Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Në kujtesë të genocidit çam

 
Ideja për të caktuar një ditë përkujtimore në shenjë nderimi, respekti e dhimbjeje për martirizimin e Çamërisë, si dhe ngritja e një memoriali për të përjetësuar këtë ngjarje, nga disa pikëpamje është me vlera kombëtare dhe humane Ka edhe diçka të veçantë e prekëse kur këtë propozim e bën një deputet çam, që diçka kujton nga llahtaria e asaj masakre në fëmijërinë e tij të largët.
Ajo që ndodhi 50 vjet më parë dhe që ishte akti i fundit i tragjedisë çame, përbën një akt-akuzë të rëndë jo vetëm ndaj shovinizmit grek, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është krejt i veçantë në llojin e vet, jashtë kohe e primitiv në konceptim, i verbër e aventurier në veprim dhe gjithsesi helen në pabesi. Ajo që ndodhi 50 vjet më parë e që po ndodh edhe sot në Ballkan, përbën një akt-akuzë ndaj shovinizmit në përgjithësi. Në këtë kuptim, Memoriali i 27 Qershorit është një thirrje shqiptare kundër dhunës e genocidit shovinist, është një mesazh paqeje e respekti ndaj njeriut, mesazh që ne shqiptarët gjithnjë ua kemi përcjellë fqinjve dhe botës dhe gjithnjë kemi pritur e presim të na kuptojnë.
27 Qershori do të jetë njëkohësisht memoriali i dhimbjes kombëtare. Kudo në botë e respektojnë dhimbjen. Ajo ka pasur kultin e vet qysh në lashtësi. Në vështrimin fiziologjik, dhimbja është reagim i trupit, një refleks i vetëmbrojtjes. Një trup, të cilit i humbasin reflekset, vdes. Po kështu ndodh edhe në jetën e kombit. E theksoj këtë sepse aty-këtu ka zëra që përhapin çdo ditë një politikë gjoja “të moderuar” e “bashkëkohore”, e cila synon që ne shqiptarët të jemi kokulur, sepse ashtu e kemi hallin, që ne të sakrifikojmë identitetin kombëtar në këmbim të një pasaporte pune, që ne të heshtim kur na provokojnë, të buzëqeshim kur na shajnë dhe të falim kur na vrasin. Pra, të humbasim reflekset.
Memoriali i 27 Qershorit, simbol i humbjes dhe i dhimbjes kombëtare, do të përcjellë përgjthnjë mesazhin human të domosdoshmërisë së mirëkuptimit ndërnacional e të respektimit të të drejtave të njeriut. Sepse shovinizmi nuk u bën nder, por turp kombeve që e kanë.
Propozimi i z. A.Elmazi i bën një nder të madh veçanërisht PDNJ-s e cila, ma merr mendja, do ta mbështesë e do ta përshëndesë atë, sepse masakra ndaj popullsisë çame, që përbën një krim të rëndë e një genocid shovinist ndaj një minoriteti kompakt e autokton, i veçantë në historinë europiane të këtij shekulli, është një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut. Dhe është në natyrën e partive të të drejtave të njeriut kudo në botë që të marrin nën mbrojtje e të sensibilizojnë opinionin dhe organizmat ndërkombëtare për të denoncuar dhe dënuar dhunën e genocidin, për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve. Çdo qëndrim tjetër i PDNJ-së ndaj këtij problemi, kompromenton rëndë emrin e madh të kësaj partie.
Përfundimisht, mbështes plotësisht propozimin e bërë për Memorialin e 27 Qershorit.
(Nga fjala në seancën parlamentare, 30 qershor 1994).
Please follow and like us: