Albspirit

Media/News/Publishing

Trump dhe “Shekulli i ri amerikan”: Si mund ta ruajë Uashingtoni supremacinë e tij?

Ndjekja e instalimit të Mburojës Antiraketore në Europën Qendro – Lindore dhe dislokimi i kohëve të fundit (prill 2017) – në sfidë të hapur me deduksionin e njohur të John H. Herz i njohur si security dilemma – e sistemit THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) në Korenë e Jugut duket se janë pjesë e një ridislokimi strategjik global nga Shtetet e Bashkuara nëpërmjet të ashtuquajturit Ballistic Misssile Defense System (BMDS). Projekti BMDS duket se afrohet shumë me një model “dislokimi preventiv” (pre-emptive deployment) i konceptuar për të ndaluar – në të vërtetë projektuar – fazën fillestare e përplasjes përtej territorit kombëtar të Shteteve të Bashkuara (Europë dhe Gadishull Korean) në rast konflikti me një apo më shumë fuqi bërthamore, duke përmbysur në këtë mënyrë konceptin e “mbrojtjes terminale” (terminal defence). Një qasje e ngjashme do të kishte vlerë sidomos ndaj atyre fuqive që disponojnë atë që ekspertët në armatime strategjike e quajnë “triadë e plotë bërthamore”, domethënë atë komponente strategjik të integruar (tokë – det – ajër) në gjendje që t’i mundësojë atij që i disponon të lëshojë një goditje të dytë bërthamore (second strike) nga nëndetëse apo nëpërmjet bombarduesve strategjikë me rreze të gjatë (strategic heavy bombers). Është e njëjta agjenci e Pentagonit (Missile Defence Agency – MDA) përgjegjëse për projektin BMDS që zbulon në fakt sesi qëllimi është ai që të krijojë “një arkitekturë të integruar “shumështresore” që siguron mundësi të shumta për të shkatërruar raketat testatat e tyre përpara se mund të arrijnë objektivat e tyre”.

 

Rrënjë neokone

Linjat kryesore drejtuese e politikës së jashtme të administratës Trump të kujtojnë shumë nga afër disa prej artikulimeve themelore të think-tank neokonservator amerikan “Project for the New American Century” (PNAC) aktiv nga 1997 në 2006, sidomos doktrina e lidhur me shprehjen (e përdorur nga George H.W. Bush në 2002) “Axis of Evil” (Aksi i të Keqes) lidhur me 3 vende: Iraku i Saddam Hussein, Irani i ajatollahëve dhe Koreja e Veriut. Premisa themelore e doktrinës neokone mund të gjendet në vetë emrin – “New American Century” – e think-tank të themeluar prej tyre: të realizojë premisa në gjendje që ta bëjnë shekullin e XXI-të një shekull të ri amerikan duke i promovuar “American Global Leadership”. Kjo qasje ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara në çështjet botërore, për pasojë, nuk është një risi e paraqitur nga qarqet neokone. Në fakt ka rrënjë të thella që i takojnë periudhës së Luftës të Dytë Botërore, domethënë muajt që i paraprinë bombardimit japonez të Pearl Harbor, episod që sanksionoi ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në konflikt, deri në arritjen e fitores mbi Rajhun e Tretë në Europë dhe Japoninë në Azi Paqësor. I pari që i bashkangjiti mbiemrin “American” emrit “Century” qe Henry R. Luce (1898 – 1967) në një editorial të shkurtit 1941 me titullin “The American Century” të botuar në “Time” (tabloid informacioni nga vetë ai i bashkëthemeluar dhe i dalë në shtyp për herë të parë në 1923).

 

Translatio Imperii

Në brendësi të shoqërisë së lartë amerikane të gjysmës së parë të Nëntëqindës, Luce qe një personalitet intelektual i dorës së parë. Më parrë student në Yale e Oxford, anëtar i shoqërisë “Skull and Bones”, në vijim kontribuoi ndjeshëm për të ushqyer debatin lidhur me misionin universal e Shteteve të Bashkuara, sidomos në cilësinë e trashëgimtarit të Perandorisë Britanike. Në 1935 u martua me Clare Booth (që u bë kështu Booth Luce), e cila në 1953 u emërua nga Presidenti Dwight D. Eisenhower si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Romë, detyrë e mbajtur prej saj deri në 1956. Sipas mendimit të H.R. Luce – i shprehur kështu në editorialin e tij të vitit 1941 – Shtetet e Bashkuara do të duhej ta drejtonin refleksionin politik në dy prioritete. Mbi të gjitha t’i bashkangjiteshin Londrës në luftën kundër Gjermanisë nacionalsocialiste, qasje më pas e adoptuar praktikisht nga qeveria amerikane me formulën “Germany first” për sa i përket planit të Pentagonit “Rainbow Five”, që parashikonte të përqëndroheshin përpjekjet luftarake në teatrin europian. Në radhë të dytë shtonte se: “Amerikanët kanë një ndjesi se në çdo bashkëpunim me Britaninë e Madhe ata disi po bëjnë lojën e Britanisë dhe jo të tyren. Çfarëdo ndjesie që mund të kenë pasur për të në të kaluarën, sot është një koncept injorant dhe idiot i situatës. Në çdo lloj partneriteti me Perandorinë Britanike, Britania e Madhe është tërësisht e bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të marrin rolin e partnerit të madh”. Me këtë konsideratë të dytë, Luce nënvizonte nevojën e këtij kalimi të përgjegjësive midis Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, që duke filluar në pasLuftën e Parë Botërore do të përfundonte vetëm në 1945 pas një procesi të gjatë jo gjithmonë përsosshmërisht konsensual, domethënë i tillë sa të linte deri të shfaqesh momente kontrasti të thellë, siç e demonstroi në vitet ’20 përplasja diplomatike midis Uashingtonit dhe Londrës për çështjen e konçensioneve petrolifere mesopotamike lidhur me Turkish Petroleum Company.

 

Të rindërtosh mbrojtjet

Edhe apeli i Trump i drejtuar aleatëve europianë të NATO-s për respektimin e buxhetit të 2% të PBB-së për sektorin e mbrojtjes është tregues për një vijueshmëri të caktuar me normat tradicionale të politikës euro – atlantike të Uashingtonit lidhur me çështjen e burden-sharing. Veç kësaj, rezulton tregues fakti që sipas adaxhios së atribuar Lordit Ismay (Sekretari i Përgjithshëm i parë i NATO-s), Aleanca ishte krijuar për 3 qëllime: të mbajë jashtë rusët, brenda amerikanët, poshtë gjermanët. Kështu, nëqoftëse sot – mbi linjën drejtuese e miksturës së containement dhe engagement(congagement, Khalilzad 1999) me të cilën disa qarqe të Deep State amerikan do të donin të afronin Pekinin – u shtojmë rusëve edhe kinezët, atëhere kuadri i sintetizuar nga Ismay na kthehet me të gjithë aktualitetin e tij. Në fakt nuk janë vetëm referimet e George Friedman lidhur me nevojën për Uashingtonin që të mbajë të veçuar dhe larg gjermanë e rusë për ta bërë të besueshëm për këtë konkluzion, por sidomos dy dokumenta frut i aparateve të establishmentit amerikan. Në të parin – botuar nga PNAC-i në vitin 2000 me titullin “Rebuilding America’s Defense” pohohej se sipas një parimi të tillë “duhet të ndërtohet një rrjet kundër goditjeve të kufizuara, i aftë që të mbrojë Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe forcat e dislokuara  përpara të tyre”. Zbulohej sesi “sipas CIA-s, një numër regjimesh thellësisht armiqësore ndaj Amerikës – Koreja e Veriut, Iraku, Irani, Libia dhe Siria”. Në mënyrë të veçantë: “Koreja e Veriut është pragun e përdorimit të raketave që mund të godasin truallin amerikan. Për pasojë, kërkesa për mbrojtje të nivelit të lartë si puna e Theater High Altitude Area Defense (THAAD) e ushtrisë”.  Veç kësaj “lidershipi global i Amerikës dhe roli i tij si garantues i paqes aktuale varet në ruajtjen e një balance të favorshme të forcës në Europë, Lindje të Mesme, rajonin energji-prodhues përreth  dhe Azinë Lindore. Strategjia amerikane për dekadat në vazhdim do të kërkojë që të konsolidojë fitoret e mëdha të arritura në shekullin e XX-të, që i ka bërë demokraci të qëndrueshme Gjermaninë dhe Japoninë”. Për të konsoliduar dhe ruajtur supremacinë globale, Uashingtoni do të duhet kështu (edhe) të krijojë “baza permanente jashtë vendi për siguruar vijën e parë mbrojtëse të asaj që mund të përshkruhet si “perimetri amerikan i sigurisë”. […] Ruajtja e perimetrit amerikan të sigurisë sot – dhe nesër – do të kërkojë ndryshime në dislokime dhe instalime përtejdetit […] Anembanë globit rrjeti i dislokimeve dhe instalimeve përtejdetit kërkon rikonfigurim”.

 

Sfidat për supremacinë amerikane

Sipas PNAC-it do të kishte “shtete potencialisht të fuqishëme të pakënaqura me situatën aktuale dhe të etura që ta ndryshojnë atë, nëqoftëse munden”. Në dokumentin e dytë e sipërpërmendur – i botuar në 2015 nga Joint Chief of Staff [JCoS] dhe i njohur si “The National Military Strategy of the United States of America” – u aludonte këtyre fuqive kundërshtare në gjendje që të kërcënonin stabilitetin rajonal e global, pse jo edhe rolin e Uashingtonit si aktor parësor në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu, për shembull, për ushtarakët amerikanë Rusia ka “demonstruar në mënyrë të përsëritur se nuk e respekton sovranitetin e fqinjëve të saj dhe është e gatshme që të përdorë forcën për të arritur objektivat e saj”. Kurse nga ana e tij Irani i “paraqet gjithashtu sfida strategjike komunitetit ndërkombëtar. Ai po kërkon teknologji prodhuese bërthamore dhe raketore. Ai është një shtet sponsorizues i terrorizmit që ka minuar stabilitetin në shumë vende, përfshi Izraelin, Libanin, Irakun, Sirinë dhe Jemenin. Veprimet e Iranit kanë destabilizuar rajonin”. Në Azi – Paqësor, “Koreja e Veriut kërkimi i teknologjive të armëve bërthamore dhe raketave balistike. Këto kapacitete cënojnë drejtpërsëdrejti fqinjët e saj, sidomos Korenë e Jugut dhe Japoninë. Me kalimin e kohës, ato do të cënojnë edhe truallin amerikan”. Për sa i përket Kinës, dokumenti i JCoS-së dukej se konfirmonte qasje mabivalente të mbështetur mbi congagement kur pohonte: “Ne mbështesim ngjitjen e Kinës dhe e inkurajojmë që të bëhet partnere për siguri ndërkombëtare më të madhe. Megjithatë, veprimet e Kinës po i shtojnë tension rajonit të Azi – Paqësorit”.

 

Paralajmërimi i Kagan

Në kohëra akoma më të vonshme (shkurt 2017) Robert Kagan – që në 2000 qe midis pjesëmarrësve të projektit në shtojcën e dokumentit të cituar të PNAC-it – ka analizuar timor potentiae amerikane në një editorial të artikuluar online për “Foreign Policy” me titull “Backing into World War III”, në të cilin politologu i njohur ka shpluhurosur shprehje që historiografia përdor zakonisht për të përshkruar ato fuqi europiane që rezultojnë të pakënaqura nga skenari gjeopolitik i dalë nga paqja e 1919 dhe për arsye të tilla të quajtura “revizioniste” apo fuqi “Have Nots”. Në fakt, për Kagan: “Ambicia dhe aktivizimi i dy fuqive të mëdha revizioniste, Rusisë dhe Kinës” përfaqësojnë në tërësi një prej dy “tendencave domethënëse në botën e sotme”. Tjetra është: “Besimi, aftësia dhe vullneti në rënie i Shteteve të Bashkuara, për të ruajtur pozicionin dominues që kanë mbajtur në sistemin ndërkombëtar qysh nga viti 1945”. Arsyetimi i Kagan shtyhet deri aty sa të mbështesë se “duke pasur parasysh sferat e influencës e fuqive revizioniste nuk janë recetë për paqe e qetësi, por më shumë një ftesë për konflikt të pashmangshëm”. Konkluzioni është si vijon: “Për Shtetet e Bashkuara, pranimi për një rikthim tek sferat e influencës nuk do t’i qetësonte ujërat ndërkombëtarë. Thjesht do ta kthenin botën në gjendjen që qe në fund të shekullit të XIX-të, me fuqi të mëdha konkurruese që përplasen rreth sfera të pashmangshme që ndërthuren dhe mbivendosen. Këto kushte të paqëndrueshme e të  çoroditura siguruan terrenin pjellor për dy luftëra botërore shkatërrimtare e gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Kolapsi i rendit botëror të dominuar nga britanikët kontribuoi në një mjedis ndërkombëtar tejet konkurrues ku fuqi të mëdha të pakënaqura kapën mundësinë që t’i ndjekin ambiciet e tyre në mungesën e ndonjë fuqie apo grupi fuqishë për t’i bashkuar në kontrollin e tyre”. Është po aq domethënëse që në vitin 2000 dokumenti i PNAC-it të propozonte një model gjeopolitik në të cilin sistemit të vjetër bipolar në fuqi gjatë Luftës së Ftohtë, gjatë të cilës prioritetet strategjike e Shteteve të Bashkuara kundrejt Bashkimit Sovjetik mbështeteshin mbi doktrinën e containment (George Kennan, 1947), i kundërvihej një themel i ri mbi momentin unipolar, që në shekullin e XXI-të duhej ta gjente ration e tij në shpëtimin e Pax Americana.

(Nga Geopoliticus/Bota.al)

Please follow and like us: