Gati duke qarë, tha :

– Po ti  si do të kishe vepruar në vendin tim?

Të them të drejtën u gjenda i papërgatitur nga kundërpyetja e tij. Meqë  më takonte të tregohesha më  me zemër, i thashë :

– Sot do të shkojmë bashkë në shtëpinë tënde, nëse ndodh gjë, le të na ndodh të dyve…

– Do të shkojmë të dy?

Pyeti i habitur, ngaqë, siç duket, s’u besoi veshëve.

– Po, po ! Pse çuditesh ?..A s’kemi lerë për të vdekur njëherë?

E mbërtheva   nga krahët  për ta shkulur nga vendi. Nuk kundërshtoi.

 Dorëzuam lekët e kafes dhe u nisëm.

Rrugës për në shtëpi më tregoi edhe diçka tjetër…

Ai kishte filluar të dyshonte se para disa vitesh, e kishte njohur atë femër, kur shoqërohej me një djalë të ri e të pashëm,  me të birin e   një të burgosuri politik, që vuante prej vitesh në  burgjet e tmerrshëm të diktaturës. Kjo ngjarje bëri bujë, atëherë. Por, për çudinë e të gjithëve, çift i bukur, me “biografi të keqe”, u zhduk po siç u shfaq,  në mënyrë misterioze. Vajza, në atë kohë, mbahej perri në  qytetin e Fierit.

– Po a je i bindur vërtet se është pikërisht ajo? – E pyeta, se  njeriu gabon  edhe padashur, vetëm nga dëshira për të larguar një të keqe.  Gabon  edhe pa  qëllim se ,   kur të afrohet një  i panjohuri,   ai prapë   të duket i frikshëm, i keq  …

– Jam i sigurt që ajo është… dhe u mbush me frymë…Se, kur ata u zhdukën nga qyteti, u fol, aty-këtu nëpër dhëmbë,  sikur ata  ishin arratisur nga Shqipëria. Pak u fol… kaq pak, saqë historia e tyre brenda dy-tri ditëve u harrua fare. Por   unë e kam të fiksuar edhe për një arsye tjetër. Gruaja ime gjente shpesh  midis librave  të djalit, fotografinë e saj… Ngaqë, siç duket, edhe ai, si të gjithë moshatarët e vet, ëndërronte për një vajzë si ajo…

– Po pse s’thua ti që problemi qenka i thjeshtë…Atë e  dashuroka  djali  yt dhe ajo  përpiqet të  marrë  ndihmën tënde…

– Mos u nxito !…Nuk është ashtu ! Ku ta gjeja të ishte, siç thua ti ! Por ajo s’ka sy për  atë punë…Ç’ne !  Ajo ngjan sikur u ka shpëtuar vorraxhinjëve nga duart… Të shikon ngultas,  në mënyrë të habitshme…sikur kërkon të të thotë diçka…  Por  më qetëson fakti se nuk është e egër, as e ligë. Përkundrazi, duket e ëmbël e fisnike… Çuditem, pse më ka gjetur mua, xhanëm? Ç’ kërkon nga unë ? Pak halle kam  në kurriz, më duhet të mbaj  edhe  të  sajat?… Ptuu!… E martë e mira!… Apo s’jetojmë në këtë   kohë  të pështirë…Një fjalë goje  për  qeverinë dhe… kalbesh në burg… vithisesh me gjithë  familje…me  tërë fisin…

Ai mbylli gojën përnjëherë. Sytë ia nguli harkut të rrugës, ku dhjetra hapa më tej  gjendej  shtëpia e tij. E pashë, i iku fytyra,   gojën e hapte  vetëm  për të thithur ajër më shumë.

– Ja ku është ! – Më tha me zë të mekur – E sheh?…Po pret, si gjithmonë… te  vendi. Me siguri, më  ka parë nga dritarja. S’ është koha as kur kthehem !…E shikon sa këmbëngulëse është? …E çmendur… E  frikshme…

– Mos u shqetëso ! – I thashë qetë-qetë – Jemi bashkë…Jemi të dy…Do ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë…

E  vura re siluetën e saj, që u shfaq plotësisht  në krye të harkut të rrugës. U befasova. Ishte siluetë e brishtë,  e mbuluar nga  një fustan i  gjatë, deri te kyçet e këmbëve (veshje e rrallë për kohën dhe vendin ), i ngushtë, në bel, që  ia nxirrte dukshëm linjat feminile elegante të  trupit  të tretur. Pata një tërheqje  të jashtëzakonshme, edhe pse veshja  e saj  nuk ishte në modën e kohës. Sinqerisht, jo tërheqje mashkullore, më tepër prej kureshtjes  drejt një të panjohure. Jam i sigurt se   vetëm dora e Perëndisë e  tërheq njeriun ashtu  për t’u sakrifikuar ose për të sakrifikuar. Mund të them se iu afrova me trimërinë e një çunaku, që nuk e  çante kokën për shokun  e vet, që vinte prapa si   çilimi i trembur…

Së fundi  u gjenda përballë asaj, që  ma kishte  përshkruar  shoku…   Vetëm një gjë  s’kishte thënë…S’kishte dashur apo  s’e kishte pikasur :   Ajo ishte   krenare dhe aspak me   vështrim  përçmues !  Kjo më detyroi një çast të ulja kokën me sytë përtokë. Ndryshe fliste paraqitja   e saj, ndryshe shprehja e fytyrës. Megjithatë, arrita të mposhtë gjithçka dhe  i thashë:

– Më falni… – Më gjëmoi zëri im në vesh, duke u përpjekur  të përmbaja emocionet –  Ky shoku im… thotë se… e prisni këtu… sa herë ai  kthehet   nga puna. Është i shqetësuar…Ju lutem, a mund të thoni…ç’kërkoni konkretisht prej tij ? Gjynah!… Është familjar. Shikoheni !…Deri më sot nuk ka  njeri  të thotë gjysmë fjale të keqe për të…  Aq  më tepër… biografinë e ka shumë të mirë…

– Zotëri, më falni, jeni keqkuptuar…Unë s’kam punë me njeri…

– Natyrisht, natyrisht, por …

– Atëherë, pse më pret gjithmonë  këtu sa herë unë kthehem nga puna ? – Iu hakërrua   i revoltuar shoku im, duke më ndërprerë bisedën – Pse  shikon sikur do ta   hash njeriun  të gjallë? As të njoh… As më njeh……Pse provokon ?

Ajo buzëqeshi aq ëmbël e miqësisht, në mënyrë tepër të përmbajtur, sa ne u çarmatosëm në çast.

– Unë zotërinj,  – tha dashamirësisht, duke na parë të dyve me vëmendje,  – nuk ndodhem këtu për të provokuar të tjerët… Jam e sigurt  se  zotëria më ka keqkuptuar… Nëse keni dëshirë të më njihni e të  mësoni më tepër  për mua, urdhëroni në banesën time !…Do të ishte në nderin tuaj dhe në  kënaqësinë  timin, natyrisht, që,  duke pirë kafe  ne mund  ta njohim njeri-tjetrin më mirë…  Ma do mendja, mbasandaj,  do të kishim ç’të  thoshim për njëri-tjetrin…Urdhëroni !

Mbetëm të shokuar. Fjala “zotërinj” u duk e çuditshme dhe e huaj për veshët tanë, po aq  dhe tendencioze. Gati e tmerrshme. Pasi ideologjia  e kohës na thoshte  se fjala “zotëri”  ishte  MIKROBORGJEZE.  Megjithatë, ajo na  pëlqeu, na  përkëdheli në shpirt. M’u duk sikur me “zotërinj” ajo na vlerësoi me tepër ç’na takonte…Vërtet, sa mirë të vinte kur të thërrisnin, “zotëri “! Të dukej vetja me origjinë perëndie ! Ndryshe nga  fjala “shok”, sikur të merrte dikush nga turma dhe,   s’ishe  as më shumë e as më pak nga të tjerët…

Ajo e kuptoi pavendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur ftesës dhe ndërhyri po me aq lezet e edukatë :

– Më vjen keq, zotërinj, kur mendoj se do të tregoheni të pasjellshëm, duke refuzuar ftesën e një zonjusheje, që, siç e shikoni, ka dalë në rrugë e pret me orë e ditë të tëra  për të shkëmbyer dy fjalë,  vetëm dy fjalë,  me  ndonjë shqiptar   të vërtetë. Po, po ! Duhet të kuptoni    arsyen time  pse  kam nevojë të bisedoj me burra të vërtetë, nëse mendohet që ka ende  të  tillë  në Shqipërinë tonë të mjerë…  

Ndoshta donte të fliste më gjatë, por nuk mundi,  ngaqë  iu firua zëri, siç duket, iu mpak forca e mushkërive. Aq e lodhur dhe e sfilitur duhet të ishte. Megjithatë, arriti   të buzëqeshte  me sytë gati në të perënduar, duke tundur kokën si në faj… Kërkoi të falur që ndodhej në atë gjendje të rënduar shpirtërore e fizike. Por, të them të drejtën, ende s’kisha vendosur për t’iu përgjigjur ftesës së saj. Se pari, ngaqë u ndjeva i cingërisur në sedrën e burrit, kur tha “burra të vërtetë”, së dyti, kur shtoi “..në Shqipërinë tonë të mjerë”…A  s’ishin këto fjalë, që të  fyenin e të  ngatërronin politikisht ? Ç’ishte kjo vajzë kurajoze, që s’ia bënte syri terr, edhe pse ne mund të mos ishim “burra”, siç i dëshironte ajo ? Që mund ta denonconim për të larguar belanë nga vetja e, me këtë rast,    merrnim ndonjë shpërblim të mirë nga qeveria? Për mua, fjalët dhe veprimet e saja ishin thikë me dy presje, serioze e të rrezikshme. Shoku im kishte pasur të drejtë në parandjenjën e tij se: “…Ajo mund të ishte një bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit ! “. Prandaj, kurrë nuk do ta merrja guximin për të pirë kafe në shtëpinë e saj, nëse s’do të kishte ndodhur pikërisht ajo, që s’e prisja të ndodhte nga shoku im. Nga sedra a budallallëku, ai ia këputi labçe, kur tha :

– Posi, hajde, motra,  shumë mirë…le ta njohim njeri-tjetrin!..Bile, ku të duash ti e pimë kafen – Dhe u kthye nga unë gjithë kapadaillëk – Ec, more ! – Më tha, ngaqë po ngurroja – Nga anët tona i thonë llafit: “Burri nuk mbytet në një filxhan kafe !”

Vetëm tunda kokën dhe shkova pas tyre rëndë-rëndë.

* * *

Ajo banonte në katin e dytë, në një pallat dykatësh, ndërtuar në vitet `60, sipas stilit rus, ngrehinë me apartamente të ngushtë, dhoma e banja të vogla. Kuptohet, për të strehuar  sa më shumë proletarë….

Banesa e saj ishte me mobilie që përdornin zakonisht njerëzit e shtresës në kufirin e varfërisë. Na tërhoqën vëmendjen dy portretet e varur në mur në dhomën e pritjes : Ai i Skënderbeut në njërën anë dhe i Willsonit, Presidentit të Sh.B.A.-se, në vitet `20, në anën tjetër. Na bëri përshtypje, ngaqë ishim mësuar të shikonim në shtëpitë e shqiptarëve vetëm portretet e diktatorit e të udhëheqësve të partisë komuniste, ndryshe, po të zëvendësoheshin me njerëzit e dashur të familjes, ky veprim konsiderohej me tendenca armiqësore dhe njerëzit e shtëpisë shndërroheshin  kontingjent i mundshëm për t’u regjistruar në anën tjetër të barrikadës, me armiqtë. Kjo ishte me zarar. Por, nejse. Nuk e dhamë veten. Pame njëri-tjetrin në sy dhe aq. M’u duk sikur bashkëbisedova me shokun   kur thashë :

– Vetëm banoni këtu, apo…

– Jo, jo !..Nuk banoj vetëm – u përgjigj ajo nga dhoma tjetër, ku ndodhej- Banoj me mamanë…E kam këtu…Por është e sëmurë…Nuk lëviz dot.. E ruaj natë e dite…

Dhe doli prej andej.

– Po babai ?

Ajo na ftoi të uleshim duke buzëqeshur, si për t’iu shmangur pyetjes së paduruar të shokut tim. Na shtrëngoi duart përzemërsisht me të vetat, të vogla e të bukura dhe s’e largoi buzëqeshjen nga buzët, deri sa u ulëm nëpër poltronat e vegjël. Kundërshtoi të uleshim në divanin e madh, pasi, siç tha, nuk e përdornin qyshkur. Poltronat ishin nga ata që prodhonte me shumicë zdrukthëtaria e qytetit, për familjet e punëtorëve të thjeshtë. Na pyeti si e pinim kafen, por e refuzuam :… ”sapo e kishim pirë !”

Ajo iku, u zhduk përsëri në dhomën tjetër dhe u kthye, sa hap e mbyll sytë. Solli dy albume të mëdhenj me fotografi.

– Ju lutem, shikoni këta sa t’iu përgatisë diçka për të pirë!

Iku fluturimthi  në dhomën, ku mendohej se ishte mamaja e sëmurë.

Ne filluam të shfletonim albumet. Kaluam  goxha kohë. Mbaroi secili të vetin, por ajo s’erdhi. Dyshuam. Pamë njeri-tjetrin….Gjithsesi, ishim të detyruar të prisnim. Shkëmbyem albumet. Në çdo faqe gjenim atë së bashku me një djalë shumë simpatik, herë përdore, herë përqafuar, herë në këmbë…shtrirë… Një çift i bukur, i dashuruar marrëzisht…

Ajo u shfaq pa pritur me një tabaka para duarve, krejt ndryshe nga ç’ishte e veshur pak më parë. E stolisur si një nuse. Fustani i bardhë, i gjatë, i zvarritej nga prapa, pa vello, me buzë të kuqe dhe qerpikët e nxirë…I shndriste fytyra. Vërtet një mrekulli. U shastisëm. Unë gati klitha nga habia, por s’e bëra veten, ngaqë  më nduku shoku poshtë këmbëve. Pastaj, ajo s’na la kohë të shprehnim çudinë e të pyesnim përse  ishte veshur në atë mënyrë.

Na afroi përnjëherë gotat në tabaka…

– Urdhëroni! – Na tha – Mos u çudisni që më shikoni veshur kështu… Unë …sot…martohem  Ju të dy do të jeni dëshmitarët e mi të nderuar. Ju   zgjodhi vetë Zoti me dëshirën time  të madhe… Ju lutem, merrni gotat e më uroni !…Mamaja është e pafuqishme, s’mund të vijë për të më uruar… Bashkë me ju….Urdhëroni!

Sapo mora gotën, desha të flisja, të pyesja…por ajo, vendosi përnjëherë tabakanë në tavolinë, ngriti gotën  e saj drejt nesh dhe vazhdoi:

  • Këtë shëndet do ta pimë për të dashurin tim, që kalbet në një gropë, kushedi  ku, në malin e Gramozit…

Uli kokën për të fshehur sytë.  

– Këtë tjetrën, për të ardhmen tuaj që do ta gëzoni së shpejti !

Tringëllijti gotën me tonat dhe e kaloi në gurmaz lëngun e verdhë në goten e saj,  me eks.

– Faleminderit që pranuat të ndodheshit në këtë çast të paharruar të jetës time ! – Tha me sytë që I shkëlqenin nga gëzimi –  E gëzofshi  lirinë , që po afrohet ! Por, ama, ta dini, atë s’do t’jua dhurojë njeri … duhet  ta fitoni vetë…Nxitoni…nxitoni, pra, ç’prisni ! Unë po largohem… Me falni…Po iki nga kjo jetë … Rroftë Liria !… Nuk jam e zonja të vazhdoj …Ai me pret…E dua shumë…Më lodhi diktatura…Në burg mësova të vërtetën…Hapni sytë!…Midis jush po rritet Njeriu i Ri,  Antinjeriu…Njerëzimi s’e ka njohur deri më sot…Hapni sytë, o njerëz, o shqiptar!…La..mtu..mirë… ëëë…ë…

Vaisi kokën djathtas dhe ra në dysheme, si një lule e këputur nga rrënjët. Vdiq e helmuar.

Në dhomën tjetër, unë e shoku im, u tmerruam kur gjetëm edhe nënën e saj të vdekur.

1985

 

Please follow and like us: