Albspirit

Media/News/Publishing

Drejtorët e LSI bëjnë hatanë me tendera para largimit të tyre

Mbi 760 mijë shqiptarë votuan për të lënë në opozitë jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në këtë kuadër, duke njohur rezultatin, krerët e LSI deklaruan zyrtarisht daljen në opozitë. Por, pavarësisht verdiktit të qytetarëve shqiptarë, deklaratave dhe një precedenti të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 2013, ministrat dhe sidomos drejtorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijojnë që të firmosin tendera.

Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Transporteve kanë publikuar dy tendera, për ‘Hartim Studimi ‘Identifikimi i burimeve të ndotjes në lumenjtë kryesorë të vendit dhe forcimi i kontrolli’ dhe për ‘Studim fisibiliteti për Aeroportin e Jugut’, por nuk kanë përcaktuar datë për zhvillimin e tyre. Tenderi për ‘Hartim Studimi ‘Identifikimi i burimeve të ndotjes në lumenjtë kryesorë të vendit” është shpallur që në datën 7 shkurt, por nuk ka një afat për konkretizimin e tij.

Ndërsa tenderi i Ministrisë së Transporteve, është shpallur që në datën 03.02.2017. Ndërkaq, janë disa drejtori në varësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Bujqësisë, të cilat vijojnë zhvillimin e tenderave.

Në datën 30.06.2017, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shpallur tenderin për mirëmbajtjen e pajisjeve të monitorimit të cilësisë së ajrit me vlerë, 4 166 666,00 lekë. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga përfaqësuesi i LSI, ka planifikuar zhvillimin e një tenderin për shërbimin veterinar në Lezhë në datën 10.07.2017, me vlerë 2 912 166,50 lekë. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë ka nisur tenderin për blerjen e 185 mijë targave kundrejt vlerës 1 milion euro. Në krye të kësaj drejtorie është Ylli Spahiu i emëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe është vëllai i deputetit Përparim Spahiu i po kësaj partie.

Precedenti
Ka një precedent sa i takon raporti të ministrave dhe drejtorëve me pushtetin, kur partia e tyre i ka humbur zgjedhjet parlamentare. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013, kryeministri i atëhershëm Sali Berisha, ministrat dhe drejtorët e tij, nxituan për të firmuar tenderat dhe koncesionet e fundit para se të largoheshin nga pushteti në 9 shator. Kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, të cilit shqiptarët i besuan qeverisjen e vendit, deklaroi se do të anulonte çdo koncesion dhe tender të firmosur nga ministrat dhe drejtorët e qeverisë Berisha, pas zgjedhjet të 23 Qershorit 2013 deri në formimin e qeverisë së re. Lëvizja Socialiste për Integrim, asokohe pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste, ka mbështetur qëndrimet e Ramës sa i takon paralajmërimit për rrëzimin e vendimeve të qeverisë Berisha në ditët e mbetura të mandatit. Por, një standard i tillë duket se nuk po respektohet nga LSI katër vite më vonë, kur shqiptarët e nxorën në opozitë.

Paradoksi

Ministrat dhe sidomos drejtorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijojnë që të firmosin tendera, si gjatë ditëve të para të bashkëqeverisjes PS-LSI, ndonëse krerët e LSI kanë deklaruar zyrtarisht daljen në opozitë.

Standardi

Lëvizja Socialiste për Integrim, në 2013 pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste, ka mbështetur qëndrimet e Ramës sa i takon paralajmërimit për rrëzimin e vendimeve të qeverisë Berisha në ditët e mbetura të mandatit, pra pas humbjes së zgjedhjeve.

Please follow and like us: