Anisa Demiraj: Agjenti i dyfishtë Pashko Vasa
Një nga njerëzit më veprimtar, ideolog dhe letrar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare është edhe i madhi Pashko Vasa. Ai nuk ka qenë një njeri i vetëm në rrugëtimin e tij, por ka qenë i mbështetur nga figura të tilla si De Rada, Sami Frashëri e shumë të tjerë, kristalizuan edhe më tej idetë e kësaj periudhe. Gjithë këtë trima të penës me veprat e tyre ndriçuan shumë probleme kombëtare, dhe i vunë themelet një epoke të re që do ta ndriste Shqipërinë dhe shqiptarët për shekujt e ardhshëm.
Pashko Vasa është një fenomen psiko-antropologjik shumë i njohur i njohur, por i pastudiuar ashtu siç duhet të ishte realisht.
Vasa është një nga fytyrat emblematike të Lëvizjes sonë Kombëtare, një nga ideologët e saj të parë që mori pjesë dhe u angazhua që në krye në aksione patriotike në shërbim të atdheut të robëruar. Nga kjo pikëpamje, rruga e jetës së tij do të ishte e gjatë, e mundimshme, plot sakrifica, e frymëzuar nga ideale liridashëse. Ai ka lindur në Shkodër, më 17 shtator 1825, në një familje patriotike me origjinë mirditore, pasi kreu mësimet e para në vendlindje duke qene një i ri inteligjent dhe energjik, pasi punoi si sekretar i konsullatës britanike në qytetin e tij, në moshën 25 vjeçare, i nxitur dhe i inspiruar nga idetë revolucionare, hidhet në Itali dhe merr pjesë aktive në kryengritjen që kish shpërthyer atje dhe lufton kundër pushtuesve austriakë, duke u bërë shpejt dhe oficer i Kalorësisë Qytetare.
Ai shkruan veçanërisht një faqe të lavdishme trimërie e besnikërie në luftën për çlirimin e Venedikut, duke manifestuar një shpirt të lartë vetëflijimi e sakrificash. Edhe pse u kap rob nga austriakët dhe u burgos, ai rezistoi heroikisht deri sa u largua nga Italia dhe vendoset në Stamboll. Kjo periudhë 2-3 vjeçare përbënte vetëm prologun e jetës së tij politike, një jetë të ngarkuar me ngjarje, përpjekje, sakrifica, por dhe vlera që i hapën rrugën e një karriere të gjatë e komplekse politike e jo vetëm politike.
Në Stamboll ai do ta fillojë jetën nga hiçi, duke u marrë me punë të rëndomta, por gjithnjë besimplotë në vetvete, i mbajtur pas mendimesh e planesh të guximshme, me vullnet e kurajë për të shkuar përpara. Jetën që e pret dhe detyrat që i vë vetës djaloshi inteligjent dhe trim e vështron në dy plane: si shqiptar dhe si qytetar i perandorisë turke, i pari që do të përbënte identitetin dhe ndërgjegjen atdhetare, ndërsa i dyti mundësinë dhe aspiratat për mbijetesë në kushtet e shtetit dhe shoqërisë osmane.
Në këto dy drejtime do të orientohet dhe do të përpiqet t’i gjejë vend vetes. Ai kishte, siç dëshmojnë bashkëkohësit, cilësi të çmuara intelektuale, shpirtërore dhe të karakterit dhe do të qenë këto që e bënë të çajë në jetë. Pashko Shkodrani nuk ishte vetëm i zgjuar, i kulturuar, me iniciativë e shpirt krijues, poliglot sado që qe autodidakt (dinte 9 gjuhë të huaja), por i frymëzuar dhe nga ide të mëdha e aspirata të guximshme. Pas punëve të rëndomta, arriti të futet në Shoqërinë e tramvajeve dhe të zërë poste në administratën e huaj.
Tani nuk flinte më në varrezat e armenëve dhe s’endej rrugëve. Kish krijuar në një farë mënyre individualitetin qytetar dhe jo rastësisht, në moshën 25 vjeçare, boton në italisht librin me kujtime “Burgu im” (1850). Ndofta ky moment ka luajtur rol pozitiv në afirmimin e tij, sepse s’kaloi shumë kohë dhe ai u punësua në aparatin e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë. Sukseset që arriti në këtë detyrë, e ndihmuan të ngjisë shkallët e karrierës diplomatike, duke u dërguar me detyra të rëndësishme në Halep të Sirisë dhe në ambasadën turke të Londrës. Më pas ai kreu një mision diplomatik në Bosnje-Hercegovinë.
Kurse më 1878, në kohën e ndezur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Pashko Vasa u caktua këshilltar i Valiut të Kosovës, por në fakt, pa u shfaqur publikisht, falë atdhetarisë dhe diplomacisë së mençur, do të kontribuonte për një orientim të drejtë të veprimtarisë së Lidhjes.
Është kuptimplotë dhe për meritë të tij Pashko Vasa, edhe pse kryente detyra shtetërore të rëndësishme, dinte t’i shfrytëzonte postet në favor të kauzës shqiptare. Kjo veprimtari patriotike nis qysh në fillim të viteve 70, kur së bashku me Kostandin Kristoforidhin, Ismail Qemalin e të tjerë, arritën të grumbullonin fonde për të krijuar një shoqëri për shkronjat shqipe.
Më pas kjo veprimtari u zgjerua duke krijuar një shoqëri kulturore për një alfabet të përbashkët shqip mbi bazën e alfabetit latin, ku Pashko Vasa dhe Sami Frashëri luajtën rolin kryesor. Në 1877, Pashko Vasa u bë anëtar i “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.
Ndërkaq aksionet organizative Pashko Vasa do t’i shoqëronte me studime shkencore kushtuar gjuhës shqipe, siç qe vepra “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (botuar në Stamboll) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (botuar në Londër në frëngjisht), por dhe vepra që e bënin të njohur çështjen shqiptare dhe gjuhën shqipe në botën politike dhe shkencore, si libri “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë”.
Në këtë fushë, ku shpërfaqen shkencërisht idetë e tij politike për fatin dhe të ardhmen e atdheut të tij, është “Shqipëria dhe shqiptarët”, botuar në gjuhën shqipe po të njëjtin vit (1879). Ky vit ishte produktiv dhe për faktin se ai u bë nga themeluesit e “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”. Patriotizmi i thellë i Pashko Vasës nuk mjaftoi të shfaqet e të argumentohet vetëm me veprat studimore, por fill pas tyre ai do të shpërthejë në vargje përmes poemës kushtruese “Mori moj Shqypni e mjera Shqypni”, që mbeti gjithnjë aktuale në historinë shqiptare.
Ajo pati një pritje të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe në rrethet patriotike të diasporës, duke bërë për vete zemrat e shqiptarëve me frymën atdhetare, thirrjet për bashkim kombëtar, qëndrimet realiste dhe frymën e theksuar kritike sidomos ndaj institucioneve fetare. Duke pasur në qendër figurën e nënës, poema ngriti lartë zemrat e shqiptarëve dhe tingëlloi si kushtrim lufte për Shqipërinë e lirë. Aq jehonë pati, sa u përkthye në disa gjuhë të huaja si italisht, rusisht, frëngjisht, gjermanisht etj.
Pashko Vasa u nda nga jeta më 2 korrik 1892, në moshën 77 vjeçare. Ishte guvernatori më jetëgjatë në këtë detyrë të Libanit. Një personalitet që, nën kostumin e burrit të lartë të shtetit, fshihej një nga ideologët dhe udhëheqësit e Rilindjes sonë Kombëtare, një republikan i bindur, intelektual iluminist dhe enciklopedik, krijuesi, poeti, prozatori dhe dramaturgu, historiani dhe gjuhëtari, publicisti dhe ekonomisti.
Nga gjithë sa shkroi dhe na la si trashëgim shpirtëror do të citoja, në përkujtim të 190 vjetorit të lindjes, fjalët e shkëputura nga libri “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, ku përshkruan vizionin që ka për të ardhmen e atdheut të tij: “Në kushtet më të mira, Shqipëria jo vetëm nuk do t’ia kishte zili Zvicrës, por do t’ia kishte kaluar kësaj nga bukuria, poezia dhe fuqia.”
Pashko Vasa nuk do të ishte vetëm publicist, gjuhëtar, historian, memuarialist, por dhe krijues, një shkrimtar i talentuar që dha vepra letrare me vlera, të cilat pasuruan letërsinë shqipe. Ai shkroi në poezi, prozë e dramaturgji. Përveç poemës “Mori Shqypni e mjera Shqypni”, ai botoi përmbledhjen poetike “
Bazuar në studimin e Jahë Sadrija – Pashko Vasa (1825-1892)- Jeta dhe vepra.