Albspirit

Media/News/Publishing

Lista e Facebook, një paralele me publikimin e “Raportit konfidencial të OSBE”

Kryeministri Edi Rama reagoi dje në mbrëmje rreth qëndrimeve të shprehura gjatë ditës për publikimin prej tij të listës së 100 personave të administratës dhe sistemit të drejtësisë për të cilët ka patur ankesa oniline. Ndër të tjera Kryeministri thotë:

Po jap një sqarim për kë ka veshë të dëgjojë:

E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as “listë e zezë”, as “listë shtrigash”, as kurrëfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve.

E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.

E treta, “lulet mos më prek” dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma!

Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!

Duket se aty ku shumëkush shikon një mekanizëm abuziv dhe jashtëligjor, kryeministri lexon suksesin e tij që ka tmerruar tepsixhinjtë dhe ia ka dalë të acarojë/provokojë katundin politik e mediatik. Mirëpo jo çdokush që reagon bën pjesë në këto kategori, pra se është “lule mos më prek”, apo një shok i ngushtë i Selmanit, por sepse kjo mënyrë për të denoncuar dikë për abuzim nuk është e drejtë.

Nëse flasim pastaj për argumentimin që sillet se “emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur”, apo se “përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë”, atëherë këtu menjëherë na vjen në mend një rast thuajse identik ku zotëria në fjalë ishte viktima. Para dy vjetësh në mediat online u publikua faksimilja e një dokumenti të vulosur nga OSBE-ja që titullohej si raport konfidencial, në të cilin zoti Rama figuronte i përfolur si njeri me 200 milionë euro pasuri. Mund të ketë qenë ndër goditjet mediatike më të forta gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e kryeministrit dhe nuk është çudi se pse ky rast e acaroi së tepërmi atë me median. Ndaj së cilës ndërmori nisma të vërteta edhe në nivel ligjor. OSBE-ja nuk e përgënjeshtroi dokumentin, por deklaroi se “të dhënat i kishte maarrë nga media shqiptare”, ndërkohë që kryeministri akuzonte dhe kritikonte se publikimi ishte bërë në mënyrë krejtësisht joprofesionale dhe pa investiguar. Ndonëse z. Rama në këtë rast mund të kishte një të drejtë, me metrin që ai përdor sot, media shumë mirë mund të deklarojë: Raporti nuk është i yni. Atë e ka përpiluar OSBE.

Po të marrim këtë rast dhe ta përputhim me këtë që bën sot kryeministri në Facebook e tij vijmë në të njëjtën logjikë. Pa folur pastaj për atë që në internet është bërë e njohur më emrin “e drejta për t’u harruar”, çka do të thotë se dikujt që I ka dalë emri në një çështje e cila mandej bie, ka të drejtë që të mos shfaqet në rezultatet e kërkimit online, duke njoftuar motorrët e kërkimit. Është pra e qartë se ndonëse e mbron metodën e tij, ajo thjesht nuk është korrekte. /Respublica/

Please follow and like us: