Dinastia Libohova, historia e ndritshme e Mufid bej Libohovës dhe e bashkëshortes së tij daneze
Arslan & Kaplan Libohova
Autorët e këtij artikulli janë vëllezërit binjakë Arslan Bej dhe Kaplan Bej Libohova. Ata lindën në Libohovë më 1917, kanë ndjekur të njëjtat studime dhe karrierë. Janë rritur si djemtë e tij nga gjyshi i tyre Mufid Beu deri sa ai vdiq më 1927. Kanë kryer studimet e mesme në Paris e në Londër ndërsa liceun ushtarak, akademinë ushtarake dhe shkollën e lartë për oficerë e kanë bërë në Itali dhe kanë dalë oficerë në ushtrinë shqiptare më 1936. Komandantë në Luftën Ballkanike 1941-1943 në krye të vullnetarëve shqiptarë që luftonin për çlirimin e Çamërisë. Oficerë eprorë akademistë dhe diplomatë.
Në 1947 dhanë dorëheqjen nga ushtria. Kanë jetuar në Egjypt si këshilltarë të një grupi të fuqishëm ekonomiko-financiar që iu dha mundësinë të udhëtojnë në Evropë, Afrikë dhe Azi. Më vonë u transferuan në SHBA në 1960 ku kanë jetuar për disa vjet në New York dhe kanë udhëtuar në Amerikën e Veriut dhe të Jugut. Kanë jetuar në mërgim në Itali, Zvicër, Francë dhe kanë patur rastin të udhëtojnë në shumë vende të tjera.
Si lider indipendentë kanë bashkëpunuar me shumë organizata ndërkombëtare dhe amerikane për të paraqitur problemet dhe situatën tragjike të Shqipërisë gjatë regjimit dhe diktaturës komuniste. Gjithashtu kanë publikuar shumë shkrime në revista e në shtypin shqiptar në mërgim dhe në shtypin ndërkombëtar për problematikat shqiptare me qëllim që të njihej më mirë historia e jonë jashtë atdheut. Kanë patur edhe shumë kontakte me autoritete diplomatike, ushtarake e personalitete të larta evropiane e amerikanë për mbrojtjen e kauzës kombëtare.
Gjatë më shumë se 50 vjet mërgim kanë bërë vazhdimisht një betejë të gjerë për të mbrojtur fuqimisht në arenën ndërkombëtare të drejtat e kombit dhe të popullit tonë.
Ata mbetën personalitete të shquara shqiptare të kauzës kombëtare. Arslan Beu vdiq më 15 Dhjetor 2002 në San Remo të Italisë në moshën 85-vjeçare. Kaplan Beu është sot më i moshuari dhe kryetari i dinastisë së lashtë të bejlerëve të Libohovës.
Do të botohet së shpejti një libër ku do të publikohen shkrime dhe komente të shkruara dhe të paraqitura gjatë sundimit të diktaturës staliniste në Shqipëri, nga shtypi shqiptar në mërgim dhe nga ai ndërkombëtar në të cilat ata pasqyrojnë, si lider të pavarur, situatën tragjike dhe vuajtjet e popullit tonë gjatë sundimit komunist dhe ku evidentohen edhe të drejtat e kombit dhe të popullit shqiptar.
Kush ishte Mufid Libohova?
Mufid Bej Libohova ka qenë një nga flamurtarët kryesorë të lëvizjes sonë kombëtare. Patriot nacionalist nga më të pastrit, studioz dhe burrë shteti realist i pajisur me cilësi të larta diturie dhe karakteri, i njohur dhe i çmuar edhe në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare. Ai ka qenë një nga prijësat shqiptarë më me rëndësi të kohës së tij dhe ka luajtur një rol vendimtar si për përpjekjet për shpalljen e pavarësisë kombëtare ashtu edhe për themelimin e Shtetit Shqiptar.Veprimtaria atdhetare e këtij burre shteti në fushën ndërkombëtare dhe kombëtare u shfaq, pa ndërprerje para dhe mbas shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë.
Ka qenë njeri me kulturë humanistike dhe juridike si dhe me një eksperiencë politiko-diplomatike shumë të gjerë; ka pasur marrëdhënie me personalitete të larta të botës politike, diplomatike dhe shoqërore jashtë dhe brenda vendit duke mbajtur kontakte me patriotë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë. Ka ndihmuar me shkrime, memorandume, raporte, kumtime diplomatike të drejtuara, herë mbas here, kancelerive evropiane me të cilat paraqiste problemet shqiptare dhe mbronte me guxim interesat e larta të vendit, seriozisht të cënuara nga fqinjtë tanë të veriut dhe të jugut.
Luftoi ashpërsisht për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe bashkë me Ismail Kemal Bej Vlorën, të cilin e kishte kushëri dhe e lidhte një miqësi e ngushtë, organizoi-tok me një grup patriotësh-shpalljen e pavarësisë shqiptare në Vlorë më 1912.
Jetëshkrim i shkurtër i jetës së politike të Mufid Libohovës
Mufid Bej Libohova lindi në sarajet e stërgjyshërve të tij në Libohovë në korrik të vitit 1876 prej derës së Arslan-Pashallinjve që kanë qenë, brez pas brezi për disa shekuj me rradhë, vezirët e principatës të Janinës (gjer në vitin 1788 kur fillon qeverimi i Ali Pashë Tepelenës) i cili kishte bërë krushqi të ngushtë me bejlerët e Libohovës) dhe kanë qenë gjithashtu sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës dhe të Delvinës e shumë herë të disa krahinave të tjera. Pinjoll dhe më vonë kryetar i një familje historike më të lashta e të fuqishme të aristokracisë të vjetër shqiptare e cila njihet qysh prej shekullit 13-të dhe që sivjet ka kremtuar 700-vjetorin e lindjes.
Djali i madh i Neki Pashës, guvernator i Gjirokastrës, deputet i Shqipërisë në parlamentin e parë të Perandorisë Osmane, më 1879 dhe Këshilltar në Këshillin Perandorak të Shtetit. Mufid Beu studimet e para i kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe më vonë, në Stamboll ku mbaroi liceun perandorak “Galata Saraj” në gjuhën frëngjishte. Universitetin e kreu me plot sukses, në degën e drejtësisë. U laureua përsëri në Lausanne (Zvicër) ku mori edhe doktoratën në Shkencat Politike. Fliste dhe shkruante shumë gjuhë të huaja dhe kishte bërë shumë udhëtime në botë. Fliste frëngjisht, turqisht, greqisht, arabisht, persisht dhe italisht. Fare i ri hyri në karierrën diplomatike më 1898 dhe shkoi në ambasadën Perandorake në Bruksel të Belgjikës, ku brenda pak vjetëve u emërua Charge´ d`Affaires i asaj përfaqësie. Ndihmoi nacionalistët shqiptarë që vepronin në atë kryeqytet dhe veçanërisht Ismail Kemal bej Vlorën që botonte në atë kohë gazetën “Albanie” e më vonë “Le salut de l`Albanie” që shtypej në shqip, turqisht dhe greqisht. Ishte kjo një veprimtari shumë e rrezikshme që Stambolli e konsideronte një tradhëti. Më 1904 u transferua në Bernë si kryetar i misionit diplomatik në Zvicër. Gjatë atyre viteve ai vizitoi shumë kryeqytete të Europës në Berlin, në Vjenë, Paris, Londër, Romë dhe Shën Petërsburg për t’i fituar miq kauzës shqiptare. Më 1906 shkoi në Kairo si mysafir i Hidivit (mbreti i Egjiptit) Abas Hilmi Pashajt të cilin e kishte mik për t’i kërkuar ndërhyrjen e tij pranë Oborrit të Stambollit në favor të autonomisë shqiptare.
Më 1907 shkoi si Kryekonsull në Thesali për të patur mundësinë që të mbikqyrte personalisht pasurinë e madhe familjare mbas vdekjes së babait. Por me shpalljen e Hyrrietit më 1908, megjithëse ishte graduar Ministër Fuqiplotë dhe kishte një të ardhme të shkëlqyer në Perandorinë Osmane dha përnjëherë dorëheqjen së bashku me vëllezërit e tij Ekrem beun dhe Ajet beun,- i pari oficer epror Akademist i Kavalerisë në Shtatmadhorinë dhe i dyti Këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë – për të marrë pjesë më aktive dhe direkte në lëvizjen kombëtare për lirinë e Atdheut duke sakrifikuar kësisoj pa ngurim, tre vëllezërit nacionalistë interesat e tyre personale.
Mufid Beu gjithashtu ka shpenzuar shuma financiare të mëdha për kauzën kombëtare.
Ai ishte shumë i pasur dhe bujar dhe kishte trashëguar nga i ati, Neki Pasha, një pasuri të madhe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjyshi i tij Malik Pasha, që nuk kishte kurrë pranuar detyra zyrtare, ishte konsideruar person më i pasur, jo vetëm në Shqipëri, por me një pasuri të konsiderueshme edhe në Greqi, Turqi dhe në Egjipt.
Nga parlamenti turk në parlamentin shqiptar
Familja e bejlerëve të Libohovës ishte familja shqiptare që rronte në Stamboll me më shumë shkëlqim dhe kishte një pozitë të veçantë prestigji. U kthye në Shqipëri dhe u paraqit si kandidat në zgjedhjet për parlamentin e ri. Duke qenë se kishte trashëguar një pozitë të dorës së parë në Shqipëri dhe dera e tij ishte konsideruar në Stamboll si nacionaliste, qeveria turke e kundërshtoi me çdo mënyrë që të mos dilte deputet.
Por planet e Xhonturqeve, që kishin shkelur premtimet, nuk u realizuan pasi beu i Libohovës fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese.
Populli, pa dallim klase shoqërore ose feje, e deshi dhe e përkrahu si një përfaqësonjës guximtar e të zot për të mbrojtur interesat kombëtare. Meqënëse u rizgjodh si deputet i Gjirokastrës, qëndroi gjer në Luftën Ballkanike në parlamentin perandorak dhe u njoh për veprimtarinë e tij patriotike si mbrojtës i flaktë i lirisë shqiptare duke u bërë shumë i rrezikshëm për drejtuesat e Stambollit.
Për zotësinë e tij, seriozitetin dhe trimërinë e rrallë fizike dhe morale u bë në një çast kritik, një nga personalitetet më të dukshme të opozitës në parlamentin e Stambollit dhe u shqua jo vetëm në mes të kundërshtarëve të “Xhemijetit” si një flamurtar tepër i rrezikshëm i lirive kombëtare, por edhe në botën politike evropiane, si një udhëheqës që në Perandorinë Osmane e veçanërisht në Shqipëri ku ishte caktuar të luante një rol me rëndësi.
Mufid Bej Libohova qe një nga ato që mundën të bashkonin gjithë deputetët shqiptarë të katër vilajeteve në një ballë të vetëm parlamentar. Qeveria e Stambollit u trondit tepër nga veprimtaria guximtare e tij dhe që ta bënte për vete i ofroi një ministri me rëndësi në qeveri ose kryesinë e një ambasade, po ai që të dyja këto propozime të rëndësishme i refuzoi kategorikisht për të vazhduar me këmbëngulje përpjekjet në parlament dhe jashtë parlamentit për indipendecën e Atdheut.
Xhonturqit i përgatitën dy atentate për ta vrarë, por pa sukses. Më vonë e dënuan me vdekje dhe pasuria e tij, e konsiderushme edhe në Turqi iu konfiskua krejtësisht. Pasi filloi Lufta e Parë Ballkanike, duke parë shpartallimin e Perandorisë Osmane dhe përpjekjet tepër të rrezikshme të shteteve fqinje për coptimin e Shqipërisë, ai e kuptoi menjëherë se shpëtimi i Atdheut varej nga shpallja e shpejtë e vetqeverimit.
Së bashku me Ismail Kemal Bej Vlorën dhe me krerët e tjerë vendosën këtë vetëqeverim dhe shpalljen e pavarësisë së Atdheut. Mbas shumë rreziqesh, iku fshehtazi nga Stambolli dhe mbërriti në Shqipëri përpara Ismail Kemal Beut për të përgatitur shpalljen e njëhershme të pavarësisë në Vlorë ku u ndodh në atë qytet ditën e ngritjes së flamurit, më 28 Nëndor 1912, si delegat i Gjirokastrës dhe i Tepelenës.
Kuvendi kombëtar i Vlorës (28 Nëndor –4 Dhjetor) e zgjodhi unanimisht dhe i ofroi dy dikastere kyçe dhe me rëndësi: Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe më vonë, Ministrinë e Punëve të Jashtme duke qëndruar në këto detyra gjatë vitit 1912 e 1913. Gjithashtu u zgjodh nga të gjashtë fuqitë e mëdha evropiane, që morën pjesë në Konferencën e Londrës, si përfaqësues i vetëm i Shqipërisë në Komisionin e Kontrollit Ndërkombëtar për Shqipërinë, detyrë kjo me një rëndësi madhore. Gjatë qëndrimit të Ismail Kemal Bej Vlorës në Europë, Mufid Bej Libohova kryesoi Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Përkrahu ardhjen e Princ Vidit dhe e priti zyrtarisht në emër të Shqipërisë në 7 mars 1914 në Durrës (që u bë dhe kryeqyteti i Shqipërisë), mbasi ai ishte personaliteti shqiptar më në evidencë në atë moment mbas rënies së qeverisë të Ismail Kemal beut dhe si përfaqësonjës i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar.
Në kabinetin që u formua sapo erdhi mbreti, i ngarkoi atij Ministrinë e Drejtësisë dhe të Kultit, e pak më vonë, u emërua edhe Ministër i Punëve të Jashtme. Por duke qenë se ra në kundërshtim me mbretin, përsa u përkiste kompetencave të ministrive dhe për situatën që ishte krijuar në oborrin mbretëror, preferoi të jepte dorëheqjen nga kabineti. Pastaj pranoi, me insistimin e mbretit, të shkonte në Romë si i pari Mininstër Fuqiplotë i Shqipërisë pranë Oborrit Mbretnor të Italisë. Qeveria emëroi Ekrem bej Libohovën, vëllai më i vogël i Mufid beut, kryeadjutant i mbretit. Ai ishte oficer epror akademist në Shtatmadhorinë e Stambollit.
Kur plasi Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria u okupua nga ushtritë austriake dhe italiane ai arsyetoi se qëndrimi i tij në Romë mund t’i sillte vështirësira dhe prandaj u largua nga Italia dhe u vendos së pari në Zvicër dhe më vonë në Korfuz, për të ndjekur më së afërmi çështjet shqiptare. U largua nga Italia, megjithëse qeveria italiane i ofroi mbajtjen e përfaqësisë në Romë me shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe i siguronte të ardhurat personale si ministër shumë herë më të mëdha se ato që i ofronte qeveria e Shqipërisë.
Nuk deshi të bëhet rrogtar i qeverisë italiane dhe të urdhërohej nga një qeveri e huaj. Megjithëse propozimi i qeverisë italiane ishte në interesin e tij personal, nuk pranoi dhe mbylli përfaqësinë diplomatike dhe u transferua në Zvicër. Por, posa u lirua Gjirokastra prej pushtimit grek nga ushtritë aleate (italiane), u kthye në Libohovë dhe filloi përsëri të punojë për sigurimin dhe lirimin e vendit dhe për ringjalljen e një qeverie shqiptare. Në marrëdhëniet që pati me komandantët aleatë dhe me qeverinë e Romës, mundi të sigurojë, pas shumë përpjekjesh, krijimim e një qeverie provizore në Durrës. (Mufid Beu donte me këmbëngulje që Shqipëria të kishte patjetër një qeveri legale që të përfaqësohej në Konferencën e Paqes, se përndryshe, pavarësia e Atdheut do të ishte në rrezik tepër të madh).
Në atë qytet mori inisiativën, bashkë me Mehmet bej Konicën dhe mblodhi një Kongres Kombëtar (25 Dhjetor 1918) që vendosi unanimisht formimin e asaj qeverie.
Me ndihmën dhe bashkëpunimin e shumë patriotëve shqiptarë u formua kjo qeveri që vendosi zyrarisht krijimin e Shtetit Shqiptar dhe menjëherë dërgoi një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur interesat kombëtare rrezikisht të cënuara nga fqinjët. Praktikisht, qeveria e Durrësit e deshi Mufid Beu dhe u drejtua prej tij mbasi Turhan Pash Përmeti ishte transferuar në Paris për të ndjekur punimet e konferencës dhe Italia donte një komitet të thjeshtë. Në atë qeveri provizore që do të mbetej në fuqi, derisa Konfereca e Paqes do të caktonte fatin e Shqipërisë, kryesuar nga Turhan Pash Përmeti, Mufid Bej Libohova u emërua Ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Mehmet Konica u emërua Ministër i Punëve të Jashtme.
Në këtë qeveri, që mbeti në fuqi nga dhjetori 1918 deri në fillim të shkurtit1920, bënin pjesë eksponentë të vendit më të dukshëm të kohës si Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Sami bej Vrioni, Mehdi bej Frashëri, Abdi bej Toptani, Imzot Bumçi, Fejzi bej Alizoti, Preng Bib Doda, Mustafa Merlika Kruja.
Mufid bej Libohova shkoi në Paris, ku qëndroi tre muaj, për ndjekjen e punimeve të dërgatës zyrtare shqiptare në Konferencën e Paqes, në të cilën u pranua prapë, në kundërshtim me ineresat jugosllave e greke, liria e Shqipërisë sipas vendimit të Konferencës së Londrës që caktoi kufijtë e veriut dhe të veri lindjes më 22 Mars 1913 duke e lënë fatkeqësisht jashtë atdheut Kosovën e Çamërinë. Ndërhyrja e presidentit amerikan W.Wilson në favor të Shqipërisë ka qenë determinante për fatin e atdheut tonë, çka shqiptarët nuk duhet ta harrojnë.
Përplasja me qeverine noliste
Kur u kthye në Shqipëri i gjeti punët mjaft të trazuara. Në Lushnjë ishte mbledhur një kongres (21Janar 1920) me qëllim që të protestonte kundër qeverisë legale të Durrësit. Autoritetet ushtarake italiane jo vetëm që nuk e ndaluan këtë mbledhje por, tërthorazi, e favorizonin kështu që shumë delegatë nga viset e veriut dhe të jugut, që banonin në ato vende të largëta, mbërritën në Lushnjë me mjete të ushtrisë italiane (këtë ngjarje e vërteton edhe Ambasadori Jakomoni në librin e tij “La politika italiana in Albania” shtypur dhe publikuar më 1965). Kjo është një tjetër provë se Qeveria e Durrësit nuk ishte aq e bindur ndaj dëshirave dhe pretendimeve të autoriteteve italiane si mundoheshin ta bënin të besueshme me keqbesim ca pseudo-politikane te asaj kohe.
Praktikisht qeveria e Durrësit e cila kishte mbrojtur me vendosmëri interesat e vendit dha dorëheqjen dhe vendin e saj e zuri një qeveri e re e cila zgjodhi Tiranën si kryeqytet. Kabineti u kryesua nga Sulejman Bej Delvina dhe për herë të parë hyri në skenën politike shqiptare Ahmet Bej Zogu i cili zuri vendin e Mufid beut dhe u emërua Ministër i Punëve të Brendshme. Gjithashtu u formua një këshill i Lartë (regjence) me antar Aqif Pasha Biçakun, Abdi Bej Toptanin, Imzot Bumçin dhe Doktor Turtulli.
Mufid Bej Libohova mbas këtyre ngjarjeve nuk u mor përkohësisht me punë politike dhe u tërhoq në Libohovë për të administruar pasurinë e tij e për të vazhduar studimet e veta historike e juridike e për të sistemuar bibliotekën e madhe të tij që perfshinte shume libra dhe shkresa të vlefshme për historinë e vendit tonë dhe të familjes së tij. Këto ngjarje i shpjegon gjerësisht Mufid Beu në librin e tij “Politika ime në Shqipëri në 1920”.
Por atje nuk gjeti qetësinë e dëshiruar: i bënë një atentat të kurdisur nga vetë autoritetet në fuqi në Tiranë me qëllim që ta zhduknin mbasi konsiderohej personaliteti më i fortë e më me prestigj në të gjithë jugun. “Mufidistët”m siç quheshin ndjekësit e tij të shumtë në të gjitha viset shqiptare, sidomos vegjëlia, kundërshtoheshin ashpër nga ekstremistët e së majtës të cilët në personin e Mufid Beut shihnin pengesën kryesore për realizimin e planeve të tyre përmbytëse.
Megjithëse atentati kriminal ishte i organizuar në çdo hollësi dhe ishte menduar për një kohë të gjatë, gabimisht u vra një qahja i tij besnik, Selim Agaj. Në mbledhjen e këshillit kushtetues që u hap në Tiranë më 1923, populli i Gjirokastrës dhe i Labërisë e zgjodhi përsëri deputet; në kabinetin e ri u bë Ministër i Drejtësisë dhe më vonë, në një kabinet të dytë, Ministër i Financave dhe i Drejtësisë. Por partia kundërshtare e quajtura “popullore”, e përkrahur nga disa elementë ushtarakë të papërgjegjshëm mori fuqinë në dorë dhe formuan një qeveri të re filokomuniste e drejtuar nga Fan Noli.
Qeveria e Bela Kunit në Hungari dhe ajo e Fan Nolit në Shqipëri kanë qenë pikërisht dy qeveritë e para komuniste (mbas Luftës I Botërore) në Europë dhe mbas revolucionit të Tetorit në Rusi e udhëhequr nga Leninit në 1917 dhe më vonë nga Stalini. Pjestarët e kabinetit në të cilën Mufid Bej Libohova merte pjesë u larguan nga Shqipëria dhe atij iu desh të arratisesh më përpara në Jugosllavi, në Itali e më vonë në Greqi ku mblodhi një fuqi vullnetare. Është ineteresant të kujtohet një ngjarje që tregon prestigjin që gëzonte.
Ka qenë pjestari i fundit i qeverisë që u largua nga Tirana, u drejtua për në Shkodër ku u ndal për disa ditë para se të kalonte për në Jugosllavi.
Qeveria e re iu kërkoi shkodranëve me këmbëngulje të dorëzonin Mufid Bej Libohovën. Shkodranët, bujarisht sipas traditave të vjetra shqiptare, pa dallim feje dhe klase shoqërore, nuk pranuan kërkesën e autoriteteve të Tiranës po përkundrazi e nderuan Mufid Benë duke e përcjellë me respekt deri në kufi. Kur vetura e tij la tokën shqiptare rojet kufitare i paraqitën armët.
S’kishin kaluar as gjashtë muaj kur shumica e popullit, mbi vullnetin dhe përkrahjen e të cilit kishin mbështetur veprimet e tyre, u ngrit kundër këtij rregjimi komunist. Kur hyri Mufid Beu dhe Ahmet Bej Zogu, i pari nga Greqia dhe i dyti nga Jugosllavia bashkë me antarët e tyre, për të rrëzuar atë qeveri revolucionare, shumica e popullit të jugut dhe të veriut u bashkuan me qeverinë legale të përfaqësuar nga këta dy krerë.
Ndërsa fuqitë e veriut patën përkrahje politike dhe ushtarake të huaja jugosllave, Mufid Libohova nuk pranoi asnjë përkrahje të huaj për të mos hipotekuar veprimtarinë e tij politike dhe interesat eprore të vendit.
Mufid beu hyri në krye të fuqive të tij të armatosura në tokën shqiptare nga posta e kufirit të Kakavijes (një nga çiflikët e tij) më 24 dhjetor 1924. Duke kujtuar këto ngjarje historiani L. Vernon në librin e tij “Etudes des Balkans” shkruan: Qeveria e Tiranës i drejtoi Lidhjes të Kombeve një thirrje të nxehtë më 18 Dhjetor; por duke mos marrë asnjë përgjigje, qeveria dha dorëheqjen dhe Ahmet Bej Zogu hyri në Shipërinë e veriut pothuajse pa asnjë qëndresë.
Ministrat e kabinetit komunist u tërhoqën në Vlorë duke thënë se kishin ndërmend të luftonin deri në fund, por kur Mufid Bej Libohova me pasusit e tij dhe në krye të një fuqie vullnetare shqiptare hyri nga Greqia, ata u arratisën me shpejtësi në Itali. Në Gjirokastrën e stolisur me flamurë dhe me lule u prit triumfalisht nga gjithë popullata e qytetit dhe të krahinave duke demostruar aq nxehtësisht që nuk ishte parë kurrë më përpara. Në atë rast, për herë të parë në Toskëri, gratë muslimane të Gjirokastrës, në shenjë gëzimi e nderimi, zbuluan fytyrat e tyre. Gjithashtu, dërgata nga shume vise të Shqipërisë jugore kishin dërguar përfaqësitë e tyre për ta përgëzuar, ajo e Vlorës kryhesohesh nga Ekrem bej dhe Nuredin Bej Vlora.
Këto manifestime vetëdashëse tregonin haptasi sa i madh ishte prestigji dhe popullariteti që ai gëzonte. Në ato ditë ai mbajti në prefekturë në Gjirokastër një fjalim me rëndësi që u prit me brohoritje, ku në mes të tjerave, shpalli vijat kryesore të politikës shqiptare për të ardhmen. Nënvizoi veëanërisht rëndësinë dhe nevojën e bashkimit kombëtar duke ngulur këmbë energjikisht se nuk duhesh marrë asnjë akt hakmarrjeje kundër pjestarëve ose simpatizantëve të regjimit të mëparshëm në fuqi.
U bë vetë garant për sigurimin e tyre dhe i ftoi të venin lirisht në shtëpirat dhe në punërat e tyre pa asnjë frikë; disa prej tyre i priti personalisht dhe i qetësoi. Pa dyshim, ndërhyrja bujare e tij shpëtoi jetën e shumë njerëzve të komprometuar; në mes këtyre ishte dhe një person që disa kohë më përpara kishte organizuar një atentat kundër tij!
Bashkëpunimi me mbretin
Mandej, në kundërshtim me dëshirën e shumicës të krerëve të Toskërisë, nuk pranoi të shkojë në Tiranë me fuqinë e tij të armatosur me qëllim që kjo ngjarje mos të merrte një ngjyrë partizane dhe përçarëse në dëm të unitetit kombëtar. Fuqitë e tij i shpërndau me një herë, gjë që nuk ngjau me ato zogiste të veriut.
Në akordet që kishin marrë gjatë mërgimit-Mufid beu në Romë dhe Ahmet Zogu në Beograd-ishte paraparë që një nga këto dy personalitete do të bëhej, mbas rrëzimit fanolist, president i republikës dhe tjetri kryeministër. Kjo marrëveshje nuk u respektua, mbasi Zogu – përpara se Mufid beu të vinte në Tiranë – u proklamua president dhe kryeministër! Nuk ka qenë një gjest shumë bujar.
Mufid Bej Libohova ishte një patriot që vepronte për atdhenë e tij e jo për kolltukë. Në qeverinë e re që u formua në Tiranë në Janar të 1925 e kryesuar nga Ahmet Bej Zogu, ai u bë Ministër i Financave, i Drejtësisë e i Punëve të Jashtme. Në atë kohë Mufid beu krijoi Bankën Kombëtare dhe për nevojat urgjente të zhvillimit ekonomik të vendit, ai bëri një marrëveshje ekonomike-financiare për një hua të rëndësishme në favor të Shqipërisë, (që ngjan shumë me planin “Marshall”) me një shoqëri private italiane të madhe.
Veprimi i parë shkaktoi që Shqipëria, për herë të parë, hyri në tregun monetar të përbotshëm dhe kapitalit shqiptar iu sigurua vlera si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu u krijua një monedhë kombëtare që u quajt “Lek”. Kushtet e formimit të kësaj Banke ishin të njëjta me ato të propozuara edhe nga një grup tjetër (anglez) po që nuk kishte asnjë garanci shtetërore si kishte grupi i fuqishëm italian i cili ishte i garantuar edhe nga një grup bankar zviceran.
Huaja iu dha Shqipërisë për rrugat, urat, ndërtesat qeveritare dhe veprat publike më me rëndësi aq të nevojshme asokohe për vendin tonë. Këto ndërtesa, akoma sot janë pasuri e gjithë kombit shqiptar (si ministritë në Tiranë, etj). Kjo qeveri mbeti në fuqi deri në fillim të vitit 1927. Por gjatë kësaj kohe divergjencat midis Mufid Beut, njeri me karakter të fortë dhe pa kompromise, dhe Kryetarit të Republikës u bënë, me kohë, gjithnjë më të thella mbasi i pari nuk mund të pranonte disa veprime të presidentit në lidhje, veçanërisht, me drejtimin e punëve të shtetit sidomos përsa i përkiste politikës së tij tepër krahinore, zvogëlimi i rolit të parlamentit, hyrja në sferën drejtuese qeveritare të disa elementeve të papërshtatshëm dhe falja Jugosllavisë të Shën Naumit dhe të Vermoshit.
Për shkak të këtyre rrethanave, që ndërgjegjia e tij nuk mund të pranonte, Mufid Bej Libohova preferoi të tërhiqet kundër interesave të tij, nga rrethet qeveritare dhe shkoi për kurime mjekësore në Paris dhe për një pushim pranë të birit, Malik Beut, që ishte në atë kohë i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Francë.
Largimi i tij bëri që i gjithë kabineti ministror të japi dorëheqjen. Pak kohë mbas kthimit të tij në Atdhe vdiq pa pritur në moshën 51-vjeçare në Sarandë, në shkurt të vitit 1927, mbasi i kushtoi më shumë sakrifica dhe rreziqe tërë jetën e tij çështjes kombëtare. U varros në Libohovë me nderime të posaçme dhe në praninë e një turme të madhe të ardhur nga gjithë viset e Shqipërisë dhe nga jashtë vendit.
Trupi i tij i pajetë u vendos në tyrben e oxhakut të tij pranë gjyshit Malik Pashës dhe stërgjyshes Shanisha Hanëmi, e famshmja motra e Ali Pashë Tepelenës dhe e shoqja e Ali Pash Libohovës. (Varrezat e bejlerëve të Libohovës u shkatërruan krejtësisht nga ashtuquajturi “Pushteti popullor” dhe deri sot nuk është identifikuar, me saktësi, varri i Mufid Beut. Barbarizma e diktaturës komuniste nuk respektoi as të vdekurit).
Personaliteti i tij i fortë dhe pozita që gëzonte dera e tij shkaktuan, fatkeqësisht, që disa politikanë shpirtvegjël dhe ziliqarë u munduan, në çdo mënyrë, të kritikonin veprimtaritë e tij patriotike duke shtrembëruar ose mohuar me qëllim dhe keqbesim të vërtetën dhe, shumë herë, duke shpifur ngjarje fare të pandodhura dhe që nuk i përshtateshin aspak të vërtetës. Ndofta, mund të jetë gabuar vetëm duke u besuar tepër e duke çmuar së tepërmi ata me të cilët bashkëpunoi.
Sipas disa historianëve dhe analistëve seriozë, vdekja e tij ka qenë e parakohshme, mbasi, ai me eksperiencën, prestigjin dhe zotësinë e tij diplomatike do të kishte vazhduar të shërbente me mençuri atdheut të tij dhe për ca kohë akoma, duke evituar, ndoshta, që ngjarje politike kombëtare dhe ndërkombëtare, të godasin tragjikisht vendin tonë dhe sidomos ardhja në fuqi e pushtetit të egër 50 vjeçar e diktaturës marksiste, pasojë e të cilës, mjerisht, vazhdojnë të kondicionojnë negativisht jetën e popullit tonë bujar shqiptar, megjithëse kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që ajo diktaturë është përmbysur.
Mufid Beu ka botuar në Kairo më 1903 një vepër historike shumë të vlefshme dhe të dokumetuar, që bën tekst midis studiuesve dhe historianëve, mbi jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës i cili u ribotua në Stamboll në vitin 1908 duke i shtuar disa ngjarje të dokumentuara që i përkisnin këtij udhëheqësi të famshëm, me të cilin dera e tij ka patur gjini të afërt. Më 1980, me ndërmjetësinë e nipërve të tij të dashur që i kishte rritur, Arslan bej dhe Kaplan bej Libohova, kjo vepër historike madhore u përkthye në greqisht nga Akademia e Epirit në bashkëpunim me Universitetin e Janinës.
Ka qenë një gjest bujar me të cilën Greqia nderoi figurën e ndritur të Mufid bej Libohovës. Rishtazi u gjetën në bibilotekën kombëtare në Tiranë shumë shkresa e dokumenta historike të tij (edhe libri i Ali Pash Tepelenës), të cilat do të përkthehen dhe do botohen në Tiranë. Këto vepra do pasurojnë historinë dhe kulturën shqiptare. Po në atë vit, më 1908 i fali, ndër të tjera, me bujarinë që e karakterizonte, Bashkisë së Gjirokastrës sheshin kryesor të qytetit që ishte pronë e familjes si dhe një dhuratë financiare prej 5.000 napolona për ngritjen në atë vend të gjimnazit shtetëror; dëshira e tij u plotësua brenda një kohe të shkurtër. Edhe e motra e tij, Behire Hanëmi, që vdiq fare e re, i la Bashkisë së Gjirokastrës një shumë të madhe për sjelljen e ujit në qytet.
Më vonë, Mufid Beu e bëri Libohovën nënprefekturë.
Ndërtoi rrugën që lidhte qytetin me Gjirokastrën e Janinën, pruri ujin e pijshëm, i fali sheshin kryesor Bashkisë dhe ndërtoi shkollën fillore. Edhe sot lulëzojnë në sheshin kryesor të Libohovës dy rrepe gjigande që ai i kishte mbjellë – 100 vjet më përpara-me duart e tij.
Suveniret e Mufid Beut në Beograd
Përveç djegies së bibliotekës së tij, komunistët “çlirimtarë” plaçkitën, dëmtuan dhe shkatërruan barbarisht edhe kompleksin e shtëpive të familjes në Libohovë (4 ndërtesa të mëdhaja mbi dy kate më shumë se 30 oda, mbi një kodrinë të vogël, me shumë bakshera, me pemë e lule,-të rrethuara nga mure të lartë me tre hyrje kryesore). Midis të tjerash, u plaçkitën mobilje të vlefshme dhe disa prej tyre antike, hallira, qilime persiane dhe ornamente të vjetra dhe të çmueshme, argjendari, kristaleri, piktura të vjetra, shumë koleksione të ndryshme (bibelote) dhe veçanërisht një koleksion me rëndësi sahatesh xhepi zvicerane të florinjtë esmalto (frengjisht- e`mail) e pakta 30 copë, xhevahire të vjetra familjare dhe shumë sende të vlefshme.
Gjithashtu u zhdukën disa plaçka (sende) me një vleftë historike të madhe si shpata e sulltan Bajazitit me xhevahire, shala dhe armatime të ndryshme të Ali Pash Tepelenës (që e kishte trashëguar prej tij shtëpia e bejlerëve të Libohovës) si kobure, pushkë, shpata të dekoruara me xhevahirë. Mjerisht, u zhduk dhe një kokë prej mermeri origjinale të Greqisë antike që përfytyronte një Dea e asaj periudhe të lashtë me vleftë historike dhe artistike të paçmueshme. Simbas disa burimeve të besueshme rezulton se këto grabitje të fundit (shpata e Sulltanit, disa armatime të Ali Pashës dhe koka antike greke), Enver Hoxha ia pas kishte dhuruar (me shkëlqim) shokut Tito, si shenjë miqësie dhe mirënjohje për dashamirësinë vëllazërore të tij ndaj shokëve komunistë shqiptarë (si duket kishte harruar masakrat gjakatare të serbëve ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe kthimi i saj në Federatën komuniste Jugosllave).
Natyrisht, Enver Hoxha kishte harruar t’i thoshte shokut Broz-Tito se dhuratat që i paraqiste buronin nga plaçkitjet që i ashtuquajturi ”pushteti popullor” i kishte bërë shtëpive të “beut feudal” Mufid Bej Libohovës! Është thënë se dikush i kishte parë këto “peshqeshe” në një muze në Beograd në kohën e Titos.
Në mbarim të 1926, pak kohë para vdekjes, i dha fund pjesës së parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike që mbulon periudhën 1896-1927. Ato përfshijnë edhe dokumenta shtetërore dhe ndërkombëtare origjinale, të pa botuara, me një rëndësi të veçantë për Historinë e Shqipërisë, janë aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit në favor të indipendencës kombëtare si dhe veprimtaria e tij në fushën diplomatike ndërkombëtare me qeveritë më të mëdha të atëhershme.
Këto shkrime të gjera, si dhe studime të tjera historike dhe juridike mbeten në bibliotekën e tij në Libohovë që përmbante më tepër se 5000 vëllime e cila u dogj nga diktatura gjakatare dhe e pamëshirshme si rezultat i paditurisë të drejtuesve komunistë. Ajo ishte biblioteka private më e madhe dhe më e vlefshme në Shqipërinë e asokohe, një akt kriminal madhor për historinë dhe kulturën shqiptare.
Mjerisht një emër i harruar dhe i errësuar me qëllim ai i Mufid Bej Libohovës jo vetëm nga regjimi komunist po që vazhdon edhe sot nga historianët dhe intelektualët tonë të sotëm, pak nga injoranca mbi veprimtarinë (ende të influencuar rëndësisht nga histografia komuniste dhe propaganda sistematike tendencioze dhe gënjeshtare komuniste e cila vazhdoj pothuajse 50 vjet) e këtij burri shteti dhe patriot i flaktë i shqiptarizmit pak edhe nga zilia dhe nga ndjenjat politike ekstremiste që ende frymëzojnë, fatkeqësisht, disa persona shpirtvegjël.
Sidoqoftë, e vërteta historike nuk mund të mbulohet ose të fshihet, të shtrembërohet me mashtrime rrenacake përgjithmonë, pasi ajo, shpejt a vonë, del në shesh. Nuk ka pikë dyshimi se kjo është një e drejtë që s’mund ta mohojë kërkush. Ka ardhur koha që emri i tij të riabilitohet plotësisht dhe zyrtarisht të zërë vendin që i përket me plot të drejtë në historinë e vendit tonë.
Mufid Bej Libohova konsiderohet nga shumë intelektualë dhe historianë të pa anshëm qofshin të huaj ose shqiptarë të ndershëm, si burrë shteti dhe diplomati më i shquar shqiptar dhe i përgatitur pas shpalljes së Pavarësisë së Atdheut në 1912, për më shumë se dhjetë herë ministër në dikasteret kyçe të shtetit shqiptar, mes të cilave në ato të Punëve të Jashtme, të Brendshme, Drejtësisë dhe të Financave.
Si ministër i parë i Brendshëm dhe i pari i Punëve të Jashtme në qeverinë e Vlorës më 1912 ai ka qenë reformatori dhe themeluesi i administratës së brendshme të shtetit të parë shqiptar (kishte emëruar prefektët, nënprefektët, kryetarët e bashkive dhe të komunave, komandantët e parë të xhandërmarisë). Ka qenë, gjithashtu, themeluesi i diplomacisë shqiptare dhe sisoj vazhdoi politikën e tij në arenën ndërkombëtare për mbrojtjen e interesave kombëtare-të cilën e kishte filluar në 1908, edhe përpara, kur ishte diplomat e deputet i Shqipërisë në Parlamentin e Stambollit, ku përpara tij kishte qenë i ati i tij Neki Pash Libohova. Për të kompletuar biografinë e shkurtër të Mufid Beut duhet thënë dhe dy fjalë mbi jetën private dhe familjare të tij.
Ai ka patur dy djem: I pari Malik Beu, lindur në Stamboll më 1896 dhe që vdiq në mërgim në Romë 1952 që pati me të shoqen e parë Sheref Hanëm Giritli Zade, (vajza e Ibrahim Pashës dhe mbesa e Mustafa Pashësm 5 herë Sadrazem dhe Kryeministër në Perandorinë Osmane, i cili ka qenë diplomat, ministër fuqiplotë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë me shumë dinjitet dhe zotësi në shumë kryeqytete evropiane, Paris, Londër, Romë, Gjenevë etj). Dy djem binjakë të Malik Beut Arslan dhe Kaplan Beu, sa lindën i mori dhe i rriti gjyshi si djemtë e tij deri sa vdiq më 1927 kur ata ishin 10 vjeç. Djali i dytë i Mufid Beut ka qenë Elmas Beu i cili lindi në Libohovë nga e shoqja e dytë e Mufid Beut Olga Schweitzer, një zonjë e shquar dhe bujare nga Danimarka.
Elmas Beu lindi më 1922 dhe vdiq në Tresh të Lezhës më 1977 nga pasojat e rënda të shkaktuara nga burgimet, internimet dhe vuajtjet fizike dhe shpirtërore që i kishte bërë pa mëshirë regjimi gjakatar komunist. Kur Shqipëria ra në dorën e komunistëve ai ndiqte studimet në fakultetin e Jurisprudencës në Universitetin e Romës.
U kthye në Shqipëri se ishte krejt i pastër pasi nuk ishte marrë kurrë me politikë. Ishte vetëm një student universitar 22-vjeçar. (Më 1939 kur Italia fashiste zaptoi vendin tonë ai ishte asokohe, student në Liceun Francez të Korçës, kishte marrë pjesë në demonstrata kundër pushtuesve të huaj të vendit të tij dhe ishte bile plagosur).
Mosmirënjohja komuniste
Kalvari i gjatë dhe i tmerrshëm i Elmas Bej Libohovës filloi pikërisht nga viti 1945 deri sa vdiq më 1977. Nga 1947, gjatë 10 vjetëve, ai u burgos, vazhdimisht në Libohovë dhe nëpër burgjet e Gjirokastrës, Kënetës së Maliqit, Tiranës etj. Pas arrestimit të tij është konfiskuar e gjithë prona e madhe familiare dhe u dogj biblioteka e Mufit Beut. Madamë Olgën e hodhën brutalisht jashtë nga shtëpia e saj duke e detyruar të bënte punët më të rënda dhe degradante të cilat i përballoi me shumë dinjitet.
Pas internimeve dhe burgimeve të rënda, që i dobësuan së tepërmi konditat shëndetësore, më 1958 Elmas Beu e detyruan të ndërrojë disa herë vendbanim, e izoluan krejtësisht nga bota në Tresh të Lezhës ku praktikisht u internua dhe duhej të punonte pa ndërprerje dhe të zbatonte “normat” e partisë së popullit në aktivitete fizike tepër të rënda për një person të radhës së tij (me tension 250-150, ishte i detyruar të shkonte në punë!). Ka qenë i internuar në Tresh gjatë 20 vjetëve ku ndërroi jetë, në 1977, në moshën 55 vjeçare. Përballoi fatin e keq me shumë guxim dhe dinjitet pa u përkulur kurrë armikut komunist. Është për t’u kujtuar dhe nënvizuar një ngjarje (episod), që demonstron karakterin e fortë, burrërinë dhe krenarinë e tij.
Disa vite para vdekjes së tij, në vitin 1975 u paraqitën në banesën e tij në Tresh dy oficerë të famëkeqes të “Sigurimit” që i njihte mirë sepse ishin Libohovitë, i pari quhej Feçor Shehu dhe i dyti Hysen Gorrica. Dy emisarët e vunë në dijeni menjëherë se ishin të dërguar personalisht nga Enver Hoxha i cili kërkonte t’iu dorëzonte atyre librin e “Historisë së Shqipërisë” dhe vepra të tjera të shkruara nga i ati, Mufid Beu. Si duket Enver Hoxha besonte se ai këto libra i kishin shpëtuar nga djegja e bibliotekës së tij dhe se i fshihnin familjarët. Ndër të tjera, emisarët kuqalashë i premtuan se Enveri pas dorëzimit të librit do të interesohesh për të ardhmen e tij personale dhe të fëmijëve.
Elmas Beu iu kujtoj dy spiunëve të Ministrisë së Brendshme, se Enveri i kishte djegur dhe plaçkitur barbarisht banesat e familjes në Libohovë me gjithë sendet me vlerë të madhe. I ngarkoi t’i thoshnin atij përsa i përkiste sistemimit që ai i premtonte atij dhe fëmijëve, se nuk e donte mbrojtjen e tij dhe se ai kishte vuajtur nëpër burgje e internime ashtu edhe fëmijët do të përballonin bashkë me jetën e tyre fatkeqe. Shtoi se nuk dëshironte mëshirën e Enverit dhe se kishte jetuar deri atë ditë me vuajtje të rënda por me nder dhe dinjitet dhe se ashtu kishte ndërmend të vazhdonte deri në vdekje.
Ju kujtoi dy oficerëve të Sigurimit se Enver Hoxha ka qenë nga ata që ka patur mbrojtje dhe përfitime nga bejlerët e Libohovës në një kohë kur ai s’ishte kërkushi dhe nuk dinte nga t’ia mbante. Mbas fjalëve të forta të Elmas Beut, dy emisarët mbetën shumë të tronditur e të prekur dhe e lutën të mendonte mirë çdo të bënte dhe se ata nuk mundeshin t’i referonin “shokut Enver“ pozitën e tij të patundshme dhe mos pranimeve e kërkesave të tij. Ikën me bishtin ndër shalë.
Në vitet 1933-1934, Enver Hoxha, me ndërmjetësinë e Ekrem Bej Libohovës, (vëllai i vogël i Mufid Beut), asokohe Ministër i Oborrit, i iu dha një bursë shtetërore për studime në Universitetin e Mont Pelier në Francë. Ai preferoi të shkojë në Paris dhe në vend që të studionte, frekuentonte rrethet e partisë komuniste franceze dhe bashkëpunonte me gazetën komuniste “Humanité” duke vepruar, fshehtazi, kundër atdheut të tij.
Mbasi rezultatet shkollore qenë krejtësisht negative, iu pre bursa.
Kërkoi ndihmën e Malik Bej Libohovës (djali i Mufid Beut) i cili ishte i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris, i cili bujarisht i rregulloi çështjen e bursës dhe e ndihmoi materialisht. Pak më vonë, erdhi në Paris, si ministër fuqiplotë, Ekrem Beu, i cili e përkrahu fuqimisht (studentin gjirokastrit mbasi familja Hoxha në të kaluarën kishte patur përkrahje nga bejlerët e Libohovës).
I gjeti një punë të mirë si sekretar privat i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Paris, një kont pasanik që quhej de Montale. Mbas ca kohe, konti u transferua në Belgjikë dhe e pushoi nga puna. Përsëri, me ndërhyrjen e Ekrem Beut, e mori në Bruksel ku asokohe, gjendej celula e Moskës për Shqipërinë. Sisoj familja Libohova, pa dashur, i hapi rrugën që më vonë do ta shpinte në krye të komunistëve shqiptarë!
Ai nuk e harroi kurrë të mirën që kishte patur kur kishte mbetur në mes të rrugëve të Parisit dhe ia shpërbleu sa mori fuqinë në dorë duke djegur, plaçkitur, vrarë, arrestuar, burgosur, internuar shumë pjestarë fatkeqë të këtij oxhaku. Xhevat Beu (i vrarë pa besë), Ihsan Beu, Shevqet Beu (vdiq në burg nga torturat), që u gjendën në Shqipëri gjatë diktaturës gjakatare marksiste dhe midis tyre edhe Elmas Bej Libohova, më vonë dhe Madamë Olga, djalin e Mufid Beut dhe nipin e Ekrem Beut.
Është për të përmendur se një nga rojet personale (“trimat”), më besnikë të Mufid Beut ishte një djalosh nga Kurveleshi i quajtur Shefqet Peçi, nga një familje “Mufidiste” e Labërisë të cilin ai e mbante me vehte dhe për ta shpërblyer e kishte bërë edhe kapter i xhandarmërisë (zakonisht Mufid Beu mbante 5 trima të cilët e shoqëronin edhe në udhëtime brenda vendit). Kur situata politike e brendshme vështirësohej, krerët e Labërisë i dërgonin në Libohovë 25-30 vetë për ta mbrojtur me gjithë familjen).
Më vonë, në kohën e diktaturës komuniste, Shefqeti na ishte bërë njeri me rëndësi dhe një nga krerët e regjimit (Gjeneral, deputet, nënpresident i Republikës Popullore dhe anëtar në Komitetin Qendror të PPSH). Megjithëse mbante fotografinë e Mufid Beut në dhomën e gjumit, harroi të mirat që ai dhe familja e tij kishin patur dhe nuk ndërhyri për të mbrojtur të shoqen dhe djalin e Mufid Beut! Një tjetër djalosh fanatik komunist nga Libohova i quajtur Avni Rustemi i biri i një qahjaji të bejlerëve të Libohovës nga të cilët kishte patur përfitime – që kishte vrarë më 1920 në Paris pa besë dhe tradhëtisht Esat Pashë Toptanin dhe që histografia Fanoliste dhe komuniste e kishin bërë hero kombëtar! ishte bërë kundërshtari i Mufid beut; edhe ai kishte harruar profitet që kishte patur.
Më 1977 u arrestua edhe e shoqja e Elmas Beut, Myzafer Hanem, e bija e Enver Bej Libohovës, e cila u dënua abuzivisht me 4 vjet burgim me akuza qesharake krejtësisht të rrema dhe të pavërtetuara. Nga pasojat e vuajtjeve fizike dhe shpirtërore (elektroshoke) etj, bënë që vdekja e saj të ishte e parakohshme.
Ajo ishte një zonjë bujare, e dashur dhe e shkolluar, i kishte dhënë të shoqit tre djem: Mufid Beu, Kemal Beu dhe Enver Beu të cilët kanë patur një rini shumë të vuajtshme. Tre djemtë sot jetojnë në Evropë, punojnë në administrata dhe nderojnë oxhakun e tyre dhe traditat e lashta të familjes. Elmas Bej Libohova, pinjoll i një disnastie aristrokatike, historike dhe nacionaliste, kishte trashëguar nga i ati ndjenjat patriotike dhe fisnike nga me të pastra dhe kur iu paraqit rasti dëftoi kurajon fizike dhe morale duke refuzuar kategorikisht ndihmën që personalisht tirani komunist i ofronte. Ai nuk mund t’i përulesh Enver Hoxhës se nderi, traditat dhe virtytet e lashta të oxhakut te tij nuk ia lejonin, dhe në se ishte në lodër jeta e tij dhe e fëmijëve!
Figura e ndritur e tij duhet të jetë një shembull për popullin tonë. Është për tu kujtuar edhe një episod tjetër. Këtë herë i përket të shoqes së Mufid Bej Libohovës, Madame Olga, për aktin e lartë shembullor në të cilën ajo, më 1944, shpëtoi jetën e 100 burrave të Libohovës nga ushtria Gjermane. Në fillim të vitit 1944 një kolonë e vogël prej disa automjetesh ushtarake gjermane që po tërhiqeshin nga Greqia në rrugën midis Kakavijes dhe Libohovës u sulmuan nga zjarri i një grupi të vogël partizanësh që shkaktoi vrasjen e një ushtari gjerman.
Mbasi çeta u tërhoq, gjermanët mbërritën menjëherë në Libohovë ku arrestuan 100 burra duke i kërcënuar në rast se nuk tregonin ku ishin fshehur partizanët do të pushkatoheshin që të gjithë. Madame Olga u informua për ngjarjen dhe menjëherë shkoi në vendin ku ishin vendosur libohovitët për pushkatim. Menjëherë iu drejtua oficerit gjerman duke folur gjermanisht (ajo ishte një zonjë e shkolluar që fliste dhe shkruante shumë gjuhë), ai e mirëpriti me nderim, dhe dikush i tha se ajo ishte bejleresha e Libohovës dhe e shoqja e Mufid Libohovës. Oficeri gjerman e luti të ndërmjetësonte pranë fshatarëve që ti tregonin fajtorët që qëlluan po të dëshironin të shpëtonin jetën e tyre. Ajo refuzoi dhe i tha komandantit se nga Libohova nuk kishte asnjë fshatar që ishte partizan komunist dhe prandaj gjithë fshati ishte krejt i pafajshëm.
Duke parë se gjermanët kishin ngulur këmbë i lajmëroi se edhe ajo do të vendosesh në mes dhe në krye të 100- burrave të Libohovës për të përballuar pushkatimin po qe se nuk e lironin menjëherë. I tronditur oficeri gjerman mirrte në telefon komandën e tij në Gjirokastër duke i shpjeguar situaten e ndërlikuar dhe duke evidentuar se e shoqja e Mufid Bej Libohovës ofronte jetën e saj që të pushkatohej së bashku me 100- burrat e Libohovës. Atëhere, komandanti si duket për të evituar trazime edhe politike, dha urdhër që të pezullohej menjëherë pushkatimi i burrave të fshatit.
Në shenjë falenderimi dhe mirënjohje ajo i dhuroi oficerit gjerman një sahat xhepi të florinjtë te vlefshëm. Sisoj, 100 burra të Libohovës, mbas ndërmjetësisë energjike dhe bujare e bejlereshës së Libohovës që i shpëtoi nga nje vdekje e sigurtë (ligjet e luftës së ushtrisë gjermane ishin të tmerrshme).
Edhe sot e kësaj dite, më të moshuarit e fshatit e mbajnë mend aktin guximtar dhe patriotik të kësaj zonje të madhe me prejardhje të huaj, por me ndjenjat thellësisht shqiptare mbasi kishte hyrë dhe ishte bërë pjestare e një familje të madhe atdhetare, që kishte luajtur një rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Edhe brezat më të ri që sot rrojnë në Libohovë e kujtojnë dhe e nderojnë më respekt dhe dashuri.
Çuditërisht askush, deri sot, nuk i ka ardhur në mendje të kujtojë një person si Madame Olga që ka bërë vullnetarisht dhe më ndërgjegje të plotë një akt të guximshëm dhe patriotik, duke shpëtuar jetën 100 vetëve e duke vënë jetën e saj në rrezik. Zakonisht akte të tilla në vendet evropiane të qyteteruara kujtohen me një shpërblim moral ne të cilën shteti e nderon dhe shfaq mirnjohjen e tij protagonistit.
Por shteti “demokratik”shqiptar, megjithëse se kanë kaluar 60 vjet, nuk e ka gjykuar të arsyeshëm dhe të detyrusheme t’i çfaqi kujtimin mirënjohës figurës të lartë e shoqes të Mufid Beut, e cila, me sjelljen e saj shembullore dhe me plot të drejtë, i përket të njihet moralisht dhe zyrtarisht titulli i nderit “Nënë Tereza”.
Mufid Bej Libohova ka pasur edhe tre vëllezër e një motër: Sedat Beu, kolonel akademist i Shtatmadhorisë i cili u vra pabesë, nga një kapiten çerkez, në 1906 në Selanik; Ajet beu, diplomat, jurist, historian, kryetar në Këshillin e Shtetit Shqiptar, i cili vdiq, në mërgim në Romë në 1952 dhe Ekrem Beu, oficer epror akademist i Shtatmadhorisë-Prefekt i Vlorës, komandant brigate në Çamëri në luftën ballkanike 1912, kryeadjutant i princ Wiedit, ministër fuqiplotë i shqipërisë në Romë, Bruksel, Paris, Minister i Oborrit, Minister i Punëve të Jashtme dhe së fundi Kryeministër-i cili vdiq në mërgim në Romë më 1948.
Motra ishte Behire Hanemi e cila vdiq fare e re në 1908 në Beirut, ku i vjehri Vezir Halil Pasha Alizoti ishte asokohe Guvernator i përgjithshëm i Libanit. Shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj kanë shkruar mbi personalitetin e fortë dhe mbi veprën atdhetare të Mufid Bej Libohovës. Ekrem Bej Vlora (diplomat, shkrimtar, ish ministër) i cili e kishte njohur personalisht në librin e tij “Kujtime” flet gjerësisht për të nënvizuar cilësirat e larta qe karakterizonin këtë burrë shteti shqiptar.
Midis të tjerave ai shkruan: “Mufid Bej Libohova- Arslan Pashalli ishte pa dyshim një nga personalitetet më të veçanta dhe më të shquara të shqipërisë së kohës. Niveli i lartë që e bënte të dallohej qartë mbi të gjithë njerëzit e serës së vet, dëshmonte për kulturën e gjerë të tij të spikatur evropiane. Ai ishte doktor i shkencave juridike të Universitetit të Stambollit dhe doktor i shkencave politike të Universitetit të Lausanne (Zvicër).
Ai ka qenë shumë i pasur, diplomat me gradë të lartë në Ministrinë e Jashtme të Perandorisë Osmane.
Deputet i Shqipërisë në Parlamentin Turk, shkrimtar i njohur në Turqi (po edhe në Shqipëri dhe Evropë) dhe që ishte i destinuar të kishte një karrierë në Perandorinë Osmane por ai donte dhe përpiqej për pavarsinë e atedheut tij. Në Shqipëri, ai ishte patjetër njëri ndër udhëheqësit kryesor dhe më të dashur të lëvizjes kombëtare sepse ishte shpirtmadh dhe i qeshur. Si biri i një dere të madhe historike dhe të pasur, ai kishte të gjithë përparësitë, por edhe të gjitha mendësitë, të cilat duhet të ketë një pinjoll i një fisi të lashtë veçanërisht të shquar për t’u pëlqyer në Shqipëri.
Megjithë arsimimin e lartë të tij, megjithë mënyren e tij autoritare evropiane-shqipetare, të jetës, në të dhe në mendësine e tij ai kishte ruajtur tipare që zbulonin ne mënyrë të padiskutueshme prejardhjen e mirëfilltë të aristokracisë së vjetër shqiptare.
Ai ishte i gjallë gazmor, shumë i kultivuar por pastaj befas mund të bëhej i thjeshtë i vrazhdë, popullor. Kontrastet që e dallojnë karakterin e shqiptarit, dilnin tek ai veçanërisht të qarta. Më miqtë ishte besnik, bujar dhe i dashur dhe i fjalës, me armiqtë kundërshtar i papajtueshëm, por fisnik dhe i çiltër.
Ai ishte i pajisur me një karakter të fortë dhe me një guxim fizik dhe moral të jashtëzakonshëm. Mufid Beu urrente parvenyte”, (Parvenytë- fjalë frëngjishte, njerëz që janë pa edukatë dhe mendjemëdhenj), politikanët e shpifur të kafeneve, pseudo intelektualët, dhe pseudo patriotët demagogët dhe reklamaxhinjtë. Njeri pa pikë mendjemadhësie, ai mbante marrëdhënie miqësore edhe me njerëzit e thjeshtë dhe sillej si një mik i vertete me ata që ishin të tillë.
Bujket që punonin në çifliqet e mëdhaja te tij i mbronte dhe i ndihmonte ashtu edhe njerëzit e tij . Dhe për këto aresye ai ishte popullor dhe respektohej veçanërisht në Toskëri por edhe në gjithë vendin tonë”.
Veçanërisht në Turqi, ai ishte i njohur përveç si burrë shteti shqiptar por sidomos si shkrimtar dhe historian serioz të historisë e perandorisë Osmane. Kanë shkruajtur, gjithashtu, për të lavduar personin e tij, shumë diplomat te huaj që e kishin njohur personalisht, midis të tjerëve ambasadorët, Sola, Quaroni, Jakomoni etj. E kujton në shkrimet e tij edhe kryeministri grek, Venizelos, të cilin e kishte mik, me të cilin kishte biseduar mbi relatat greko-shqiptare edhe përpara 1912 mbi rendësinë që duhet të kishte për Athinën Pavarësia e Shqipërisë për ekuilibrin ballkanik.
Kanë kaluar plot 77 vjet që Mufid Bej Libohova ka vdekur. Ai ëndërronte dhe luftoi, pa ndërprerje, për një Shqipëri etnike të bashkuar, demokratike dhe të begatshme. Tragjedia e diktaturës komuniste në Shqipëri ka marrë fund pothuajse 15 vjet. Ç’është bërë gjatë kësaj periudhe kohore qoftë në politikën e brendshme (niveli i jetesës të popullit) qoftë në arenën ndërkombëtare? Disa përparime të vogla janë bërë, por jo të mjaftueshme. Klasa politike drejtuese e sotme- pa dallim ngjyre politike- nuk ka treguar mjerisht atë pjekuri dhe obnegacion që situata shumë e vështirë e vendit kërkon.
Sot, fatkeqësisht, imazhi i Shqipërisë në botë është errësuar së tepërt. Populli shqiptar ka tradita të lashta, historia e tij mijëvjeçare dhe virtytet e larta e racës tonë janë, patjetër, një garanci e sigurtë për të ardhmen e kombit tonë. Ditën kur brezat e rinj – që nuk do të kenë lidhje me të kaluarën e afërme do të zëvendësojnë atë të sotme e kompromentuar, në një mënyrë direkte ose indirekte, atëhere, besoj se do të hapet një faqe historike e re dhe e frytshme për atdheun dhe për popullin tonë, mbasi do të burojë një shoqëri e re dhe e lirë në të cilën do të zhduken abuzimet dhe ligji do të jetë i barabartë për të gjithë shqiptarët dhe për respektin e dinjitetit të tij. Personalisht nuk do ta shohim dot atë ditë (mosha e lashtë 87-vjeçare nuk ma lejon), por mbetemi me këtë bindje të plotë, me këtë mendim dhe këtë dëshirë në zemër.
Për ata intelektuale shqiptarë dhe studiues të historisë sonë dhe të familjeve të vjetra të aristokracisë shqiptare që kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e vendit tonë, ballkanike dhe në Perandorinë Osmane, si ajo e Vezirëve të Janinës- bejlerët e Libohovës, kujtohet se në vitin 2003 u botua në Tiranë, nga shtëpia botuese “Lumo Skëndo”, libri i Ajet Bej Libohova (diplomat, jurist dhe kryetar në këshillin e shtetit shqiptar para Luftës së Dytë Botërore), shkruar prej tij, në mërgim në Romë, në vitin 1949, mbi historinë e lashtë të kësaj dinastie me titullin “Breznitë Libohova në shekuj”. Gjithashtu, kujtojmë se gazeta “Tema” më datën 10 Dhjetor 2003, (dhe disa gazeta të tjera shqiptare dhe të huaja që kanë dalë edhe në Internet), ka dashur të kujtojnë përvjetorin e parë të vdekjes së Arslan Bej Libohovës (1917-2002) – nipi i dashur i rritur nga Mufid Beu bashkë me vëllanë binjak Kaplan Beu- i cili vdiq në Itali në Dhjetor 2002.
28 Mars 2004.
———
Falenderohet Kemal Libohova për bashkëpunimin në publikimin e këtij artikulli.