27 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut
Sot bëhen 27 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.
Me këtë deklaratë, Kosova u shpall njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave, e barabartë me ish-republikat e atëhershme.
Deklarata u miratua nga deputetët shqiptarë dhe disa deputetë të pakicave joserbe, jashtë ndërtesës së Kuvendit, i cili ishtë vënë nën kontrollin e forcave të mëdha policore e ushtarake serbe.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti historik i veprimit institucional për pavarësimin e Kosovës.
Në bazë të kësaj deklarate, më 7 shtator të atij viti, në një mbledhje që u mbajt në Kaçanik, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan edhe Kushteturën e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës që e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut u përndoqën nga pushteti serb, i instaluar me dhunë nga Beogradi.
Pothuaj të gjithë deputetët, pas miratimit të Kushtetutës, ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova, për t’i shpëtuar dhunës e represaljeve dhe dënimeve me burgime të gjata. Disa prej tyre edhe u arrestuan e dënuan për këtë veprim politik që në Beograd u kualifikua si akt kundër Serbisë dhe rregullimit shoqëror të ish-Jugosllavisë.
Për këtë akt të lartë patriotik të tyre, deputetët që e miratuan Deklaratën e 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut ishin dekoruar nga Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.