Albspirit

Media/News/Publishing

Shtohet misteri i zhdukjes së biznesmenit dhe ndihmësit të tij në Vlorë

Një ditë pasi policia e Vlorës shpalli të humbur biznesmenin Adriano Jaho dhe ndihmësin e tij Ariseld Maze, shtohet misteri mbi zhdukjen e tyre. Familjarët deklaruan se Jaho dhe Maze ishin nisur në 3 korrik drejt Durrësit për të marrë nga servisi skafin e biznesmenit dhe se kontakti i fundit ishte gjatë provave në det.

Por ky version nuk konfirmohet as nga policia e Durrësit dhe as nga kapiteneria e portit. Sipas tyre, nuk disponohet asnjë e dhënë se biznesmeni 52-vjeçar dhe ndihmësi i tij 28-vejçar të kenë qenë në Durrës apo të kenë dalë në det për të provuar skafin.

Për këtë arsye në Durrës për momentin janë pezulluar operacionet e kërkimit.

Hetimi është fokusuar në Vlorë dhe nga aty pritet të konfirmohet fillimisht nëse dy të zhdukurit janë larguar nga ky qytet. Misteri më i madh deri në këto momente është edhe zhdukja e makinës  me të cilën kanë udhëtuar të humburit. Mjeti nuk është gjetur asgjëkundi.

Policia thotë se do të marrë në pyetje personin i cili pretendohet se ka folur në telefon me biznesmenin, gjatë kohës që skafi po fuste ujë. Sipas djalit të të zhdukurit ai është një mik i tij dhe është personi që ka komunikuar i fundit me të./Tv Klan

Please follow and like us: