Sindi Arifi, shqiptarja e parë me kurorën e bukurisë në Zvicër
Sindi Arifi është shqiptarja e parë që ka fituar kurorën e një spektakli bukurie në Zvicër. Në 2013 ajo u shpall fituese e “Miss Zvicra Frankofone”. Që nga ajo kohë Sindi ka marrë pjesë në shumë sfilata dhe kompani me emër jo vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë. Përveç kësaj, për albinfo.ch Sindi tregon se pasion e ka edhe muzikën, ku premton që së shpejti të shfaqet edhe me ndonjë projekt të ri muzikor.Është një nga vajzat më të bukura në Zvicër, e cila këtë dhuratë të natyrës ka ditur ta shfrytëzojë më së miri.Skenën e spektakleve të bukurisë ajo e kishte pëlqyer që në moshë të re, ani pse nuk kishte marrë pjesë asnjëherë më parë.“Vitin e kaluar prindërit e mi më regjistruan në konkursin “Miss Suisse Romande” (Miss Zvicra Frankofone). Ishte përvoja ime e parë. Kam dëshiruar gjithmonë të shfaqem në skenat e bukurisë. Ishte një moment magjik për mua. Ndihesha shumë e entuziazmuar dhe kisha përshtypjen që shihja yjet me sy. Që nga ai moment unë e kuptova se kjo ishte me të vërtetë ajo që kam dashur të bëj”, kujton për albinfo.ch 20-vjeçarja Arifi përvojën e saj në spektaklin zviceran.
Kurora më përmbushi ëndrrat e mia
Kurora e “Miss Zvicra” Sindit i dha shumë vetëbesim për të përmbushur ëndrrat e saj. “Titulli më dha besim në veten time. Sot jam e vetëdijshme se për çfarë jam e aftë. Kam mësuar se në jetë nuk fitohet asgjë me lehtësi. Duhet luftuar dhe të mos heqësh kurrë dorë nga qëllimet. Kam luftuar për të shtyrë limitet e mia dhe për të arritur qëllimet që unë vendosa për veten time. Tani kam qëllime edhe më tej dhe dua të punoj që të kem sukses në arritjet e mia”, thotë ajo.
Triumfi i këtij spektakli asaj i ka hapur dyer të reja drejt fushës së modës. Ndonëse për shkak të kontratës që ka me organizatorët e spektaklit nuk mund të jetë e hapur shumë për reklama të reja, megjithatë aq sa i është lejuar, Sindi deri tash ka marrë pjesë në disa sfilata të mëdha të modës, duke përfshirë edhe markën italiane Salvatore Ferragamo, e gjithashtu edhe për agjenci të njohura të modelimit.
Shqiptarja e lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Mali i Zi, bën një jetë shumë dinamike, me shumë udhëtime, lëvizje dhe takime pune. “Për të jetuar nga modelimi, ju duhet të shkoni në qytetet e mëdha në Evropë apo kudo në botë, si në Paris, Milano, Londër apo në Nju-Jork. Në Zvicër ju filloni karrierën tuaj, por për të shkuar më tej do të duhej të shkoni diku tjetër. E gjithë kjo mua më bën që të mos mërzitem, sepse çdo ditë është një ekspriencë e re për mua”, shprehet studentja e studimeve të larta sociale, e cila na tregon edhe se si është një ditë e saj. “Ditët e mia janë shumë të ndryshme. Ndonjëherë me fotografi, nganjëherë me sfilata, nganjëherë me takime. Por, në çdo rast, çdo mëngjes unë bëj fitness”, thotë Sindi, e cila pos kësaj merret edhe me karate, volejboll dhe balet.
Përkundër angazhimeve të mëdha që ka, shqiptarja Arifi nuk lë anash pa falur edhe dashuri për familjen dhe të afërmit, ndërkaq për ndonjë person të caktuar duket se është me e rezervuar të flasë, por thotë se burri ideal për të është ai njeri që tregon respekt, dashuri dhe besim.
Muzika, një pasion tjetër i saj
Përveç aktiviteteve në fushën e modelimit dhe studimeve, Sindi Arifi merret edhe me muzikë. “Kënga është pasion imi. Që në fëmijëri merrem edhe me muzikë. Këndoj dhe i bie kitarës dhe pianos. Kam marrë pjesë edhe në shumë ngjarje muzikore dhe në të ardhmen kam ndërmend të realizoj edhe këngë të reja”, pohoi ajo në fund të bisedës sonë.
S.T