Edi Rama: Tregtia e lirë është hapi i ardhshëm për Ballkanin
Liderat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Trieste, Itali, të mërkurën, me rastin e konferencës së përvitshme të Procesit të Berlinit. Do të jetë një mundësi jo vetëm për të diskutuar mbi rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për të mbyllur plagët e të shkuarës, për t’u bërë bashkë rreth një ideje dhe më e rëndësishmja, për të krijuar një platformë për rritjen ekonomike. Midis të tjerave, do të na kërkohet që të mbështesim, krijimin e një zone ekonomike rajonale. Unë do të argumentoj pro saj.
Pas disa dekadash autokraci, Shqipëria dhe fqinjët e saj kanë vuajtur në dy dekadat e fundit ekzaktësisht të kundërtën. Kjo përfshin luftë, përleshje, kaos dhe të tjera. Me to ka ardhur edhe korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, teksa fraksione të ndryshme politike luftojnë për pushtetin vetëm për të “plaçkitur” pasuri.
Shqiptarët kërkojnë që t’i japin fund kësaj një herë e mirë. Ky është mesazhi që na dhanë votuesit në zgjedhjet që u mbajtën një muaj më parë. Pas katër vitesh në koalicion me një partner më të vogël, partia ime bëri fushatë për të pasur një mandat të fuqishëm për të pastruar shtëpinë tonë dhe fituam, si rrallë herë, shumicën parlamentare. Shqiptarët mbështetën planin tonë për shtetndërtimin dhe reformat institucionale, plane që përfundimisht do të depolitizojnë qeverisjen dhe do të shpërblejnë mundimet e njerëzve të zakonshëm.
Kështu shpresojmë që të fitojmë stabilitet për vendin tonë dhe kështu, shpresojmë që së bashku të vazhdojmë të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Vendimi për të çelur negociatat brenda këtij viti është i mundshëm, pasi të kemi përmbushur angazhimin tonë për të reformuar gjykatat dhe sistemin e drejtësisë, si dhe për të forcuar shtetin e së drejtës.
Megjithatë, faktorët ekonomikë ndihen edhe në këtë situatë. Shqiptarët dhe fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë vuajtur nga vite të tëra mungese qëndrueshmërie, pjesërisht për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik. Ne kemi gjykatës dhe prokurorë të korruptuar pikërisht, sepse ata duan pjesën e tyre të thërrimeve. Politikanët e korruptuar na kanë zaptuar pikërisht për të njëjtën arsye.
Kur mënyra më e mirë për të krijuar influencë është politika, në vend të nismës personale dhe sipërmarrjes, konfliktet janë të pashmangshme. Ato mund të marrin forma të ndryshme, nacionalizëm etnik në disa raste, sektarizëm fetar në disa të tjera apo ndarje ideologjike diku tjetër. Por, kur resurset janë të pakta, gjithmonë përfundon tek kush njeh, në vend të çfarë di të bësh.
Ndaj, kjo është edhe përparësia e ardhshme e Shqipërisë. Ndërsa do të vazhdojmë të modernizojmë dhe demokratizojmë qeverisjen tonë, gjithashtu do të hedhim bazat për një zhvillim më të madh ekonomik.
Kjo është arsyeja përse këtë javë, në Itali, do të mbështes fuqimisht krijimin e zonës rajonale ekonomike, si një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian.
Ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Disa prej kolegëve të mi të Ballkanit Perëndimor i frikësohen idesë se kjo zonë ekonomike rajonale mund të jetë një rrugë pa krye, një stacion në të cilin Brukseli do të na braktisë. Disa vende anëtare dhe disa liderë europianë, në fakt, kanë shprehur hezitim për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.
Megjithatë, mjafton të shohim Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qëndrore, marrëveshje në të cilat të gjashtë vendet tona janë firmëtare, për të kuptuar se zona ekonomike mund të ndihmojë, e jo të pengojë progresin tonë. CEFTA u krijua fillimisht nga Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia. Ata e përdorën këtë marrëveshje për të dëshmuar aftësinë e tyre për të punuar bashkë, pavarësisht diferencave politike apo kulturore, e për të treguar se ishin plotësisht të kualifikuar për të qenë anëtarë me të drejta të plota të BE-së.
Përfitimet e një zone ekonomike rajonale janë të menjëhershme. Tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët, se sa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë.
Kjo është e rëndësishme për qeverinë time. Ne duam që të çlirojmë potencialin e plotë të kapaciteteve tona kombëtare dhe të inkurajojmë krjimin e më shumë vende të punës dhe prodhimit. Ndaj, do të bëjmë më të mirën për të bindur fqinjët tanë për të mbështetur këtë plan. Ne kemi disa ide që do t’i shprehim për t’i siguruar ata për qëllimet e mira të BE-së dhe jam i sigurt se Johannes Hahn, komisioneri europian për zgjerimin, do të bëjë të njëjtën gjë.
Së fundmi, e gjithë kjo është e rëndësishme për stabilitetin. Nuk mund të kemi stabilitet, pa një ekonomi që rritet. Ka ardhur koha, për të hedhur pas krahëve një herë e mirë mungesën e qëndrueshmërisë që ka karakterizuar për shumë kohë Ballkanin.
Botuar në ‘The Wall Street Journal’