Dr. Sadri Ramabaja: Federata Shqiptare versus Jugosllavia e re
Projektit serb për Jugosllavinë e re, plus Shqipëria, duhet t’i përgjigjemi me një doktrinë politike shqiptare që do të duhej konceptuar si ledh mbrojtës dhe në funksion të interesit nacional.
Në çdo kapërcyell krizash në kontinent e më gjerë, sllavët e jugut, sidomos serbët, edhe nëse kanë qenë bashkëfajtorë për vënien e zjarrit të luftës (siç ishte rasti me Luftën e Parë Botërore apo me luftërat e fundit që e dërguan Jugosllavinë e AVNOJ-it në histori), ishin ata që përfituan më së shumti. Aktualisht përfitues të këtij procesi dezintegrues të Jugosllavisë, si njëra prej federatave sllave më me ndikim në politikë gjatë Luftës së Ftohtë, kanë rezultuar dy ish republikat veriore të saj, Sllovenia dhe Kroacia, por me idenë për Jugosllavinë e re, plus Shqipëria, Serbia pretendon të marrë pjesën e luanit.
Idetë për një Federatë Ballkanike janë shfaqur së bashku me komunizmin “që erdhi nga të ftohtit” (Jean Paul Sartre), përkatësisht me idetë leniniste të fillim shekullit 20. Ndërkohë vetë ideja e një lidhjeje ballkanike shfaqej herë si Bullgari e Madhe e herë si Serbi e Madhe dhe gjithnjë pa shqiptarët!? Mirëpo, nisma aktuale e komisarit për Zgjerim, Johanes Hahn, që rajoni të evoluojë drejt krijimit të një tregu të përbashkët ballkanik, sipas shembullit të BE-së, burimin e ka tek agjenda e Parisit. Palët përmes asaj agjende kishin shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë, por jo edhe për krijimin e një federate a konfederate ballkanike me emrin Jugosllavia e re, që ka përmbajtje të pastër gjeopolitike. Shih për këtë ajo është edhe më e rrezikshme, bizare, madje në përmbajtje dhe në thelb ide e dështuar gjatë historisë, pra tingëllon si një Jugosllavi e re, e vogël, pa Slloveninë dhe Kroacinë. Si e tillë ajo de fakto ishte mësymje e fashizmit serb…
Në një analizë timen të publikuar para dy viteve (shkurt 2015) potencoja peshën e ndryshimeve gjeopolitike dhe pasojat për Evropën Juglindore. Në këtë epokë ndryshimesh të mëdha, nënvizoja atëbotë, sidomos tashti kur fushëbeteja mes konceptit perëndimor mbi shtetin modern dhe atij lindor mbi shtetin me sovranitet të kufizuar (teoria e Brezhnjevit për të cilën angazhohet sot Putini), janë pikërisht kombet e Evropës Lindore dhe asaj Juglindore që ndjehen të rrezikuar. Shih për këtë, teoria mbi Shtetin-komb del sërish në skenë si struktura që garanton Shtetin dhe qytetarin, rrjedhimisht lirinë, paqen dhe sigurinë.
Arsyet janë të natyrave të ndryshme. Madje konstatimi se vetëm në shtetin-komb demokracia, në kuptimin e gjerë të fjalës, gjen truallin më të përshtatshëm për selitjen e saj të mirëfilltë, tashmë pas kapjes së Shtetit nga mafia politike dhe bandat e krimit në Kosovë, pas eksodit pothuajse biblik të qytetarëve, që de fakto po nulifikon legjitimitetin e kësaj qeverie, merr peshë edhe më specifike.
Në këtë rrafsh, aktualisht, vetëm mund të konstatojmë se kemi dy vite tërësisht të humbura.
Rikthimi i gjeopolitikës dhe rikonfigurimet me frymë hegjemone
Vala e re e revoltave që burim kanë pakënaqësinë e të zemëruarve, sërish i kthehet rajonit. Në këtë vorbull të krijuar nga rikthimi i gjeopolitikës, tendencat e hapura për rikonfigurimin e Serbisë si forcë hegjemone në rajon, u shprehën me puçin e dështuar gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi. Tentakula të kësaj natyre vihen re edhe në Maqedoni dhe Serbska Republikë, madje te kjo e fundit fare hapur.
Ajo që po ndodhte në prag të zgjedhjeve në Serbi, të linte shijen e konkluzave të Jaltës, që na riktheheshin në historinë moderne të Evropës Juglindore, me bekimin e disa qendrave polite të shteteve më me ndikim në BE!
Takimet e Vuçiqit në Berlin dhe Moskë, po edhe falënderimi që ai u bën drejtpërdrejt Putinit dhe Merkelit vetëm një ditë pas shpalljes së rezultateve, sikur e tumirin këtë konkluzion.
Më 27 mars, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kandidat për president në zgjedhjet presidenciale, kishte vizituar Moskën dhe po zhvillonte takime të gjata me Vladimir Putinin. Më 2 prill ai zgjidhet president. Më 6 prill bën publik projektin e tij për Jugosllavinë e re, plus Shqipëria. Mjafton të studiohet vetëm kjo agjendë politike e Vuçiqit, për të nxjerr përfundime të qarta se nga po vete gjeopolitika në rajon. Marrëveshjet për Ballkanin dhe rolin e Serbisë në gjeopolitikën e re, tashmë është sekret publik, kanë marrë miratimin jo vetëm të “vëllait të madh”.
Hapja e portave të Ballkanit për Rusinë, natyrisht edhe pajtimi me këtë fakt i disa qendrave të vendosjes në Evropë, i ndërlidhur me reagimet e ashpra kundër transferimit të FSK-së në Ushtri, duhet kërkuar pikërisht tek këto marrëveshje nën rrogoz. Veprimet e Thaçit në këtë rast janë një Deja-vu e llojit të vetë.
Basti evropian dhe vizita e Gjon Mekenit në rajon
Nën nxitjen e pamotivueshme të motivit të inkurajimit të Serbisë për të shkuar drejt BE dhe jo drejt Rusisë, disa udhëheqës të vendeve anëtare të BE kanë vënë bastin te presidenti Aleksandër Vuçiq dhe po vlerësojnë se nën udhëheqjen e tij Serbia duhet të ketë rol drejtues apo kyç në Ballkanin Perëndimor, konstaton me të drejtë ish diplomati shqiptar, Shaban Murati.
Në këtë vorbull të ngjarjeve politike, më 10 prill, në Beograd ishte për vizitë njëri nga senatorët amerikan më me ndikim, Gjon Mekejn, ndërkaq më 13 prill mbajti një fjalë rasti edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pati një varg takimesh me personalitete të larta të Republikës. Mediet serbe bëjnë të ditur se temat bosht rreth të cilave pati përplasje pikëpamjesh në takim me kryeministrin në detyrë, Aleksandër Vuçiq ishin: orientimi i Serbisë në politikat e jashtme dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.
Duket se basti evropian për senatorin nuk rezulton edhe aq i besueshëm.
Kjo vizitë zhvillohet tani kur në Serbi ka një javë që protestohet kundër diktaturës që ka promovuar presidenti Aleksandër Vuçiq dhe eshaloni politik më reaksionar që e mbështet atë. Shenjat e një zgjimi politik, respektivisht të një revolucioni të kadifenjtë, disi ngjashëm me Ukrainën, janë të venerueshme.
Pikërisht në përpjekje për të shmangur vëmendjen e diplomacisë perëndimore nga këto ndeshtrasha të brendshme, pinjolli ideologjik i Milosheviqit, ai që ka filluar tani të sillet si Tito i ri, sheston plane për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, por duke përfshirë kësaj radhe brenda edhe Shqipërinë, me pretendime për t’ ia kaluar edhe modelit të tij – Titos.
Këtë projekt ai e bëri publik në intervistën e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, më 6 prill. Në shikim të parë, duket se nuk kemi të bëjmë me diç të re, meqë ide të ngjashme kanë gëluar në këtë pjesë të kontinentit tonë që nga fillimi i shek. XX, fillimisht me premisa progresive të barazisë nacionale dhe sociale, e pastaj gjithnjë të dizajnuara për t’i shërbyer hegjemonizmit serb.
Idetë për një Federatë Ballkanike, siç e pamë, janë të hershme. Por, vetëm atëherë kur në krye të kësaj ideje ishte Georgi Dimitrov, udhëheqësi komunist bullgar, qenë përfshirë në këtë kuadër edhe shqiptarët. Kjo ide qe shmangur vetëm me largimin e Jugosllavisë nga ombrella e Stalinit dhe rrëshqitjen e saj drejt zonës së influencës perëndimore. Por, nisma aktuale e mbështetur nga komisari i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn publikisht dhe personalitetet tjera evropiane nën rrogoz, me idenë që rajoni të evoluojë drejt krijimit të një tregu të përbashkët ballkanik, gjoja sipas shembullit të BE-së, pavarësisht faktit se mbështetet krejtësisht në konceptet komuniste për një Federatë Ballkanike që kishte tri opsione (1. Jugosllavia e madhe, respektivisht republikat e ish Jugosllavisë plus Shqipëria; 2. Federata Ballkanike -Jugosllavia e madhe me Bullgarinë; 3. Federatë Ballkanike e zgjeruar -Federata Ballkanike me Rumanin dhe Greqinë, madje në disa variante përfshihej Brenda saj edhe Turqia), po gjen mbështetje tutje në Bruksel! Ky fakt e bën atë edhe më e rrezikshme, për të mos thënë tejet bizantine. Duke qenë tejet naiv dhe politikisht irracional, kryeministri serb këtë ide e prezantoi në portalin amerikan “Politico” të atillë siç është- një Jugosllavi e re, e ristrukturuar, pa Slloveninë dhe Kroacinë, por me dy republikat shqiptare, atë të Shqipërisë dhe Kosovën, që i zëvendësojnë ato, duke ia rezervuar kombit shqiptar pozicionin e vasalëve nën hegjemonin serbe.
Nga qasjet e Brukselit ndaj shqiptarëve, sidomos pas luftës së UÇK-së për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, mund të identifikohen dy linja të veprimit politik evropian, që burimin e kanë tek kriza e brendshme dhe mungesa e qartë për perspektivën politike të BE-së: e para, si projekt që do të ecë tutje me dy shpejtësi, duke krijuar bërthamën evropiane (Gjermani/Francë +), tejet rigjide, që do ta konsiderojë periferinë e saj si shtojcë dhe rrip të sigurisë dhe, e dyta, që e projekton BE si një federatë e ardhshme e kombeve të barabarta pavarësisht numrit, që është produkt i konceptit liberal dhe frymës së demokracisë liberale më pozitive që ka kultivuar Evropa moderne.
Evropa e parë ka nevojë për alibitë reale që do të të mundësonin ta shpinin aderimin e Evropës Juglindore në BE-së drejt kalendarëve greke. Zaten kushti atipik për liberalizimin e vizave për kosovarët, ai që ka të bëjë me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e që vazhdojnë të mbahen peng si të vetmit në kontinent, si rezultat i këtyre politikave, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe.
Ka zëra që këtë tip Evropë, e lidhin me linjat e ndarjes së qytetërimeve (sipas teorisë së Samuel Huntingtonit për përleshjen e civilizimeve) Lindje-Perëndim. Eurocentristët si mbështetës të Evropës së parë, ndërkohë po mbështeten nga rryma e fuqishme e populizimit, por edhe nga një Rusi fare tjetër nga ajo që ishte në fillim të shek. XX-të, por që nuk i fsheh pretendimet për pozicionim në Evropën Juglindore përmes Serbisë dhe Maqedonisë.
Shih për këtë, projekti i Jugosllavisë së re plus Shqipëria, zgjon asociacione të veçanta, sidomos te ata që e njohin mirë historinë politike të Evropës Juglindore.
Ky projekt do ta dëmtonte sidomos kombin shqiptar, meqë rrezikon ta lë të rrëshqasë drejt aleancave të panatyrshme, në ndërlidhje me Turqinë drejt Azisë! Natyrisht të ndodhur nën presionet e këtij rirreshtimi të pastër gjeopolitik, shqiptarët si komb në esencë perëndimor, nuk do të heqin dorë nga civilizimi i tyre burimor, vetëm pse eurocentristët me frustrimin e theksuar racist i shohin kështu, si pjesë e Perandorisë së dikurshme Otomane.
Përkundrazi, ata, pra shqiptarët, do të vazhdojnë të insistojnë të jenë pjesë e projektit politik eurointegrues – BE-së, e gjithsesi edhe pjesë e familjes euroatlantike. Sidoqoftë, nëse ecë projekti i Jugosllavisë së re, e kombi shqiptar ndodhet në një kryqëzim rrugësh të kësaj natyre, më mirë do të zgjidhnin modelin hebre, duke u shndërruar në një Izrael të Evropës Juglindore.
Jugosllavia e re, perandoria e Titos në miniature
Nga fundi i Luftës ës Dytë Botërore Jugosllavia e Titos po i shërbente atij si një bërthamë së cilës, shestonte ai, do të duhej t’i bashkoheshin Triesta, Istria, Rumania, Bullgaria, Shqipëria por edhe Greqia. Kjo ishte arsyeja përse ai mbështeste partizanët grek në luftën civile. Përderisa Stalini po tregohej i kënaqur me faktin se kishte shtrirë influencën në pjesën më të mire të Evropës Juglindore, Tito nuk kënaqej me kaq. Ai po shestonte perandorinë e tij, Federatën Ballkanike, që do të ishte po aq e madhe sa Britania e Madhe dhe Franca marrë së bashku.
Por, ky projekt do të pësoj goditjen prej andej nga më së paku pritej. Pikërisht nga Moska, pas aprovimit të Rezolutës së Informbyrosë, më 1948, kur Tito qe përjashtuar nga pjesa tjetër e bllokut të Lindjes.
Stalini kishte dyshime të bazuara se Tito, duke bartur selinë politike të Federatës Ballkanike në Beograd, do t’ia impononte hegjemonin e plotë pjesës tjetër të Ballkanit. Ai kishte frikë se, Titoja do ta nënshtronte plotësisht jo vetëm Shqipërinë dhe Greqinë, por edhe Bullgarinë, duke krijuar kështu një bllok të fuqishëm komunist në Evropën Juglindore jashtë kontrollit të Moskës.
Ëndrra e nacionalistëve sllav për një bashkim të sllavëve “nga Triesta deri në Varna” po dukej të ishte në prag të realizimit. Por, Stalini gjakonte në Evropën Lindore të kishte vetëm shtete satelite, e jo një qendër të fuqisë së dytë komuniste, siç po e shestonin Tito dhe Dimitrovi.
Po përgatitej të pasonte skizma e madhe Brenda botës komuniste. Jugosllavia po largohej nga sfera e ndikimit sovjetik. Por atëbotë nuk ishin krejt të qarta motivet që kishin shkaktuar këtë skizmë. Spekulohej se fjala ishte për përplasjen mes konceptit që mbronte “imperializmi i madh rus” dhe atij që kishte të bënte me “nacionalizmin jugosllav”.
Duket se mes këtyre dy koncepteve që po risjell gjeopolitika moderne, Brukseli ka përzgjedhur konceptin që supozon se do ta mbajë Rusinë larg Ballkanit, qoftë edhe me çmimin që mund të promovojë hegjemonin serbe në këtë “Jugosllavinë e re”!
Disa zyrtar evropian që mbështesin këtë projekt, duket se kanë mësuar pak nga historia politike e Evropës. Si integrimi edhe dezintegrimi brenda kombeve sllave të Evropës Juglindore gjatë gjithë shekujve 19 dhe 20-të, janë thjeshtë çështje që kanë të bëjë me mungesën e tolerancës. Procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos dhe gjenocidi që ushtroi Serbia në Bosnjë (1991-1995) dhe në Kosovë (1998/99) e dëshmon këtë më së miri.
Doktrina politike shqiptare si ledh mbrojtës
Beogradit dhe sponsorëve të kësaj ideje, qoftë kjo Rusia, si më e interesuara për këtë projekt gjeostrategjik, qoftë Franca që kishte futur në përdorim termin Ballkani Perëndimor (2000), po me të njëjtat ide, apo Italia (2017)… Tirana dhe Prishtina do të duhej t’ i përgjigjeshin qartë dhe pa ekuivoke, me vendime konkrete që përshpejtojnë integrimin e dy Republikave tona.
Disa prej hapave që do të duhej të ndërmerreshin shpejt do të mund të ishin si vijon:
- Heqja e doganave, krijimi i tregut të përbashkët shqiptar;
- Integrimi i plotë i sistemit të arsimit dhe shëndetësisë;
- Fillimi i përdorimit të valutës shqiptare (lekut), si monedhë e dytë në Kosovë;
- Hartimi i strategjisë së përbashkët mbrojtëse etj.
Por, me masa të reja, e në koordinim të plotë me Tiranën dhe Prishtinën do të duhej të reagonte edhe blloku politik shqiptar në Maqedoni.
Këta do të ishin disa prej hapave urgjent, që do të shpinin natyrshëm drejt krijimit të Federatës Shqiptare.
Për njohësit e skenës politike shqiptare, kërkesa të kësaj natyre duken aktualisht si futurizëm politik, tepër idealiste. Natyrisht me arsye, sidomos kur e dimë se ç’klasë politike dominon skenën tonë! Sidoqoftë, presioni pozitiv i opinionit intelektual dhe i forcave të shëndosha politike, tani ka arsye objektive të shtohet.
Përderisa në njërën pjesë të Shqipërisë (mbi Drinin) shërbimet serbo-ruse, të koordinuara me aleatët e tyre tradicional, ia arritën që në krye të Republikës së Kosovës të instalojnë marionetat e tyre, ndërkaq ndërkohë, ta mbajnë tutje peng gjeneralin Haradinaj në Francë, por edhe të vazhdojnë të thurin lloj-lloj intrigash kundër VV, që shihet me të drejtë si shpresa e vetme në vend, pa lënë anash as veprimtarinë subversive antikushtetuese, duke i përgatitur shtratin e Prokrustit trupit të Kosovës; në pjesën tjetër të Shqipërisë, në atë nën Dri, po pretendohet të ushtrohet grusht-shteti i llojit ose rikthimi i anarkisë së vitit 1997!
Fijet e këtyre agjenturave, përmes rezistencës së politikanëve të korruptuar dhe me ndihmën e mafias rajonale, po i rezistojnë projektit për ngritjen e Shtetit të së drejtës, që do të kalonte nëpër rubikonin e Vetingut, që do t’ i hapte rrugë bërjes reale të Shqipërisë.
Nëse në një bllok, nën çadër e jashtë saj, po mblidhet krejt llumi i këtij Vendi, është e drejtë legjitime dhe obligim moral ndaj Atdheut, të mobilizohen edhe idealistët kudo ku janë.
Idealistët që ndërkohë me të drejtë ndjehen të shqetësuar, e kanë të qartë se politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht për një doktrinë politike si ledh mbrojtës, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional.
Nëse anglosaksonët pas Luftës së Dytë Botërore ishin përqendruar në ndërtimin e kësaj metode të të menduarit politik, duke marrë në konsideratë aspektet dhe interesat gjeostrategjike, ndërkaq francezët krahas përqendrimit në selitjen e mendimit mbi interesin hapësinor, kishin kultivuar, përmes shkencave sociale dhe politike, komponentën filozofike dhe ideologjike, shqiptarët për realizimin e projektit të Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kanë nevojë për kombinim të që të dy shkollave të lartëtheksuara, duke i shtuar kësaj konceptin ushtarak të të menduarit.
Ky koncept, Federatën Shqiptare do ta bënte më me peshë në syrin e aleatëve tanë gjeopolitik, para së gjithash SHBA-ve. Në këtë rast, Aleancës sonë gjeopolitike (NATO-s) në vend se t’i japim refugjatë, qytetarë që ikin nga mjerimi, nga Republika në dështim, si po bëjmë tashti, do t’ i afronim partneritet serioz, meqë do të ishim një Republikë e zhvilluar dhe me mirëqenie për qytetarë, rrjedhimisht asaj, pra Aleancës, do t’i jepnim gjeneralë e ushtarë.
Federatën Shqiptare duhet shikuar tashti pas publikimit të projektit të Vuçiqit si hap urgjent, një lloj versus-i për Jugosllavinë e re.
Federatën Shqiptare duhet e do ta bëjmë ne shqiptarët tok, ne idealistët; ky është amaneti i brezave dhe vullneti i atyre që ranë për këtë tokë dhe i atyre që do ta gëzojnë edhe pas nesh.
*Autori është ish i burgosur politik dhe aktualisht anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
(Ky shkrim është botuar edhe në: http://foreignpolicynews.org/2017/05/14/albanian-federation-versus-new-yugoslavia/)