Albspirit

Media/News/Publishing

Anisa Demiraj: Kastriotët dhe Topiajt, historia e një martese të ndaluar

Dasmat janë një mënyrë shumë e mirë bashkimi dhe sigurisht që kjo do të vlerësohej dhe do të merrej për bazë edhe nga familjet mbretërore. Kur ka ardhur Gjergj Kastrioti në Arbëri, gjeja e parë që dëshironte ishte që të bashkonte shtetin arbëror dhe ta përqendronte në një dorë, si mund ta bënte këtë? Sigurisht që nga martesa.

Gjergji në kuadër të bashkimit të vendit vendos që motrën e tij, Mamicën, ta martonte me një princ, ku do të garantonte edhe mbështetjen në luftën e nisur kundër turqve, ky princ do të ishte Muzak Topia dhe jo më kot, pasi ndikimi i tij ishte shumë gjerë.

Martesa politike e Princeshës; Mamica Kastrioti me Princin, Muzak Topia, ishte një martesë e imponuar nga vetë Gjergj Kastrioti me qëllim për të forcuar dhe konsoliduar, formacionin e fuqishëm shtetëror të krijuar nga “Besëlidhja e Lezhës (2-mars-1444) “.

Princesha, Mamica Kastrioti edhe pse njihej për bukurinë dhe virtytet e saj të larta, ajo kishte zgjedhur për t’u betuar si “Burrneshë” duke refuzuar çdo kërkesë për martesë pasi menjëherë pas vdekjes së Princit, Gjon Kastrioti në vitin 1437, ajo ju përkushtua plotësisht përkujdesjes ndaj nënës së saj vejushë Princeshës Vojsava (Tribalda-Kastrioti) dhe që të dyja këto Princesha fisnike i luteshin Zotit duke pritur rikthimin e Hyjnorit Gjergj Kastrioti, ndërkohë që po mbijetonin në një varfëri biblike, diku në fshatrat malorë të trevës së Matit ku po vuanin me urdhër të vetë sulltan Muratit të II-të.

Thuhet se Princesha e moshuar Vojsava, ndërroi jetë me zemër të plasur nga hidhërimi duke lënë të vetme Princeshën Mamica dhe pa arritur që të përjetojë rikthimin e Birit të saj të shtrenjtë, djalin e saj më të vogël, hyjnorin Gjergj Kastrioti të cilin po e priste me ankth i gjithë Populli Arbëresh.

Menjëherë pas rikthimit të Gjergj Kastriotit shpërthyen ofertat për t’i kërkuar dorën e motrës së tij të vogël Mamica ku kandidatët ishin jo vetëm me Kombësi Arbërore, por edhe greke, serbë, boshnjakë, raguzianë, hungarezë, vllehë, veneciane, napolitane etj. Zgjedhja ishte e gjitha në dorën e vëllait të saj hyjnor, i cili si për çudi, kërkoi që ta lidhte në një martesë të imponuar me princin Muzak Topia ndërkohë që ky fisnik i fuqishëm ishte rreth 20-vite më i madh në moshë sesa Mamica dhe ndërkohë ishte i martuar me princeshën Zanfina Muzaka me të cilën kishin edhe 2-fëmijë.

Pa dashur që të bëj avokatin e  Gjergj Kastrioti, por rrethanat e kohës dhe interesat politiko-strategjike e kërkonin një lidhje të tillë martesore, qoftë edhe duke shkatërruar lumturinë e një Familje fisnike, katolike-Arbërore ku nuk lejohej divorci apo martesa me një grua të dytë.

Princi Muzak Topia u tregua i gatshëm që të braktisë bashkëshorten e tij Zanfina Muzaka duke u lidhur në martesë me princeshën Mamica Kastrioti, por ai mbajti të dy fëmijët që kishte nga martesa me princeshën Zanfina. Nëpërmjet kësaj martese politike u veprua në kundërshtim të hapur me Doktrinën e Krishterë, por Gjergj Kastrioti ia arriti qëllimit që të bashkonte në mënyrë integrale dhe të njëtrajtshme të dy këto Principata të fuqishme Arbërore; Kastriotët dhe Topiajt.

Please follow and like us: