Prof. Mentor Petrela: Barbaria po bëhet e padurueshme nga heshtja jonë
Populizmi është një mënyrë cinike për të luajtur me zemërimin e një mase amorfe që e përkëdhelin me emrin popull që jo rrallë është përdorur për të hequr qafe elitën”uzurpatore”.
Shkaku është urrejtja e përjetshme dhe zilia ndaj talentit. Për të evituar gomarllëkun me të cilin ky populizëm ushqehet me mjetet e sotme të komunikimit influencuar dhe nga “Bota është e sheshtë” e Thomas Friedman i kam refuzuar këto mjete.
Sot e gjej vehten i korruptuar. “virgo et incorrupta “paradox i skuadronit FB. Volteri në letrën drejtuar d’Alembert 18 korrik 1766 shkruan”…barbaria po bëhet e padurueshme nga heshtja jonë, nesër ajo do të na therë kur t’i vijë qejfi madje juridikisht”.
Në historinë e familjes pas ardhjes së komunistëve në ’44 gjyshërit, klasa e përmbysur e përjetuan me etiketa të varura në qafë “gjakpirës të popullit” më pas me gjyqe, deportime, burgje, internime, kështu që kjo e sotmja më duket lule.
Ajo që më shqetësoi është mentaliteti i skuadronit i Saint Just “Mbreti duhet të gjykohet si armik”.
Jetojmë në demokraci, disa “realistë” janë pjesa më antidemokratike sidomos kur ndjekin shijen e plebes, harrojnë se ka padi difamacioni edhe pse Nietszche autokracinë e shtetit e përkufizon “përbindshi i ftohtë”.
Skuadra FB kurrë nuk do të ketë shansin të dëgjojë korin e së vërtetës që i drejtohet Eteoklit në “Shtatë kundër Tebës”: “Ti nuk do të quhesh një i poshtër sepse jetove me arritje”.