Albspirit

Media/News/Publishing

Muharrem BAZDUL: GJYSMË SHEKULLI I “GJENERALIT TË USHTRISË SË VDEKUR”

 

 

Vreme, Beograd: Ismail Kadare (lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, në Jug të Shqipërisë) është ndoshta shkrimtari më i rëndësishëm bashkëkohor ballkanik ende i gjallë…



Djep dhe varr
Ismail Kadare (lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, në Jug të Shqipërisë) është ndoshta shkrimtari më i rëndësishëm bashkëkohor ballkanik ende i gjallë. Para pesëdhjetë vitesh, Kadareja publikoi ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, romanin e tij më të dëgjuar. Pas këtij romani, Kadareja ka shkruar një opus të tërë romanesh të cilat me të drejtë, krah për krah me Ivo Andriçin dhe Niko Kazanzaqisin, e vendosin atë në majat e letërsisë ballkanike, botë e tre qytetërimeve, tri kulturave, tri gjuhëve, botë në një tokë të askujt ndërmjet jetës dhe vdekjes, botë në të cilët shtatzënia e vejushave të Hercenit nuk është metaforë, por fat real.

Tek Borgesi ka një ese sugjestive mbi të paturit turp të historisë, tezë kryesore e së cilës është ajo se ngjarjet kryesore të historisë nuk mund të njihen në kohën kur zhvillohen, por më vonë, sepse historia nuk është gazetari, por është shumë më e turpshme. Në gjurmë të kësaj teze me ra ndërmend mundësia e datimit të një viti në të cilin Serbia e ka humbur Kosovën në mënyrë thelbësore dhe e cila të përputhet me stereotipat e zakonshme publicistike dhe kësisoj, më dolën përpara viti i eliminimit të autonomisë së Kosovës, viti i bombardimit të NATO-s, apo viti në të cilin Prishtina shpalli formalisht pavarësinë. Viti që më vjen ndërmend është viti 1997, vit në të cilin shtëpia botuese e Nishit “Prosveta“ pati botuar “Viti i zi“ (me sa duket bëhet fjalë për  romanin “Viti i mbrapshtë“-shënimi im. Xh.F.), roman të Ismail Kadaresë, të cilin e kishte përkthyer Vilotije Ristiç nga gjuha frënge (origjinalin në shqip në frëngjisht e ka përkthyer përkthyesi i atëhershëm dhe i përhershëm i Kadaresë në këtë gjuhë Jusuf Vrioni, dhe pas kësaj Ristiçi e ka përkthyer në serbisht).

Të kuptohemi, Kadareja është nga ata shkrimtarë i cili përkthimet e ndonjë prej librave të tij në një gjuhë “të madhe“ në njëfarë mënyre i lejon dhe autorizon të përkthehen në gjuhë të treta që pikërisht këtë përkthim të përdorin si “ndërmjetës“. Në rastin e Kadaresë ky është përkthimi në gjuhën frënge. Ndoshta edhe të gjithë përkthimet nga Kadareja në gjuhën angleze nuk janë përkthime nga origjinali, por nga përkthimi në frëngjisht, por ama reputacioni i Kadaresë në Angli dhe Amerikë është i një shkallë të lartë (madje ai është edhe fituesi i parë i Buker-it ndërkombëtar). Vetëm se këtu rasti i Serbisë dhe i gjuhës serbe  në asnjë rast nuk është i krahasueshëm me ata vende në të cilat flitet anglisht. Në atë vitin 1997, Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe këtë fakt askush në botë nuk e refuzonte. Në Serbi atëbotë jetonte ndoshta një e pesta e popullsisë e cila e kishte shqipen gjuhë amtare. Nga ana tjetër, kjo popullsi është e përqendruar në një krahinë e cila nga Nishi nuk është më larg se njëqind kilometra.

Dhe na del se botuesi, i cili pati dëshirën e lavdërueshme të publikojë një roman të shkëlqyer të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj europianë dhe botërorë, nga njëra anë, dhe në anën tjetër, nuk ka shqiptarë që di serbisht dhe që dëshiron të përkthejë shkrimtarin më të rëndësishëm shqiptar për botuesin serb dhe as ka serb që është përkthyes letrar nga shqipja.
Tre temperamente
Në RFS të Jugosllavisë gjithsesi nuk ka pas qenë puna kështu. ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ (në serbisht General mrtve vojske – shënimi – im Xh.F.) e pati përkthyer në serbisht Esad Mekuli në vitin 1968. ‘Kështjellën’ në vitin 1977 e ka përkthyer Vehap Shita, i njëjti përkthyes i cili dy vite më vonë përktheu edhe ‘Kronikë në gur’, ndërsa ‘Pallatin e ëndrrave’ në vitin 1991 e ka përkthyer Shkëlzen Maliqi. Të dy librat e parë të përmendur më sipër i kanë publikuar botues nga Serbia, ndërsa dy të fundit botues nga Sarajeva. Është interesantë gjithashtu të vëmë në dukje, dhjetë vite më vonë se përkthimi i Mekulit të ‘Gjeneralit të ushtrisë së  vdekur’, shtëpia botuese e Rijekës (Kroaci) “Otokar Kershovani“, botoi një përkthim tjetër të të njejtit libër, me titullin ‘General mrtve Armije’.(V.O. vini re dallimin me përkthimin e Mekulit titulli është përkthyer General mrtve vojske – shënimi im Xh.F.).
Megjithëse pasuesi mesatar i tezës se gjuha kroate dhe ajo serbe janë gjuhë të ndryshme, ka mundësi që fjalën vojska ta konsiderojë fjalë kroate, ndërsa armija serbe, tek Kadareja na doli e kundërta, ndoshta për shkak të dëshirës së përkthyesit dhe botuesit në mënyrë që qysh në titull të vihet në dukje dallimi, meqenëse fjala vojska ka qenë e zënë nga versioni serbisht. Është më rëndësi këtu që të shënojmë se përkthimi kroat (Gjure Plemençica) është bërë jo nga shqipja por, nga frëngjishtja. Është interesante të shënojmë se edhe përkthimi slloven i romanit më të famshëm të Kadaresë (General mrtve Armade) të Jakob Emershiçit i vitit 1976, ka qenë gjithashtu i përkthyer nga frëngjishtja. Një vit më herët, është përkthyer në gjuhën maqedone (Generalot na mrtvata vojska), ashtu si duhet, nga gjuha shqipe (përkthyes Adem Gajtani).

Më duket se ka shumë të dhëna dhe gjëra indikative  madje edhe në kronologjinë e përkthimeve të Kadaresë; në fillim Serbia, pastaj Maqedonia, pastaj Sllovenia dhe Kroacia, dhe në mënyrë të veçantë në faktin se përkthimet në serbisht dhe maqedonisht janë bërë nga gjuha shqipe, ndërsa ata në sllovenisht dhe kroatisht nga frëngjishtja. Në librin e Enes Çengiçit (poet dhe publicist nga Sarajeva- shënimi im) të titulluar ‘Me Kërlezhën nga dita në ditë’, një shënimin ditor të datës 3 shkurt të vitit 1978, na zbulohet se Çengiçi e pati pyetur Kërlezhën (Mirosllav Kërlezha- shkrimtari më i madh kroat i të gjitha kohërave-shën.im) nëse e kishte lexuar ‘Generalin e ushtrisë së vdekur’ (Çengiçi përdor: General mrtve vojske, pra përkthimi serb). Kërlezha, i cili atyre ditëve dinte të ishte cinik ndaj Tolstoit, Ujeviçit (Augustin Ujeviç- poet dhe shkrimtar kroat. Shën. im), i ishte përgjigjur se e kishte lexuar atë libër dhe kishte shtuar: “Shkrimtar i talentuar, roman modern dhe do të lexohet me interes të veçantë si në Romë, si edhe në Tokio apo Londër“.

(Pak digresion-është interesante përputhja me atë të gjashtë viteve më parë, pasi është publikuar ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, Alen Boskeja pati publikuar një ese për këtë roman në revistën “Combat“, në të cilën shkruan: “Në kufirin e tre temperamenteve, Greqisë e cila i jep meloditë e saj, Shqipërisë e cila i jep qëllimet e qarta dhe Malit të Zi i cili kufizon me të, i japin një mrekulli të çuditshme Ismail Kadaresë një zë që duhet llogaritur… Duke u ndjerë njësoj mirë si në Paris, Pekin apo në Nju Jork, ai mund të bëhet një shkrimtar i rëndësisë botërore“. Dihet se Kërlezha e lexonte “Combat-in“. A thua, gjashtë vite pas këtij ilustrimi të Boskesë, universaliteti i prozës së Kadaresë, nëpërmjet numërimit simbolik të tre metropoleve, njëri europianoqendror, tjetri i Lindjes së Largët, e  tjetri anglosakson në mënyrë të pavetëdijshme kanë jehuar tek Kërlezha, vetëm me ndryshimin se Parisi është bërë Romë, Pekini, Tokio- ndërsa Nju Jorku, Londër?)

Dy përbindësha
Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, Kadareja nuk ka qenë disident i vërtetë. Në ndryshim nga shkrimtarët që kanë vuajtur nëpër qelitë e burgjeve, Kadareja gjithmonë ka qenë anëtar i denjë i bashkësisë. Gjithashtu nuk është se librat e tij kanë qenë thellësisht subversivë. Në një mënyrë të njohur, pozita e tij në Shqipërinë Socialiste, mund të krahasohet me atë të Andrzhej Vajdës në Poloninë Socialiste, apo ndoshta edhe me pozitën e disa regjisorëve të sotëm të Iranit. Thënë thjesht, lavdia globale dhe fama e fituar i kanë mbrojtur nga hakmarrja. Kadareja e ka fituar lavdinë letrare shumë herët. Qëkur ishte në moshën njëzet e shtatë vjeç, me publikimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur në vitin 1963.

Roman i cili fillon me një ton gri dhe melankolik: Gjenerali arrin në një vend të huaj, në një qytet të panjohur, në një kohë që bie shi përzier me dëborë. Misioni i gjeneralit është i pikëllueshëm: i duhet të kthejë në atdhe eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ajo që vjen pas është njohja e gjeneralit me Shqipërinë nëpërmjet kërkimit të varrezave, nëpërmjet ekshumimit dhe identifikimit. Rrallë ndonjë shkrimtar ka shkruar në mënyrë kaq sugjestive mbi luftën se sa Ismail Kadareja në ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’, e pra është fjala për një roman ngjarjet e të cilit zhvillohen disa vite pas përfundimit të luftës. Lufta është disi e harruar, por jeton pikërisht nëpërmjet, dhe, nën lëkurën e atyre që jetojnë dhe eshtrat e atyre që kanë vdekur. Gjithçka bie erë vdekje, sikurse është edhe shënimi i gjeneralit në fund të romanit.

Megjithëse romani si formalisht ashtu edhe për nga përmbajtja është zhgënjyes për kanonet e realizimit socialist, gjë e cila vihet re tek pesimizmi metafizik i Kadaresë, madje edhe tek njëfarë opsesioni i tij për vdekjen, në Shqipërinë e asokohshme është lexuar nën prizmin i ngritjes lart të Luftës çlirimtare antifashiste shqiptare dhe fitores ndaj fashizmit. Përgjithësisht kjo ishte strategjia politike e Kadaresë: në të shkruar të ndjekë, parë në përgjithësi, linjën bazë të së lejuarës, por ama të jetë kryengritës kur vjen puna tek detajet: gjë për të cilën cinikët mund të shpreheshin; ta gërryente diktaturën nga brenda. Një citat autopoetik i Kadaresë është indikativ në këtë kuptim: “Ndryshe nga sa është menduar shpesh herë, kohët tragjike, kohët kur diktaturat egërsohen, i shkojnë për shtat letërsisë. Diktatura dhe e drejta e letërsisë mund të ekzistojnë vetëm në një formë: duke u shqyer ditë e natë me njëra tjetrën. Për nga natyra shkrimtari është armik natyror me diktaturën.
Ai lufton kundër saj në çdo moment, madje edhe atëherë kur ai mendon se është në gjumë. Kjo është diçka që është e shkruar në kodin e tij gjenetik. Diktatura dhe e drejta për letërsi nuk mund të mendohen ndryshe veçse si dy përbindësha që janë përherë në dyluftim me njëri tjetrin…”.

Kadareja ka studiuar në Moskë dhe në shkrimet e tij shumë veta njohin stilin e Gogolit dhe Bulgakovit. Më vonë në shkrimet për librat e tij, në mënyrë të veçantë në Perëndim, është shfaqur edhe krahasimi i tij me Heminguejn, Kafkën dhe Oruellin. Nuk është puna se në këto krahasime nuk ka gjëra të vërteta, por gjithsesi ato janë të pabazuara. Sepse Kadareja është shkrimtar ballkanik me themel.
Një Ballkan
Ndoshta në mënyrë të vetëdijshme (ose megalomane) është quajtur “Homeri shqiptar“, Kadareja është gjithsesi një shkrimtar shumë i ngjashëm me Ivo Andriçin ose Niko Kazanzaqisin. Kjo ngjashmëri nuk është vetëm letrare. Që të tre kanë patur një eksperiencë direkte në politikë. Kazanzaqisi ka qenë ministër pa portofol në qeverinë greke pas Luftës së Dytë Botërore, Andriçi, sikurse e dimë, ka qenë nëpunës i Ministrisë së Jashtme dhe ambasador i Mbretërisë së Jugosllavisë. Kadareja ka qenë deputet në parlamentin e Shqipërisë Socialiste. Tek të tre gjithashtu ekziston edhe qëndrimi se gjithçka në këtë botë i nënshtrohet veprës, porse, gjithashtu letërsia është gjëja më e rëndësishme në botë.

Thënë ndryshe, sipas fjalëve të Andriçit, për të letërsia kurrë nuk është thjesht lënia pa frè e fantazisë me dëshirë dhe gjuhë të zgjidhur, porse diçka që kurrë nuk është jashtë rrethit të interesit direkt shoqëror. Për këtë nuk janë të çuditshme edhe kontraversat e fuqishme që u ngjishen që të treve, që nga problemet e Kazanzaqisit me kishën, nëpërmjet “kritikave“ të ndryshme ndaj Andriçit (duke filluar që nga akuza për islamofobi dhe urrejtje ndaj shqiptarëve për shkak të disertacionit të tij të doktoraturës, apo elaboratit mbi çështjen shqiptare dhe interpretimet analfabete të disa veprave të tij letrare e deri në vërejtje për të ashtuquajturin “pakt të tij më komunistët“ dhe hartimin e propozimit që Titos t’i jepet çmimi “Nobel“ për paqen) deri tek etiketimet gjithfarëshe ndaj Kadaresë (shërbëtor i Enver Hoxhës, nacionalist etj.) Edhe për Andriçin edhe për Kadarenë mund të zbatohet fraza të cilën e shkruan Milena Jovanoviçi për Kazanzaqisin: “Mund të thuhej se në politikë ishte luajal (ndaj interesave shtetërore), ose më saktë, aktiviteti i tij politik i “detyrohej“ patriotizmit të tij, i cili ishte i frymëzuar me dëshirën për të ndihmuar, që njerëzve tu bëhej mirë, pa asnjë interes personal të tij“.
Krahasimi i Andriçit dhe Kadaresë meriton një tekst të veçantë, por ia vlen të kujtohet se për shembull “Ura me tri harqe” e Kadaresë është e pamendueshme pa “Urën mbi Drin” të Andriçit. Ndjehen jehonat e Andriçit edhe në romanet e tjera të Kadaresë mbi “vaktin turk”. Si edhe Andriçi, Kadareja është më shumë mjeshtër i traseve të shkurtra dhe të mesme se sa atyre të gjata: zhanri i tij kyç është romani i shkurtër, por i rënduar ‘Oborri i mallkuar’ (Në ‘Kronikën e Travnikut’  dhe në ‘Urën mbi Drin’ Andriçi shkruan proza të shkurtra shumë prej të cilave mund të funksionojnë të pavarura; eseja e Xhejms Vudit për opusin e Kadaresë ka titullin ‘Kronika’ dhe fragmente titull me të cilin në mënyrë mjaft komode mund të shkruhej edhe për opusin e Andriçit). Si Andriçi (ose edhe si Mesha Selimoviçi), edhe Kadareja është i prirur për të shkruar për modernen nën petkun e alegorisë.
Por gjithsesi, në kohët e reja, në mënyrë të veçantë tek novela ‘Vajza e Agamemnonit’, romani ‘Trashëgimtari’ dhe në disa tregime të tjera të shkurtra, Kadareja shkruan për Shqipërinë nën Enver Hoxhën në në rregjistër tjetër, në atë dokumentar. Në kontekstin e pareleles Kazanzaqis-Andriç-Kadare, është me vend të citohet edhe një fragment i intervistës së fundit të Kadaresë dhënë Branka Bogovacit: “Në Ballkanin e zvogëluar, sot, pas vetëtërheqjes së Sllovenisë dhe Kroacisë, ekzistojnë tre popuj që vazhdojnë të mbahen dhe në të vërtetë janë të paevitueshëm: Grekët, Shqiptarët dhe Sllavët. Këto janë tre qytetërime, tri kultura, tri gjuhë. Ballkani nuk mund të përfytyrohet pa njeriun që i përket kontekstit të tij Ballkanik. Të ngjeshur prej kohësh në këtë zonë europiane, mbijetesa e kujtdo ishte e kushtëzuar nga të tjerët. Në situata të ndërlikuara, dashje pa dashje, kemi qenë të detyruar të merremi vesh. A ju duket i errët ky vizion? Mendoj se ajo që përjetuam në kohët e reja, nuk ishte aspak më e tmerrshme. Që t’i kthehemi një vizioni që jep më shumë shpresa, mund të thuhet se, megjithatë, në Ballkan është vendosur një ekuilibër. Sot, në kushtet e ekzistencës së Bashkimit Europian, tutor që e kemi pranuar që të gjithë, ky ekuilibër është i siguruar shumëfish. Që ti kthehem treshes së ekuilibrit Ballkanik: Grekët, Sllavët, Shqiptarët-besoj se jeni dakord me mua kur them se asnjëri prej këtyre tre popujve, për asnjë arsye dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të ndahet nga ky gadishull problematik. Gjithçka qëndron në atë që ky fakt të kuptohet”.

Nga perspektiva jonë është dobiprurëse që të kuptohet ky perceptim i Kadaresë: Grekë, Shqiptarë dhe Sllavë. Si serbët, si boshnjakët, si maqedonasit, si malazezët, pa hajde të themi edhe bullgarët, Kadareja, në kontekstin ballkanik i sheh si një popull i vetëm, si sllavë (të jugut). Me grekët dhe shqiptarët, sllavët (e jugut) ndajnë së bashku Ballkanin, djepin e qytetërimit.

Është e lehtë të biesh dakord me Kadarenë se Grekët, Shqiptarët dhe Sllavët janë treshja e ekuilibrit ballkanik, por megjithatë nuk është e lehtë, së paku nga perspektiva e sotme, që si garant të këtij ekuilibri të shihet Bashkimi Europian. Vizioni që të jep më shumë shpresa është vizioni i Ballkanit të lirë, vizioni sipas të cilit popujt Ballkanikë e njohin dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin. Simbol i këtij vizioni më parë është Goran Bregoviçi dhe kënga që grupi Bjello Dugme këndon në gjuhën shqipe (është fjala për këngën “Mora mandolinën“ e kënduar në shqip nga grupi i famshëm jugosllav i muzikës rok Bjello Dugme, ku frontmen ka qenë këngëtari kosovar Agron Berisha- shënimi im), se sa përkthimi i një prej romaneve më të mirë shqiptarë-nga gjuha frënge. Vizioni i errët i Ballkanit, vizioni i varrezave masive, vizioni i ekshumimeve dhe identifikimeve, vizioni që na pikturon Ismail Kadareja tek romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, është vizioni që shohim edhe sot, teksa familja Tomashiç në Prijedor të Bosnjë e Hercegovinës vazhdon të gërmojë në një vend ku gjendet një varrezë e përbashkët që nga koha e luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Kadareja romanin e tij e ka publikuar tetëmbëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, tetëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë, vështirë se mund të gjendet ndonjë libër i cili, me fuqinë e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, do të mund ta përkujtojë atë luftë. Skena nga romani i Kadaresë, ajo skenë në të cilën plaka i flet gjeneralit për njërin prej të vdekurve që ai kërkon, njeriut i cili i ka vrarë burrin dhe i ka përdhunuar të bijën, pothuajse njëlloj mund të pikturojnë kohën tonë. Ismail Kadareja është shkrimtar i botës Ballkanike, botës sonë, botës në të cilën vejushat shtatzënë nuk janë një metaforë e Hercenit, por fate reale, rreth të cilëve gërshetohen legjenda gojore, maksima të Sioranit dhe narracione epike artistike mbi të cilat qëndron pezull aureola e tragjedive antike.
Muharrem BAZDUL, shkrimtar dhe publicist nga Sarajeva
Përktheu: Xhelal Fejza

 

Shënim i përkthyesit: E gjej me vend të informoj se krahas romaneve të Kadaresë të cituar më sipër në gjuhët sllave (të popujve të ish- Jugosllavisë)  është përkthyer nga Smajl Smakaj (gazetar i TV Kosovës dhe njëkohësisht edhe përkthyes i poezive të Visar Zhitit në kroatisht) dhe botuar nga shtëpia botuese „Drita“ e Malit të Zi, edhe romani i fundit i Kadaresë “Darka e gabuar“. Është shitur madje edhe nëpër libraritë e Beogradit. Përkthyesi Smakaj, në versionin në gjuhën malazeze të Darkës së gabuar titullin e ka përkthyer Pad kamenog grada (Rënia e qytetit të gurtë) gjë e cila edhe mund ta ketë ngatërruar shkruesin e artikullit për nga ngjashmëria me Kronikën në gur (përkthyer si pamë në artikull nga Vehap Shita) dhe për këtë edhe nuk e ka evidentuar.
“Vreme“, Beograd, 21.11.2013

Please follow and like us: