Blerina Shalari: Konkurs për veprat kombëtare në muzikë, i cili të shpërblehet çdo vit
Sot për mua ishte një ditë ndryshe. Zhvillova një takim interesant me ministren e kulturës Mirela Kumbaro. Ky takim erdhi si pasojë e një emaili tim të dërguar në portalin e dëgjesave publike. Aty u parashtruan shumë kërkesa që të gjithë artistët i kanë. Këto kërkesa i gjeni edhe në faqen time në postimet e mëparshme. Kërkesa kryesore ishte që të zhvillohet një konkurs për krijimin e veprave kombëtare në fushën e muzikës, i cili të shpërblehet çdo vit. Rezultati ishte mbresëlënës. Zonja Kumbaro u dakortësua plotësisht me këtë ide që qarkullon sidomos ndër kompozitorët por, nevojitet një mendim mbi këtë konkurs. Si mund të ngremë strategjinë për vlerësimin e veprave kombëtare që janë, apo mund të krijohen në fushën e muzikës serioze kombëtare? Jepni mendimet tuaja në komentet që mund të keni pasi kjo do të shërbejë për më tej. Afati i shprehjes së këtyre mendimeve do të jetë deri në fillim të shtatorit, kjo pasi ministria e kulturës do të planifikojë buxhetin për vitin tjetër dhe, në këtë buxhet, sipas premtimit të ministers Kumbaro do të ketë për herë të parë në 27 vjet një zë për muzikën kombëtare shqiptare. Kjo është një shpresë që do të ndezë më në fund motorrët e fikur me zorr të kompozitorëve të traditës dhe të rinj, që të bëhen pjesë e skenës shqiptare duke mos e lënë muzikën në duar të një krimi të pashoq që ka ndodhur në këtë fushë delicate të artit. Iu lutem, jepni mendime, sidomos miqtë e mi që janë kompozitorë. Të jeni të sigurt se të gjitha do të respektohen, dhe ato që janë me peshë, dhe të studiuara edhe do të zbatohen. Pas këtyre mendimeve që ju mund ti jepni edhe në faqen e ministrisë së kulturës do të zhvillohet një debat gjithëpërfshirës në lidhje me këtë temë: “Muzika kombëtare shqiptare dhe strategjitë e mbështetjes nga shteti” ku do të jeni të gjithë pjesë e tij. Kërkoj mendimin e kompozitorëve si domosdoshmëri dhe patriotizëm, kjo pasi akrepat e orës së muzikës shqiptare vazhdojnë ende të rrijnë pakurdisur. Kemi mbërritur në kufijtë e sos-it! Kompozitorë të nderuar: Prof. Vasil Tole, Klodian Qafoku, Miron Kotani, Gazment Mullahi, e shumë të tjerë ti bashkohen kësaj nisme. Askush më mirë se ne nuk e bën dot një politikë mbështetëse për ne. Muzika e mirëfilltë ka kohë që ka heshtur dhe duhet ta zgjojmë. Bashkohuni!