Albspirit

Media/News/Publishing

Elez Isufi, krenaria e Dibrës dhe Austrisë

Elez Isufi është një nga figurat më të spikatura, fama e të cilit i ka kaluar disa herë territorin e vendit.  Vlerësimet që ky njeri ka marrë në tërësinë e tij janë sa të mëdha aq edhe të mrekullueshme.  Ndër vite është folur për këtë njeri të mrekullueshëm që edhe pse nuk ka bërë asnjë ditë të vetme  shkollë, arriti të mahniste deri edhe Perandorin e Austrisë.

Në 1916 Elezi është ftuar në oborrin Austriak ku edhe ka biseduar kokë më kokë me vetë Perandorin, i cili ngeli gati i mahnitur nga ajo që dëgjoi dhe nga përgjigjet që mori.

Për herë të parë po vinte këmbë në mjediset e pallatit perandorak një luftëtar i njohur për zërin e pushkës dhe ashtu me këmbët me baltë kishte shkelur mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate këtë radhë një njeri krejt i veçantë, një malësor me rroba shajaku, kësulë të bardhë, tirq të bardhë e kuparane të zezë, me opinga lëkure, por me një zemër të madhe e një mendje të ndritur që ia kishin zili dhe perandorët me njëqind tituj e grada e të fundosur në kolltuqe të artë.

I thotë Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë llafet në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me turqit, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me Serbin se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji.

Kështu i kishte thënë dikur dhe dikujt tjetër që kishte provuar t’i thoshte Plakut të Çuditshëm të ndëronte mendje e të ulte armët, por ai e kishte pasur përgjigjen në majë të gjuhës: – “Mirë thue ti, or mik, por unë jam një Elez. Ç’tu baj atyne njiqind Elezave të tjerë që ka Dibra?! Elez Isufi ishte i idhët për këdo që shkel në të drejtën e liritë e tjetrit, për të gjithë ata që tradhtojnë idealet e lirisë, për këdo që vihet në shërbim të hasmit, e, sidomos, të hasmit të vjetër” .

Shtypi i kohës u tregua i pakursyer për të dhënë vlerësimet e tij, si kurrë ndonjëherë për ndonjë figurë tjetër: Plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, e qindra vlerësime të tjera. Figura e Elez Isufit është vlerësuar në çdo kohë, se mali nuk mbulohet me kashtë e dielli nuk zihet me shoshë.

Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 ka organizuar një vizitë në Vjenë, ku u dekorua prej Kajzerit, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të Franc Jozefit me dekoracion lufte (Kriegsdekoration).

Për vlerat dhe virtytet e patriotëve Elez Isufi e Sufë Xhelili folën shumë historianë e bashkëkohës. Pikërisht këto vlera u identifikuan si busulla të identetitetit tonë kombëtar.

Dom Lazër Shantoja mbas një vizite në Mat e Dibër shkruan përshtypjet e veta në shtypin e kohës:

“Elez Isufi âsht nji burrë qi flet pak! Kur flet të kënaqë e të mëson.

“Gadi gjithë herë e hapë kuvendin me ndoj fjalë të popullit. Kambë─kryq, me çubuk qelibarit në gojë, dorët e djathët pshtetun në gjû, mêndon. Heshtim! Mandej flet. Thonë se kishe dishrue shum me pa, e përgjegjë: I falem nderës këtij zotëní fort: nuk ka ardhë me më pá mue, por mâ fort Shqipnín. Flet për zakonet e vêndit, për ndolljet e fundit, për politiken e jashtme e mandej tuj fshâ thotë: «Shum ka pa kjo Shqipní.» Pasjoni i tij duket se âsht Bajram Curri. Pyet e flet mbî tê: nuk e lëshon goje kurr. Jemi dy pleq, thotë, por kemi nji shpirtë të vetun të dy”.

Në vitet ‘20 gazeta “Liria Kombëtare” që botohej jashtë vendit, në mes të tjerash shkruante: “Elez Isuf Ndreu, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e më atdhedashuri të fortë që nuk i’u përul as forcës brutale dhe as arit të huaj”.

“Në tan’ Evropën ka shkue fjala se qe nandë vjet luftojmë me krala”

Një monografi dinjitoze për gjeneralin me shajak ka shkruar Xhafer Martini. Haki Sharofi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e tij me vlerë. Haki Stërmilli e ka personazh kryesor në dramat e tij historike, Rexhep Krasniqi e quan shtyllë të sigurt të vijës kufitare verilindore, Ibrahim Farka i thotë trim legjendar, Abdulla Çanga kujdestar plot pasion për shkollën dhe arsimin shqip, që bën epokë dhe sjell pavekësinë shprehet për të historian Gafurr Zoto, ndërsa një ndër personalitetet më premtuese e më të talentuara, prifti shkodran Dom Lazër Shantoja, i pushkatuar më 1946 nga diktatura, e ka personazhin kryesor të dramës së tij historike “Kuvendi i dëshmorëve”.

Ai e vizitoi në Sllovë dhe shkruan me shumë simpati për personin që çdo send tjetër para tij humb interesin. Në këto 5 rrokje secili shqiptar shef njeriun me famë legjendare, që ari i Serbisë nuk mundi me e thye kurrë. Elez Isufi! Fuqi, shpresë, kërcënim!- shkruan ai, i cili, siç thotë Irfan Tërshana, u thirr nga Perandori si njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, të përkthente fjalët e malësorit të Dibrës, që e kishte ofruar për dekorim.

Populli i Dibrës i deshi me gjithë zemër Elez Isufin e Sufë Xhelilin, prandaj dhe u shkoi pas jo pak. por për dy dekada. Kur u rrethua nga serbët shtëpia e Elez Isufit, bashkëluftëtarët e tij për gjithë natën hapën një kanal nëntokësor dhe nxorën në heshtje të plotë 70 pjesëtarët e familjes Ndreu të rrethuar nga ushtarët serb, ku mbi 200 burra i përcollën nga Sllova deri matanë Drinit. Kur më 26 dhjetor 1924 u vranë në Peshkopi malësorët trima të Reç-e- Dardhës e Ujë e m’Ujës, si një vargan gjigant, sollën heronjtë legjendarë në vendlindjen e tyre.

Please follow and like us: