Gjergj Erebara: Shqiptarët paguajnë 300 milionë euro në vit “taksa mjedisore”
Një format i ri raportimi nga Instituti i Statistikave i kryer në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Sistemi Europian i Llogarive Ekonomike zbuloi se shqiptarët paguajnë rreth 300 milionë euro ose 2.8 për qind të PBB-së së vet në formën e “taksave mjedisore”, një shifër kjo krahasimisht më e lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian . Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet vendi më i mbushur me plehra urbane dhe me sistemin më të keq të menaxhimit të mbetjeve në kontinent.
Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën për herë të parë të dhënat mbi Taksat e Mjedisit, një raport që bazohet mbi të dhënat e Ministrisë së Financave për të ardhurat e qeverisë nga taksa të ndryshme. Qëllimi i publikimit është përmbushja e një detyrimi tjetër në fushën e statistikave në kuadër të përgatitjes së Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian.
Raporti i INSTAT, i cili përmbledh të dhënat mbi të ardhurat e qeverisë nga këto taksa nga viti 2008 deri në vitin 2015, tregon se të ardhurat e buxhetit janë rritur me mbi 35 për qind mes viteve 2008 dhe 2015, duke shënuar kulmin në vitin 2014 dhe një rënie në vitin 2015- rënie e shkaktuar nga deficiti i lartë buxhetor në të ardhurat nga nafta atë vit si dhe nga kontrabanda e naftës.
Gjithesesi, INSTAT thotë se në vitin 2015 shqiptarët paguan 40 miliardë lekë në formën e taksave mjedisore. Kjo është e barabartë me 2.77 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas metodologjisë së Bashkimit Europian, klasifikohen si taksa mjedisore taksat mbi konsumin e energjisë, taksat mbi transportin, taksat për ndotjen dhe taksat për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Një raport i Eurostat tregon se në 28 vendet anëtare, të ardhurat nga taksat mjedisore në vitin 2015 qenë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, më të ulëta se sa në Shqipëri. Europianët paguan 2.4 për qind të PBB-së për taksa mjedisore nga gati 2.8 për qind të paguan shqiptarët.
Megjithatë, pavarësisht taksave krahasimisht më të larta të paguara në emër të mbrojtjes së mjedisit, është fakt i njohur nga të gjithë që Shqipëria është vendi me një krizë të përhershme në menaxhimin e mbetjeve urbane, vendi ku mbetjet shpesh hidhen në lumë dhe përfundojnë në det./Birn/