Vlerat e shqiptarëve nuk gjenden te besimi verbëror!
Çerçiz Loloçi
Shqiptarët e shekullit që po jetojmë ndoshta janë më fatlumët sepse pavarësisht se ende të ndarë në katër-pesë shtete, janë kombi më properëndimor, ndoshta më shumë edhe se Izraeli apo aleatët më të ngushtë të SHBA-së.
Pikërisht për këtë fakt dhe jo vetëm janë të papranueshme vatrat vehabiste apo elementët ekstremistë që gjenden ende në mjediset tona shqiptare, përfshi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi apo diku tjetër, të cilat duhen marrë më seriozisht së pari nga vetë komunitetet që drejtojnë këtë besim, por edhe nga strukturat shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese për t’i mënjanuar urgjentisht dhe pa u menduar gjatë.
Është fakt i pamohueshëm se përqindjet muslimane mund të jenë mbizotëruese në hapësirën shqiptare, por gjithsesi janë të papërfillshme në shtete tipike të këtij besimi që pikërisht për shkak të theksimit të kësaj ane mbajnë shoqëri të mbyllura ku individët janë të varguar dhe jo të lirë.
Natyrisht se qeveritë në Shqipëri dhe Kosovë sidomos, por edhe atje ku shqiptarët janë shtetëformues si Maqedonia, duhen të bëjnë të gjitha përpjekjet që komunitete fetare, sidomos edhe ato muslimane, të kenë të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga shteti i së drejtës, por po aq duhet të jenë të pamëshirshëm ndaj minixhamive apo individëve që shkojnë si trushplarë në një konflikt në Siri apo rreshtohen pro një shteti që qoftë edhe një herë nuk ka qenë miqësor me shqiptarët, së pari me ata të përkatësisë muslimane.
Kriza aktuale Izrael –Gaza është një kosto shumë e madhe për dy popujt fqinjë, për komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos për SHBA-në, si garantuesja e vetme dhe e pakonkurueshme e paqes botërore, por është i pakuptueshëm solidariteti naiv i disa shqiptarëve jo vetëm në hapësirat shteterore ndaj ‘Hamasit’ që është në thelb një organizatë politike terroriste.
Muslimanë, katolikë apo ortodoksë, brenda apo jashtë kufijve shtetërorë, pra shqiptarët kanë një vlerë superiore ndaj kombeve dhe popujve të tjerë: s’kanë qenë asnjë herë pushtues dhe zaptues të territoreve dhe hapësirave të tjera, cka i lartëson ata më shumë se doktrinat fetare, më shumë se palluqrat politikë të të gjithë spektrit që iu janë ngjitur si këpushat pavarësisht regjimit dhe formës së qeverisjes. Reshtimi i gjithë shqiptarëve pro vlerave perëndimore, madje sakrifikimi për to, na bën më të nderuar mes njeri-tjetrit dhe përballë kujtdo.