Dritan Laci: Ku po shkon Partia Demokratike?!
Partia Demokratike është futur prej ditësh në një qerthull politik nga ku pritet me shumë interes se si do të jetë e tashmja dhe e ardhmja e një partie që lindi për të ofruar shpresë, por që sot po përjeton ditët më të vështira të ekzistencës së saj 26 vjeçare. Humbja e rëndë e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit dhe mungesa e një analize të mirëfilltë për të përcaktuar shkaqet e kësaj disfate dramatike, por edhe mungesa e një gare të vërtetë, dinjitoze, mbi të gjitha unifikuese për kreun e ri brenda vetë partisë, duket se po e çojnë Partinë Demokratike drejt një rrugë të panjohur që mund të sjellë si pasojë edhe një tjetër hemoragji brenda së djathtës, le të themi të padëshirueshme në kushtet kur e djathta sa herë është përçarë aq herë ka qenë e pafuqishme për ti bërë ballë së majtës, që në këto zgjedhje nëse do të kishim një bashkim mandatesh Partia Socialiste (74) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (19) në total do të numëronin rekordin historik të 93 numrave në Parlament.
Mandatet e vërteta të së majtës, dhe jo thjesht numrat që ka sot Partia Socialiste dhe LSI të ndara veç, që duhet të ishin tronditëse për të djathtën; dhe kur flasim për të djathtën pikësëpari i referohemi Partisë Demokratike si timoniere e saj. Por kjo gjë duket se nuk është reflektuar në zgjedhjet që prijnë më 22 korrik. Mungesa e një alternative dinjitoze përballë Bashës megjithë respektin për Selamin e bën garën për kryetar brenda PD-së pothuajse nul. Tërheqja nga kandidimi i Astrit Patozit, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, një nga zërat qëndrestarë të të bërit opozitë në parlament, për arsye të mosarsyes, siç është fakti që kundërshtari i tij më i fortë në këtë garë kryetari aktual Lulzim Basha është “vetëngrirë” dhe nuk pranon një nga kushtet për futur “i shkrirë” në garë, nuk bën asgjë tjetër vetëm se e deligjitimon këtë garë dhe e çon Partinë në një qorrsokak nga ku do të jetë e vështirë të dalë.
Po kështu edhe fakti që në mungesë të një analize kërkohet të bëhet një garë e shpejtë, a thua se çfarë nxitimi ka tjetër lidershipi i Partisë Demokratike përvçse për ti dhënë kohë dhe frymëmarrje PD-së të reflektojë për atë çfarë ka ndodhur dhe të vendosë piketat për të ardhmen. Po kështu nxitimi për të shkuar në garën e 22 korrikut me dy garues që nuk kanë paraqitur platforma se si do të jetë Partia Demokratike e së nesërmes, thjesht të ndihmon të qartësosh në vetvete një parti me një të ardhme të pasigurtë. Një parti që nuk po shkon drejt unifikimit, po rikthimit te i njëjti gabim; të moskuptuarit e situatës që i çoi në këtë derexhe që është sot; largimit nga idealet për të cilat u krijua; por mbi të gjitha të një partie pa busull që jo më larg se pas dy vitesh do futet në një tjetër palë zgjedhjesh dhe në mungesë të reflektimit për gabimet e bëra mund të shkojë drejt një tjetër drame elektorale.